Universitete dinamike apo shtëpi pushimi akademike
Një e ardhme e zymtë është para universiteteve shqiptare. Numrat tregojnë një rënie të vazhdueshme të interesit nga ana e studentëve. Natyrisht numrat janë tregues të rëndësishëm, por nuk është vetëm kjo. Eksperienca dhe përgatitja e drejtuesve nuk e bën të mundur një zhvillim dinamik të universiteteve tona. Edhe cinizmi i Edi Ramës për të lënë universitetet në fatin e tyre nuk është një akt prej qeverie të përgjegjshme. Kjo apati e kryeqeveritarit ushqen në mënyrë të pashmangshme orekset e atyre që e akuzojnë se u shkon pas qejfit universiteteve private.
Ajo që po ndodh me universitetet është e thjeshtë dhe e parathënë nga shumë dashamirës të arsimit, por edhe nga njerëz me përvojë të gjatë në arsim, sidomos jashtë Shqipërisë. Programet po tkurren ose po mbyllen dhe numri i studentëve po bie. Universitetet do mbyllen gradualisht dhe profesorati do ngelet pa punë. Natyrisht ka shumë që e meritojnë të mos jenë edukatorë të brezit të ri, por kjo është temë tjetër e trajtuar vazhdimisht në shtypin e përditshëm. Universitete si i Vlorës, Gjirokastrës apo Korçës do jenë viktimat e para. Për studentë që duan të arsimohen denjësisht dhe për familjet e tyre, ky do jetë lajm i mirë. Nga ana tjetër, duhet të jetë e qartë për të gjithë se dështimet janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtuesve, që janë zgjedhur me votën e atyre pedagogëve, të cilët herët a vonë do ngelen pa punë.
Hapja e programeve të reja para një dekade në Universitetin e Vlorës ishte një arritje e madhe për kohën. U desh një punë e madhe dhe një betejë me qeverinë e asaj kohe, por edhe me oligarkët e arsimit të lartë në Shqipëri. Sot Vlora u kthye dhjetë vjet pas. Përgjegjësia është e një grupi drejtues të paaftë dhe pa strategji. Pedagogët, studentët dhe komuniteti i Vlorës duhet të kërkojnë llogari ndaj drejtuesve për rrënimin e universitetit. Universiteti nuk është i rektorit apo dekanëve, por i gjithë Vlorës, dhe me këto ritme shumë shpejt çdo shenjë universiteti do humbasë.
Mbyllja e programeve, mungesa e studentëve dhe gjithë telashet e tjera nuk janë rezultat i ndonjë vendosje astrologjike të pafavorshme. Jo! Janë të korrat e mbjella nga njerëz pa identitet akademik dhe moral, pa aktivitet shkencor dhe pa eksperiencën e duhur për të drejtuar një universitet dinamik, që u përshtatet kërkesave të kohës. Është vetëm një paaftësi kronike dhe nuk do ndryshojë nëse vetë zgjedhësit nuk ndërgjegjësohen. Edi Rama e di këtë dhe i lë në fatin që kanë zgjedhur me duart e tyre. Nuk është vështirë për asnjë, aq më pak për një kryeministër të apasionuar pas teknologjisë, të kërkojë sot Google Scholar ose faqe të tjera ku pasqyrohet aktiviteti i secilit. Nuk mund ta besoj se sot ai nuk e di çfarë janë të aftë këta njerëz të bëjnë, në kuptimin negativ. Pyetja është e natyrshme dhe publike: a është ai i interesuar të parandalojë këtë dramë?
Sot shumë kompani, biznese dhe skuadra sportive punësojnë dhe paguajnë drejtues ose punëtorë sipas rezultateve. Nuk ka më kuptim që drejtuesit e universiteteve tona të kenë mandate të gdhendura në gur. Zgjedhje të tilla, ku drejtuesit zgjidhen duke qenë në detyrë dhe duke shkëmbyer ndere me pedagogë e drejtues të tjerë, e kanë humbur vlerën e tyre. Është momenti që karriget dhe nderet të jenë të lidhura me rezultatet e arritura. Universitetet duhet të përmirësojnë vazhdimisht renditjen në nivel rajonal dhe botëror, të kenë aktivitet shkencor të dokumentuar, të diplomojnë studentë të përgatitur mirë për tregun e punës. Çdo deklaratë dhe veprim politik, që nuk shkon në këtë drejtim, është humbje kohe dhe krim ndaj të ardhmes së universiteteve tona.
Prof. Jorgo Mandili
Dr. Eustrat Zhupa
KOHA JONË SONDAZH

