Unë ministër?! Vështrim mbi librin më të ri të autorit Thoma Goga

I titulluar “Unë ministër”, libri, përmban 49 fejtone me tematikë nga jeta e përditshme shoqërore dhe realiteti i sotëm shqiptar. Duke i lexuar ato çdokush nga ne fare mirë mund të gjejë aty vetveten. Por nuk mungojnë gjithashtu edhe personazhe realë, që nga ata të njohurit që i ndeshim çdo ditë në media…

Nga Ilirjan Gjika

ilirjan-gjikaI lindur dikur në gazetarinë perëndimore dhe e njohur si rubrikë humori, fejtoni, do të krijonte përgjatë shekullit të kaluar edhe zhanrin e tij në vendin tonë. Madje, ai pati një zhvillim aq të madh sa me të u morën penat më ta njohura jo vetëm të gazetarisë por edhe të letërsisë shqiptare. Po kështu edhe një pjesë të romaneve të njohura humoristike u shkruajtën në formë fejtonesh.

Ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Studiuesit e fushës dhe lexuesit konstatojnë se fejtoni tashmë është shndërruar në një gjini në zhdukje. Shkruhet fare pak në këtë drejtim dhe përveç disa emrave të traditës që vijojnë nuk ka interes për të nga ana e krijuesve të rinj. Rrallë e për mall mund të ndeshësh të tillë fejton në shtypin e përditshëm dhe një gjë e tillë falë pasionit dhe meritës së këtyre autorëve të traditës.

Pikërisht njëri syresh është edhe Thoma Goga, i cili me “kokëfortësi dhe fanatizëm” vijon të shkruajë pothuajse dhe të botojë çdo javë nga një të tillë. Vetëm këtë vit ai ka shkruar rreth 60 fejtone, ku me një pjesë të tyre botoi këto ditë edhe vëllimin e tij më të ri artistik.

I titulluar “Unë ministër”, libri, përmban 49 fejtone me tematikë nga jeta e përditshme shoqërore dhe realiteti i sotëm shqiptar. Duke i lexuar ato çdokush nga ne fare mirë mund të gjejë aty vetveten. Por nuk mungojnë gjithashtu edhe personazhe realë, që nga ata të njohurit që i ndeshim çdo ditë në media, politikë apo jetën publike. Ata na shfaqen nga faqja në faqe jo vetëm me emrat e tyre konkretë por edhe në formë simbolike apo me pseudonime lehtësisht të kuptueshme.

Duke e shfletuar librin mund të vësh re me lehtësi se, autori Thoma Goga, përballet ndershmërisht me auditorin dhe mediumin. Ai me kurajë qytetare dhe intelektuale guxon që të denoncojë dhe kritikojë gjithçka që për syrin e tij ‘’tingëllon’’ e keqe, e shëmtuar, vulgare apo e dhimbshme. Me cilësitë investiguesi prej gazetari ai përpiqet dhe depërton në çdo qelizë të jetës ndërsa me aftësinë si shkrimtar, ‘’ndërton’’ bukur dhe plot art “fabulat” e tij duke skalitur mjeshtërisht edhe personazhet që gjallojnë në to.

Për nga kompozicioni fejtonet janë shkruar në formën e tyre klasike si tregime të shkurtra. Ato kanë të njëjtin stil, atë rrëfyes, ku Goga, në rolin e narratorit nuk lë ndodhi dhe fenomene të përditshme pa pasqyruar. Ngjarjet zhvillohen përgjithësisht sa në kryeqytet sa në periferi, ku trajtohen subjektet dhe lëvizin një mori personazhesh të stilizuar bukur.

Kështu lexuesi kalon me kërshëri nga tregimi në tregim dhe vë re se autori fshihet rëndom pas petkut të dy personazheve të tij të preferuar. Të tillë janë Çeço Çobani dhe Çomja. Madje, figura e Çeços ndeshet gjithandej, saqë autori nëpërmjet tij mund ta shkruante këtë libër fare mirë në formën e një romani humoristik.

Ndërkohë që kryepersonazhin e tij, Çeçon, Thoma Goga e ka paraqitur bukur dhe me sqimë, si një figurë  tipike që duket sikur është nxjerrë prej folklorit tonë popullor. Ai është një njeri i zgjuar, i shkathët, ironik dhe çapkën që na shfaqet nga tregimi në tregim herë si naiv, herë cinik e herë vulgar. Por pavarësisht këtyre ndodhive, Çeçua, nuk është gjë tjetër veçse një fshatar tipik që “ka një stan me zagarë”, ku ruan përveç bagëtive edhe thesarin e tij më të madh, fletoren me shënime “Kujtime nga stani’’.

