Unë… nënshtetas i devotshëm i Portës së Lartë
Nga Leonard Veizi
I lindur biond e me sy bojëqielli, isha mburrur lart e poshtë se prejardhjen hipotetike, në mos nga fiset vikinge, Norvegjia a Danimarka, të paktën do ta kisha nga Evropa Qendrore, o gjermane, o hungareze, ose ndoshta… austro-hungareze. Mirëpo një ditë kur s’po më dilnin llogaritë vendosa të pyes tim atë, të ndjerë tashmë, se nga cila pjesë e botës e kishim prejardhjen.
– Shqiptarë denbabaden, – më siguroi ai me mburrje. – Të paktën katër brezat e fundit, – përveç teje që ke lindur në Tiranë, – jemi nga Kolonja.
U qetësova do pyesni ju? Hiç fare. Pikëpyetjet vazhdonin.
– Mirë se emrin, si njerëz të shkolluar ma keni latinizuar, LEONARD, po mbiemri VEIZI duket që është oriental. Mos ndoshta ka kaluar ndonjë azap nga kopshti i stërgjyshes e na ka lënë mbiemrin si hajmali? – i them babait në konfidencë.
– Tobe estakfrullah, – shqeu sytë ai, i çliruar nga dogma, sepse pas vitit 1990 si ushtarak i depolitizuar, ishte detyruar të mbyllte dhe teserën e Partisë së Punës në kasafortë. – Jazëk për këto që thua.
Por edhe nga kërkimet e mëpasme, në të dy krahët, si nga njerëzit e nënës dhe ata të babait, nuk më rezultonte të kishim ndonjë shartim si shqiptarë që ishim me vlleh fjala vjen, grekë a bullgarë.
– Epo shansi im, – mendova atëherë. – Jam shqiptar 24 karat e s’e luan topi. Leonard Veizi. Një këmbë nga Perëndimi e një nga Lindja e Mesme.
Këtij i them rehat unë. Bashkëjetesë paqësore.
Mirëpo ka ca kohë që rehatllëku më është prishur sërish, që kur Turqia i la parimet republikane të Mustafait dhe u fut në epokën alla xhonturke Erdoganiste, ku qëllim i largët duket se ka në axhendë rivendosjen e kufijve atje ku i la Sulejmani i Madhërishëm.
Bela e madhe, – thashë me vete. – Si nuk më gënjeu ca babai e të më thoshte se një damar e kishim nga Azia e Vogël, nga Edreneja fjala vjen. Se mbase do ndihesha disi më shumë osman e ca më pak skandinav, tani që kufiri mund të na shkojë buzë Adriatikut, dhe Orikumin mund ta pagëzojmë sërish si Pasha-Liman.
Dhe në këtë dilemë e sipër më erdhi në mendje një sekuencë nga gjyqi teatror i Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit, ku dramaturgu i njohur Ekrem Kryeziu do të perifrazonte në dramën e shkruar prej tij:
– Emri? – pyeste gjykatësi ushtarak turk.
– Abdyl Frashëri.
– Nënshtetësia?
Dhe aktori Kadri Roshi nën petkun e burrit të madh të Lidhjes së Prizrenit do të shqiptonte me një ironi të hollë e të fshehur:
– Nënshtetas i Perandorisë Osmane.
Kanë kaluar 140 vjet nga ajo kohë. Prej 107 vjetësh kemi fituar dhe pavarësinë e plotë nga Porta e Lartë që na mbajti nën hyqëm 500 vjet me radhë. Sot në 2019, unë si dramaturg pa përvojë do të perifrazoja sërish.
– Emri?
– Leonard Vezi.
– Nënshtetësia?
– Ç’i do llafet, ja e tregon dhe llagapi: nënshtetas i Perandorisë Osmane.
***
E bëra këtë hyrje të gjatë që t’i vij në thelb muhabetit.
E gjitha kjo më shkoi ndër mend teksa në përpjekje për të hequr ca kile të tepërta prej menusë orientalo-turke të dendur me yndyrë e sherbet, i isha futur ushtrimeve gjimnastikore, andej nga kodrat e Liqenit Artificial. Pikërisht aty u ndesha me memorialin, që portalet e bënë më të famshëm nga sa ish. Se unë i kisha kaluar m’u te hunda pllakës së zezë me shkronja të verdha, por as që ia kisha hedhur sytë, derisa u dha alarmi. Si gazetar, që me sa duket po më humbet nuhatja, iu afrova pllakës dhe lexova: Memorial për “Dëshmorët e Demokracisë së 15 Korrikut”. Domethënë tentativa për grusht shteti në Turqi…
E shkrepa dhe një foto për kujtim.
– E, ta lumsha o Taip.
Se ne si shqiptarë nuk kemi arritur të lartësojmë dëshmorët tanë të demokracisë… po kur vjen puna për ta nderuar mikun bëhemi copash.
