Ushqimet që nuk duhet të hani para se të flini

Gjumi i natës konsiderohet si i “shenjtë” si nga shkenca dhe pa dyshim nga shumica e njerëzve. Nevoja fiziologjike për këtë proçes është ndër më të rëndësishmet që trupi kërkon. Prandaj një natë pa gjumë është një sforcim i vërtetë për të gjithë organizmin. Pagjumësia mund të shkaktohet nga një sërë arsyesh që mund të vijnë nga jashtë ose nga brenda turpit.

Një ndër arsyet e jashtme është edhe konsumimi i ushqimeve jo të duhura para se të shtriheni për të fjetur. Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon një listë me ushqimet e përditshme që duhet t’i largoni nga darka juaj pasi ju lënë pa gjumë. Ndiqni më poshtë hap pas hapi të shpjeguara si ndikojnë ato në organizëm.

Ushqimet e skuqura
Ushqimet e shpejta apo të skuqurat duken si zgjedhja perfekte për një vakt të shpejtë në darkë. Megjithëse mund të kënaqin nepsin dhe urinë, të skuqurat do të shkatërrojnë pushimin e qetë gjatë natës. Kjo ndodh për shkak se ushqimet me shumë yndyrna të këqija treten dhe veprojnë më ngadalë në organizëm. Në këtë mënyrë kryesisht sistemi tretës, do të punojë edhe gjatë natës për një kohë të gjatë duke ju lënë pa gjumë.

Ushqimet pikante
Ka dy arsye kryesore pse duhet t’i evitoni salcat apo çdo ushqim pikant para gjumit. E para sepse ndjesia e djegies mund të irritojë stomakun dhe t’ju krijojë probleme me qetësimin e trupit para gjumit. Së dyti, duke qënë se ndjesia e djegies ngacmon stomakun trupi aktivizon sistemin mbrojtës duke ju larguar gjumin e qetë të natës.

Kafe
Që kafja zgjon organizmin dhe ju lë pa gjumë është një fakt i njohur tashmë. Kjo ndodh për shkak të sasisë së madhe të kafeinës që përmban një filxhan i vogël kafe. Kafeina do të përshpejtojë proçeset në trupin tuaj duke e kaluar atë në një gjendje adrenaline që privon çlodhjen. Mundohuni të mos e konsumoni deri në 5 orë para se të shkoni për të fjetur në mënyrë që të pushoni të qetë.

Çokollata
Jo vetëm kafja është burim kafeina, ndër ushqimet më të pasura me të është edhe çokollata. Vetëm 28 gramë cokollatë, rreth tre copa të vogla përmbajnë 23 miligramë kafeinë. Kjo sasi është përafërsisht sa një kafe e shkurtër. Kështu që evitojeni çokollatën nëse doni të flini të qetë në darkë, mund t’a konsumoni deri në 4-5 orë para gjumit. AgroWeb.org ju këshillon të konsumoni ushqime të lehta para gjumit si kosi i freskët ose fruta të ndryshme të stinës por jo në sasi të mëdha./AgroWeb

SHKARKO APP