Vajza e Steve Jobs rrëfen marrëdhënien zemërthyese me të atin

Lisa Brennan-Jobs, vajza e themeluesit të Apple, Steve Jobs, publikoi një fragment nga libri i saj me kujtime “Small Fry” i cili përmban histori zemërthyese nga marrëdhënia e saj me të atin.

Kjo është hera e parë që Lisa flet me detaje për babain e saj, i cili dikur refuzoi atësinë dhe refuzoi të paguante mbështetje financiare për të. Jobs vdiq në 2011, në moshën 56-vjeçare prej kancerit në pankreas.

Fragmenti i publikuar në numrin e shatorit të Vanity Fair nis me një përshkrim të ditëve të fundit të Jobs nga këndvështrimi i një murgu budist. Jobs u konvertua si budist kur ishte shumë i ri.

Lisa përshkruan fundjavat kur vizitonte të atin e sëmurë dhe përpiqej të gjente vendin e saj mes njerkës dhe tre gjysmë motrave e vëllezërve.

“Kisha hequr dorë nga ideja e një ribashkimi madhor, si nëpër filma, por vazhdoja ta takoja gjithsesi,” shkruan ajo.

Fragmenti gjithashtu flet për prezencën e Jobs në lindjen e të bijës në 1978 dhe mohimin e atësisë deri kur një avokat e detyroi të bënte një test atësie dhe të paguante mbështetje financiare.

Lisa thekson se avokatët e Jobs i nxituan procedurat për të vendosur vlerën e mbështetjes financiare. Të gjitha u finalizuan më 8 dhjetor 1980. Katër ditë më vonë, Apple u bë kompani publike dhe Steve Jobs, një njeri shumë i pasur.

Ajo tregon se i ati i ndërronte makinat Porsche sa herë i gërvishteshin pak. Një herë, Lisa i kërkoi një prej atyre që po hiqte qafe.

“S’të lë asgjë,” mësohet t’i jetë përgjigjur ai. “Kupton? Asgjë. S’do marrësh asgjë.”

Lisa shton se Jobs s’u tregua kurrë  bujar, qoftë me para, ushqime apo fjalë. Ajo s’pati kurrë një marrëdhënie normale me të atin dhe thjesht donte të ishte pranë tij.

“Për të, isha thjesht një njollë në një sukses spektakular. Historia ime nuk i përputhej me atë që kishte në mendje,” shkruan ajo. “Ekzistenca ime i prishte punë. Për mua ishte e kundërta. Sa më pranë tij të isha, aq më pak e turpëruar ndihesha. Ai ishte pjesë e botës dhe do të më nxirrte në dritë.”

Lisa përdor kompjuterin Apple Lisa, pararendësin difektoz të Macintoshit, si një metaforë se ajo i përkiste të atit.

“Ia vure emrin si unë,’ pyeti të atin ajo dikur. “Jo. Më fal,” i tha ai.

Sidoqoftë, me vonë, Jobs e ftoi në një festë me gjithë familjen dhe së bashku vizituan Bono, liderin e U2.

Bono i bëri të njëjtën pyetje Jobs, a ia vuri emrin kompjuterit pas të bijës. Kësaj here, ai u përgjigj me “po”.

SHKARKO APP