Ja kështu i nderuam dhe ushtarët gjermanë që në 14 muaj pushtim, na e kishin lëruar, aq sa nga patrullat e tyre me simbolet e “SS” në gjoks, u shkonin shtatë jo vetëm zanatçinjve të pazarit, por dhe atyre që kishin marrë nga një pushkë e kishin dalë malit. E prapë zemërgjerë ne shqiptarët, ua shkruam emrat mbi pllaka granili të gjithë nazistëve që u vranë në përpjekje me brigadat partizane.
“Tirana ka zemër të madhe” – tha këto ditë “Njëri”, i cili me kaq fjalë kërkoi t’i jepte të shpëlarën njërës prej gafave të tij.
Dhe mirë e ka!
Përderisa Tirana priti dibranët që zbritën si ua donte qejfi, pastaj priti lebërit e skraparlinjtë, ca më vonë tropojanët e kuksianët, dhe vazhdon të presë fierakë e beratas, pse të mos zënë vend në këtë tokë dhe memorialet për gjithfarë dëshmorësh me bëma në vendet e tyre. U hap që u hap thesi.
Ore Taipit ia lumsha vërtet, se ai arrin ta bëjë politikën e tij. Sidomos kur gjen gomarë të ngordhur. Po ne, ne shqiptarët ç’hyjmë në këtë mes, ku lejojmë që në vazhdimësi të trajtohemi si provincë ekstreme e Perandorisë, atje ku rekrutohen jeniçerët dhe hidhen mbeturinat.
Dhe në gjithë këtë performancë të çmuar, një ndihmë sublime japin dhe shtetarët tanë të nderuar e të korruptuar bashkë.
S’do mend, ata janë të parët në kësi raste. Që kur u zbulua fenomeni “Esad Pasha”, të gjithë mundohen që ndonjë cep “pa shumë vlerë” të Shqipërisë ta shkëmbejnë me ndonjë gjë pak më të vlefshme.
Në Shqipërinë e sotme, moderne e me minifund, kanë gjetur terren e gëlojnë orientalizmat ekstreme. Ekranet janë të mbushur me filma nga epopetë e mëdha të osmanëve, ku dhe Ertugruli, një turk gjysmë mongoli, trajtohet nga një aktor biond që më shumë ngjan me Akilin e luajtur nga Brad Pitt se sa me Iliazin e Shamikuqes. Dhe ja kështu, Taipi me mustaqe, të cilin për shkak të një copë toke përtej Bosforit, që e ka në zotërim falë luftës heroike të Mustafa Qemal Ataturkut, kërkon t’i thotë Evropës duke i luajtur syrin: Jemi tanët.
Dhe Taipi nuk është hera e parë që bën të tilla marifete, me ne dhe të tjerët.
Por unë nuk po vë në kandar se ç’duhet të bëjë Turqia në marrëdhënie me Europën, SHBA-në e Rusinë, ta blejë apo jo sistemin raketor të mbrojtjes, por kur flitet për një detyrim të pakuptimtë, vendosje memorialësh në tokën shqiptare për ushtarët që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe çështjet e saj, nuk mund të rri heshtur e të mos e them një fjalë.
Se një herë e një kohë për ne shqiptarët thuhej si shprehje: Ha bukën e turkut e bën duvanë e kaurit. Ndërsa sot, në kushtet e një politike të re paneuropiane na është përmbysur plani, ndaj e meritojmë të na thonë që: Kërkojmë të hamë bukën e kaurit dhe po bëjmë rixhanë e turkut.
Dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me memorialin e fundit, ku janë shkruar emrat e ushtarëve të rënë jo vetëm në mbrojtje të rendit kushtetues, por dhe të pushtetit personal të të parit të Turqisë, atij që jo rrallë e quajnë “sulltani i ri”.
Ç’është e vërteta, jam ca i ndjeshëm në histori ndaj pushtimit osman, të cilin ca e ca na e cilësojnë si administrim, duke e ulur pazarin për ta barazuar shpatën e jeniçerëve me punën e administratorëve të pallateve, të cilëve u kërkohet llogari se pse nuk është lyer shkalla me gëlqere të bardhë. Në fakt falë këtij pushtimi të gjatë, popullsia arbërore e këtyre viseve ndryshoi në mënyrë të skajshme mënyrën e jetesës dhe vetë mentalitetin. Dhe kjo ishte dërmuese për një popullsi në qendër të Evropës me zakone e terbiete të ndryshme nga ajo që u detyruan të bënin më pas.
Por iku kjo punë, faturën ne e mbajmë akoma mbi shpinë, dhe nga mentaliteti orientalo-osman nuk jemi çliruar dot as në këta 107 vite Pavarësi. Sot ne ende vuajmë pasojat. Ndaj do të doja të ishim sa më larg mentalitetit perandorak të Portës së Lartë.
Megjithatë ajo që është futur në 500 vite do gjithashtu 500 vite të tjera të dalë. Pra kemi kohë boll.
Epo duket se 500 vjet “vëllazërim” vërtet nuk i bëkemi dot hasha.