Vangjel Toçi, arkeologu që zbuloi “Bukuroshen e Durrësit”

 

Nga Nikolla Sudar*

Të shkruash kujtime nga jeta dhe veprimtaria e gjatë e plot suksese e njeriut, sa të madh në shkencë, aq edhe modest në jetë, e arkeologut të famshëm, e artistit të gjithanshëm me plot kuptimin e fjalës, që jetën, forcat mendore e fizike ia kushtoi qytetit të lindjes, Durrësit, siç është i paharruari Vangjel Toçi, është jo vetëm obligim moral, por, mbi të gjitha, nder i veçantë. Jo rrallë për njerëzit që ndahen nga jeta dëgjojmë edhe shprehje të tilla: “Me që s’jeton më, është bërë zakon të thuhen ca fjalë të mira…!” Jo, me bindje të padiskutueshme mund të theksohet se kjo në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me Vangjel Toçin: sido që të vlerësohet ai, sadoqë të shkruash apo të organizosh veprimtari për të, ajo që ka bërë ai për Durrësin, qytetin e tij të lindjes, që e deshi deri në fund me afsh rinor, është e pamundur të përshkruhet.

Prej shumë vitesh kisha dëgjuar për kontributin e gjithanshëm të “durrsakut të madh”, Vangjel Toçi, në sferën e kulturës, për përpjekjet e palodhura të tij në grumbullimin e botimeve të ndryshme nga banorët e qytetit, që u kurorëzua me ngritjen prej tij në vitin 1946 të së parës bibliotekë në Durrës. Gjithashtu kisha dëgjuar për pasionin e tij të jashtëzakonshëm për arkeologjinë, për evidentimin e lashtësisë së qytetit të tij bregdetar, së cilës ai i kushtoi gjithçka e që u bë domethënie e jetës së tij. Nuk ka zbulim me vlerë arkeologjike në qytet apo në rrethin e Durrësit, që të mos ketë vulën e përpjekjeve të palodhura e shumëvjeçare të këtij shkencëtari me përmasa, jo vetëm evropiane, po edhe përtej. Zbulimi i amfiteatrit, i këtij kolosi të së kaluarës së ndritur dhe i “Bukuroshes së Durrësit”, kësaj mrekullie të artit të lashtësisë, do të mjaftonin për ta bërë të famshëm. Por ai nuk punonte për lavdi, modestia e Vangjel Toçit ishte e pazakontë. Puna kolosale për ngritjen, pasurimin dhe funksionimin e Muzeut Arkeologjik të rrethit si dhe zbulimi e evidentimi i dhjetëra e dhjetëra objekteve me vlerë, e lartësuan shumë Durrësin. Ato, që e bënë qytetin e lashtë, vendlindja e tij, aq të njohur në botë, saqë të konsiderohen krenari e kulturës evropiane e më gjerë, janë kontributi kryesor dhe me nivel të lartë studimor, i bashkëpunëtorit të vjetër shkencor, Vangjel Toçi. Kjo është arsyeja që me plot gojë ai quhet “babai i arkeologjisë durrsake”, e cila, siç dihet, ka peshën kryesore në arkeologjinë kombëtare.

Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Vangjelin kujtojnë preokupimin e tij të madh për çdo zbulim arkeologjik, kujtojnë ndeshjet e tij “dhëmb për dhëmb”, sidomos me kantieret e ndërtimit, për të mos lejuar dëmtimin e objekteve me vlerë të zbuluara rastësisht, gjatë hapjes së themeleve për ndërtime të ndryshme. Për Vangjelin këto zbulime nga nëntoka ishin “ambasadorë të së kaluarës së lavdishme të qytetit të Durrësit”. Me punën e tij të palodhur në fushën e zbulimeve arkeologjike, me aktivitetin e dendur të organizuar nga Muzeu Arkeologjik (të cilin e drejtonte me profesionalizëm të lartë), me botimet e shumta të bëra brenda dhe jashtë vendit, Vangjel Toçi mundi të popullarizojë si askush më parë Durrësin dhe lashtësinë e tij. Kjo është arsyeja që institucione apo personalitete të njohura të shkencës nga shumë vende të botës i drejtoheshin atij me respektin më të madh dhe vazhdimisht i dërgonin ftesa për të referuar në simpoziumet kushtuar arkeologjisë. Por për fat të keq, për dekada me rradhë, “për arsye biografie”, autoritetet qendrore ia mohuan këtë pjesëmarrje legjitime këtij shkencëtari, që aq shumë po e nderonte vendin me veprën e tij të shquar.

