Umberto Eko – Vështrim përmes përkthimesh e leximesh

Nga Shpëtim Çuçka – Ndarja nga jeta e shkrimtarit dhe studiuesit italian Umberto Eko u shoqërua me shkrime dhe komente të shumta në shtypin e huaj. Spikasnin në to mënyrat e ndryshme të vështrimit të krijimtarisë së tij, përgjithësimet e ndryshme të nxjerra prej saj, vlerësimet – në tërësi pozitive – të bëra me nuancime të ndryshme. Ky fakt do të thotë, ndër të tjera, se edhe ne në Shqipëri kemi mundësinë – dhe jo vetëm të drejtën – për ta parë dhe për ta vlerësuar këtë figurë të kulturës italiane e më gjerë sipas këndvështrimit tonë.

Nuk do të kishte qenë nevoja për këtë hyrje të shkurtër, pra, për mundësinë, të drejtën dhe nevojën për ta parë Umberto Ekon me sytë tanë, sikur jeta e përditshme të mos na dëshmonte se sa pak shfrytëzohet te ne kjo e drejtë, mundësi dhe nevojë për të dhënë opinione të mbështetura në këndvështrimin tonë kulturor, se sa dendur te ne qëllon që thjesht të përtypen dhe ripërtypen teza të huazuara jo vetëm brendapërbrenda por edhe – e kryesisht – nga jashtë. E veçanta, sipas meje, e këndvështrimit tonë kulturor – në rastin konkret në lidhje me Umberto Ekon – qëndron në faktin që Shqipëria ndodhet në lindje dhe në jug të atij vendi dhe asaj hapësire politiko-gjeografike, ku u formua, jetoi dhe krijoi Umberto Ekoja, qëndron në faktin që Shqipëria ka një histori politike, ekonomike dhe kulturore aq të ndryshme nga ajo pjesë e gadishullit evropian, ku e bëri jetën dhe e zhvilloi veprimtarinë Umberto Ekoja.

Gjëja e parë që meriton të thuhet është se Umberto Ekoja zë një vend të veçantë në kulturën e Italisë, përkatësisht në letërsinë italiane. Ky vend i tij i veçantë në botën kulturore dhe letrare të Italisë ka lidhje me mesazhet e shumta dhe të shumanshme, që ai ka shpërndarë nëpër veprat e tij. Dhe thelbi i kësaj veçantie do të mund të përmblidhej fare mirë në karakterizimin: Umberto Ekoja është evropianoperëndimor si shkrimtar dhe si studiues, është evropianoperëndimor për nga bindjet e qëndrimet qytetare e politike.

Elementet themelore të kulturës evropianoperëndimore janë: Racionalizmi; pragmatizmi; universalizmi; misticizmi. Renditja e këtyre elementeve në radhë parësie ka qenë e ndryshme në epoka dhe vende të ndryshme. Dikush mund të pyesë: “A nuk duket se ka kundërthënie ndërmjet këtyre elementeve?” Po, është e vërtetë! E gjithë historia e Evropës Perëndimore është dëshmi e qartë e veprimeve dhe e doktrinave të mbrujtura me kundërthënie të brendshme. Epoka e sotme është gjithashtu një dëshmi e qartë e kësaj natyre kundërthënëse të kulturës dhe qytetërimit evropianoperëndimor.

Në veprën e Umberto Ekos çdo lexues sadopak i vëmendshëm do të dallojë një gërshetim të linjave të racionalizmit, pragmatizmit dhe misticizmit, të gjitha të vendosura në një shtrat universalizmi. Vlen të kujtojmë këtu për plotësim të tablosë se termi “universalizëm” vjen nga latinishtja “universalis” (i gjithëmbarshëm, i përgjithshëm, gjithëpërfshirës, ose – me një fjalë të modës – global), kuptim që e vëllazëron atë term me termin tjetër “katolik”, i cili rrjedh nga greqishtja “katholikos” (i gjithëmbarshëm, gjithëpërfshirës).

Në veprën e Ekos ndeshen edhe elemente të liberalizmit dhe të majtizmit të moderuar, të modernizmit dhe postmodernizmit, të estetizmit, enciklopedizmit dhe sinkretizmit shkencor e parashkencor (alkimizmit, magjisë), shkurt, një koktej i të gjithë përbërësve kryesorë të kulturës evropianoperëndimore në shekuj. Nuk mungojnë as elemente të tjera që kanë të bëjnë sidomos me kulturën politike dhe që këtu po lihen pa u përmendur. Vlen gjithsesi të përsëritet: Syrit të një lexuesi të vëmendshëm të gjitha këto shenja, elemente e gjurmë – të përmendura apo të lëna këtu pa u përmendur – nuk i shpëtojnë.

Pikërisht rreth këtyre elementeve, linjave, mesazheve, që nuk janë tipike për pjesën më të madhe – dhe, të themi, klasike – të letërsisë dhe kulturës italiane, pikërisht rreth këtij tipari të përgjithshëm të veprës së Umberto Ekos u përmblodhën vlerësimet që u bënë këto ditë me rastin e ndarjes së tij nga jeta.

Në veprat e Umberto Ekos vihet re edhe një tipar, të cilin vetë ai e ka përmbledhur diku me fjalët: “Unë nuk e kam më lirinë e të pasurit një pikëpamje.” Prirja për të mos bërë vlerësime, për të mos shfaqur pikëpamje, për të mos mbajtur anë lidhur me një çështje të caktuar, objektivizmi përbën një tjetër tipar dallues të kulturës evropianoperëndimore. Këtu nuk është aq fjala për lirinë e të pasurit një pikëpamje, sa për lirinë e të shprehurit të asaj pikëpamjeje, veçanërisht kur një pikëpamje e caktuar mund të tingëllojë si paradoksale, domethënë kur ajo vjen ndesh me atë që përgjithësisht njihet si opinion publik ose – që është në thelb e njëjta gjë – kur vjen ndesh me të ashtuquajturin gjykim i shëndoshë.

