Vajza e Dritëroit i kthen përgjigje Marie Poradecit: Ja çfarë ka bërë babai për Lasgush Poradecin

Ditën e djeshme vajza e poetit të madh Lasgush Poradeci, akuzoi Dritëro Agollin se ishte pikërisht ai, që pas vdekjes së babait të saj, nuk ka pranuar që trupi të vendosej në Shtëpinë e Kulturës.

“Ishte qershor i vitit 1982. Babai im, që ishte me motrën në Pogradec, pësoi një ishemi cerebrale shumë të fortë. Atëherë ai ishte 83 vjeç. Unë dhe mamaja ishim në Tiranë. Mamaja kishte mbi 10 vjet që vuante nga një artrit i fortë deformant dhe lëvizte me shumë vështirësi.

Motra e shkretë midis lotëve na lajmëroi, duke na e bërë gjendjen e tij shumë serioze. Mes njëmijë vështirësive vendosëm të shkonim në Pogradec. Duhej të ishim atje sa më shpejt, sepse ndoshta ishte hera e fundit që e shikonim. Me mundim të madh gjetëm një taksi dhe me gjithë gjendjen e rënduar të mamasë u nisëm në orën shtatë të darkës. Gjithë rrugës qanim të dyja në heshtje. Qanim dhe mendonim. Eh sa shumë gjëra! Arritëm në Pogradec rreth mesnatës. Gjendja e babait shumë e rënduar. Shumë pogradecarë të shqetësuar vinin poshtë te dera dhe pyesnin për gjendjen e tij.

Në këto ditë, kur im atë luftonte me vdekjen, vjen në Pogradec me makinën e tij, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Dritero Agolli. Sigurisht, shkrimtari komunist, nuk erdhi në shtëpinë tonë, qoftë edhe për të bërë një vizitë kortezie tek i sëmuri, sipas zakonit shqiptar. Dikush guxoi dhe i tha: në qoftëse Lasgushi vdes a duhet ta vendosim trupin e tij në Shtëpinë e Kulturës, për t’i bërë homazhe dhe t’i japë lamtumirën e fundit i gjithë qyteti i tij, ai u përgjigj prerë: Jo, jo ai do varroset si njeri i zakonshëm”, shkroi vajza e Poradecit.

Ndërsa në përgjigje të saj Elona Agolli, vajza e Dritëroit replikoi vetëm me një poezi të të atit kushtuar Lasgush Poradecit.

Në vend të një replike me Marie Poradecin

LASGUSHIANE

Nga Dritëro Agolli

Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,

Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh.

Kur me helm po pija kupën, siç e piu Sokrati plak,

Ti më the ta pinim bashkë, veç të prisnim edhe pak.

Ti the pak, po prita shumë, – mëndje turbullt gjithë ujem,-

Dhe pastaj e fsheha kupën të shpëtoja nga ky helm.

S’e besoj të vish ta pijmë, as të dukesh më në prag,

Helmi i hershëm nuk na duhet: ti je plakë e unë plak …

Në çdo plak e në çdo plakë helmi fshehur rri në trup,

S’ka pse helm të marrim vetë dhe të bëhemi për turp.

Helmi herët duhej marrë, pa u ndarë as unë as ti,

Se tani ka pleqëria helm me poçe dhe kusi.

Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,

Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh …

SHKARKO APP