Nëpërmjet saj, Çeçua, na del shpeshherë të luajë aq mirë në praktikë jo vetëm rolin e kryeplakut, afendikoit, paqtuesit të gjaqeve, reformatorit, komandantit, por edhe në mënyrë imagjinare edhe atë të banditit, trafikantit, madje, edhe atë prokurorit dhe gjykatësit. Pikërisht me këtë personazh gazmor, autori, tregon se është mjeshtër i trajtimit të problemeve dhe situatave, duke u dyzuar në vetvete midis gazetarisë dhe krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Kështu Goga na shfaqet në këtë vëllim, siç e thotë diku në një fejton edhe Çeçua i tij edhe si “bari edhe kalemxhi”. Sidoqoftë, siç shprehet edhe vetë fejtoni është një nga pasionet e tij, i cili  ka një përparësi tjetër sepse është një gjini që të jep dorë për të “shpuar” problemet. Jo pa qëllim edhe vëllimi me fejtone  “Unë Ministër’’, nis me tregimin “Kujtime nga stani” dhe mbyllet po me tregimin tjetër, “Reforma në stan”. Pra, “stani’’ në mënyrë alegorike nuk është gjë tjetër veçse “laboratori” krijues i autorit, ku mbledh materialet dhe i përpunon ato në repertorin e ditarit të tij.

Përveçse ciklit të Çeços, në këtë libër, Goga, nis ti intrigojë lexuesit me tituj të tillë si: “Ruani farën”, “Mos e rruaj”, “Si hyra në bandë”, “Rrota dhe ustai” etj., fejtone, të cilët e bëjnë librin më të bukur, më tërheqës dhe më interesant. Ndërkohë, autori, duket se nuk shkruan vetëm për të tjerët, por edhe për veten. Pikërisht në tregimin “Unë Ministër”, të cilin ai e ka zgjedhur edhe si titull të këtij botimi, kemi qasje autobiografike. Këtu në mënyrën më të sinqertë, Thoma Goga”, e përshkruan kështu një nga ëndrrat e tij më të bukura kur teksa po bëhej gati që të merrte portofolin e ministrit e zgjoi gruaja:

Bile këtu u këput fare “filmi”. Dikush më tronditi. Tërmet dhe u hodha përpjetë.

… Ishte gruaja që më zgjoi. Kisha qenë në ëndërr. Kurse fraza që vijon, ju betohem, nuk është ëndërr, por realitet.

-Merr këtë 200 lekshen e bli një bukë e një kos, -urdhëroi ajo.- Mos humb kusurin, se teprojnë 10 lekë…

E po, keni parë kështu?! Dhe një herë që desh u bëra ministër, s’më la gruaja…

Duhet thënë se në tërësinë e tij libri është i thjeshtë, argëtues, me situata të bukura dhe komike. Autori përdor një gjuhë të thjeshtë por të figurshme, ku nuk mungojnë shprehjet e pasura popullore.  Nuk mungon edhe humori fin dhe i hollë, ironia therëse dhe sarkazmat. “Çeçua nuk e lë stanin vetëm pa zagarët”, thuhet në një nga batutat e shumta të tij, duke e librin më tërheqës për tryezën e leximit.

Po kështu një vlerë e shtuar e librit janë kopertina dhe karikaturat, të cilat janë krijuar mjeshtërisht nga Kosta Raka dhe që shoqërojnë pothuajse çdo shkrim.

Një tjetër konstatim është ai se në këtë vëllim tijin, Thoma Goga, e respekton me rigorozitet traditën e krijuar nga mjeshtrat e gjinisë sonë së fejtonit, të krijuar dikur me aq art dhe mund, në “shkollën” e njohur të revistës “Hosteni”. Në këto tregime gjen një material të pasur, të qëmtuar me kujdes, të shkruar bukur dhe të ndërthurur me fantazi, i cili fare mirë mund të shërbejë njëkohësisht edhe për programin e një premiere estrade. Ky konstatim është një fakt i mirëfilltë sepse nga të tilla shkrime lindën në të kaluarën pjesë të pavdekshme të humorit tonë, të përdorura në teatër dhe kinematografi. Por, “Unë ministër” edhe për nga formati mbetet edhe një libër shumë i mirë që mund të rekomandohet jo vetëm për pushime por edhe për udhëtim.

Gjithsesi, në doni të mësoni rreth aventurave të Çeços ndiqni këshillën e autorit: “Rrëmoni dhe lexoni librin…’’/Koha Jonë

SHKARKO APP