Ka edhe diçka tjetër që ia vlen të theksohet lidhur me veçantinë e veprës së Umberto Ekos: Veprimi në krijimet e tij, ndryshe nga ç’ndodh me pjesën më të madhe të letërsisë italiane, nuk qëndron brenda kufijve të Italisë. Kjo dalje e veprimit përtej kufijve shtetërorë në veprat e U. Ekos na paraqitet si dukuri e brendshme e tyre, si diçka e natyrshme, e vetëkuptueshme. Shkurt, mjedisi dhe veprimi në veprat e tij fare pak tingëllon si italian, fare pak ka ngjyresë dhe shije italiane, fare pak ka identitet italian.

Dhe, së fundi, vepra letrare, por edhe ajo studimore e U. Ekos, në harmoni dhe vijimësi me sa më lart, karakterizohet nga një procedim gjuhësor dhe nocional, që praktikisht ka karakter mbikombëtar. Italishtja e shkrimtarit dhe studiuesit U. Eko përbën një sprovë të vështirë jo vetëm për njohuritë gjuhësore e kulturore rreth italishtes të lexuesit të huaj, por edhe për vetë lexuesin mesatar italian. Në veprat e tij janë vënë në provë vetë normat e gjuhës italiane.

Në mënyrë të përmbledhur mund të pohohet se nga ana kulturore, letrare dhe studimore Umberto Ekoja i përket më tepër hapësirës evropianoperëndimore sesa asaj italiane. Ai shtron probleme që nuk prekin e shqetësojnë para së gjithash dhe kryesisht italianin, por në tërësi qytetarin evropianoperëndimor. Shqetësimet e Umberto Ekos janë shqetësime jo thjesht ekzistenciale, por kulturore, qytetërimore, janë shqetësime të mbartura nga shekujt dhe jo thjesht çështje të jetesës e të përditshmërisë, janë shqetësime, të cilave ai nuk rreket t’u gjejë një shpjegim e – aq më pak – t’u parashohë ecurinë në të ardhmen, por synon t’i shtrojë në trajtë pikëpyetjesh para gjithë shoqërisë së vendeve të Evropës Perëndimore.

Dhe nga sa del prej veprave të tij, tabloja e shoqërisë evropianoperëndimore është e zymtë, pothuaj pa dritë në horizont.

** *

Lexuesi shqiptar – këtu nuk kam parasysh lexues të veçantë për nga formimi dhe cilësi të tjera – e ka natyrisht të vështirë ta rrokë tërësinë e mesazheve kryesore, që janë vendosur në tërë shtrirjen e veprave të Ekos, sikurse edhe të pjesës kryesore të prodhimit kulturor evropianoperëndimor. Bota jonë kulturore, e lidhur detyrimisht me mënyrën e të jetuarit, të vepruarit dhe të menduarit jo vetëm të individëve të veçantë, por sidomos të gjithë shoqërisë, është mbushur me tjetër problematikë thelbësore, është pajisur me të tjera sisteme nocionesh dhe njohurish, me tjetër aparat logjik, është mbështetur mbi një tjetër ngrehinë morale dhe edukative, vepron me tjetër sistem gjuhësor.

Këto ndryshime të thella, që ndajnë botën e Umberto Ekos nga bota jonë, kthehen në pengesë të madhe për cilindo që do të donte ta lexonte veprën e këtij italiani mendjemprehtë, dyshues e kërkues. Ato ngrihen si pengesë serioze përpara cilitdo, që matet, guxon dhe përpiqet ta përkthejë këtë botë në botën e gjuhës shqipe. Mundësitë e dështimit të këtyre përpjekjeve janë shumë të mëdha. Mundësitë e suksesit të tyre –shumë të vogla. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, që duhet të kuptohet nga të gjithë – botues, përkthyes dhe lexues. Dhe të gjithë duhet të jemi të përgatitur që humbjet – në gjuhë, por jo vetëm – mund të jenë të ndjeshme, ndërsa arritjet – modeste.

Ne përballemi me një kulturë problematike, kulturë të thënash e të pathënash, pohimesh e heshtjesh, ndërkohë që në këtë përballje shumë shpesh na mungon përgatitja e nevojshme, e gjithanshme, e hollësishme dhe sistemore. Për këtë arsye shoqëria te ne do të duhej të merrte masa që ky ballafaqim, kjo përballje, të sillte dëmtime sa më të vogla dhe përfitime sa më të mëdha.

Për fat të keq nuk vihet re që të ndërmerren të tilla masa, të cilat do të lehtësonin përthithjen e kulturës evropianoperëndimore në kulturën tonë duke parandaluar dëmtimet e mundshme të ndërgjegjes dhe psikologjisë sonë shoqërore – qoftë edhe në trajtën e alergjive kulturore – dhe duke forcuar imunitetin tonë kulturor.

Ndaj nuk më mbetet veçse ta mbyll këtë vështrim mbi Umberto Ekon, duke iu drejtuar lexuesit tonë të veprave të tij dhe të veprave të tjera të kulturës evropianoperëndimore: “Kujdes, i dashur bashkatdhetar! Ti po hyn i vetëm e pa ndihmë në një rrjedhë me shumë rryma të nënsipërfaqshme! Hap sytë që të mësosh të notosh në të pa u mbytur!”

*përkthyes

MAPO

SHKARKO APP