Si njeri me kulturë të gjerë dhe largpamës, Vangjel Toçi u bë promotori i ngritjes së muzeve historikë në fshatra dhe qendra pune të rrethit. Që nga Rrogozhina e largët e deri në zonën më të thellë të Ishmit, ku me mjet e ku me këmbë, ai e shkeli shumicën e fshatrave, duke dhënë një kontribut të paçmuar në ngritjen, pasurimin dhe funksionimin e muzeve, që për vite me rradhë luajtën një rol të rëndësishëm në edukimin e gjithanshëm të masave.

 Vangjeli ishte njohës i thellë i disa gjuhëve të huaja, po ashtu edhe dashamirës i rrallë i artit dhe i letërsisë. Pasion i dytë për të u bënë artet figurative. Ai ngriti të parën galeri artesh në Durrës, e cila për dekada me rradhë u pasurua me vepra të arrira nga krijuesit e shumtë të rrethit. Vangjeli u bë përkrahësi kryesor i talenteve të rinj, të cilët me veprat e tyre u përfaqësuan denjësisht në ekspozita lokale dhe kombëtare. S’ka krijues në Durrës që të mos ketë provuar dashamirësinë, vlerësimin objektiv dhe inkurajimin e gjithanshëm të këtij miku të madh të artit. Me përpjekjet e tij këmbëngulëse e pa asnjë interes, në ato kohë të vështira, Vangjeli gjente mundësinë për t’i mbështetur materialisht piktorët e rrethit të Durrësit, të cilët sot e kujtojnë me konsideratën më të lartë .

 Por portretin e Vangjelit e plotësojnë akoma më mirë marrëdhëniet e tij në familje e shoqëri. Ato janë tipike ideale, ashtu siç qe e tërë jeta e këtij humanisti të shquar durrsak. Marrëdhëniet e tij shumë të përzemërta me të vëllanë, Ilia Toçin (gjithashtu arkeolog i mirënjohur), me të shoqen, Roksanën, që aq shumë e deshi dhe respektoi, me fëmijët, të cilëve u kushtoi gjithçka, janë me të vërtetë befasuese. Të tilla, plot mirësjellje, sinqeritet dhe përkushtim ai mbante edhe me kolegët dhe vartësit. Njeri tolerant, shpirtmadh, fjalëmbël, që s’e njihte hipokrizinë e mashtrimin – ky ishte njeriu i mirë Vangjel Toçi.

Bashkëpunimi i afërt gati 20-vjeçar me këtë njeri të mrekullueshëm më bindi fort se është fat i rrallë të kesh drejtues të tillë me kulturë të gjërë, të palodhur e mbi të gjitha, njeri me plot kuptimin e fjalës, me zemër të madhe dhe pastërtinë shpirtërore të një fëmije. Ishte fillimi i vitit 1978, kur u njoha me drejtorin e Muzeut Arkeologjik të rrethit, Vangjel Toçin. Ai kishte ardhur në Shijak me te vetmin shqetësim: ngritjen sa më parë të muzeut historik të zonës, që asokohe mungonte. E tepërt është të flasësh për angazhimin e tij në këtë drejtim: bazën materiale të muzeut arkeologjik dhe punonjës të saj i vuri në dispozicion të muzeut të ri historik të Shijakut, i cili u përurua më 3 qershor të vitit 1978. Gjatë gjithë ekzistencës së këtij institucioni kulturor, i cili e bëri të njohur Shijakun në të gjithë vendin, u duk qartë ndihma e pakursyer dhe e gjithanshme e historianit të shquar Vangjel Toçi. As që mund të mendohet organizimi në Shijak i dhjetra sesioneve shkencore, i hapjes së fotoekspozitave, i vendosjes së pllakave përkujtimore apo ngritjes së lapidarëve, i përkujtimit të ngjarjeve apo figurave të shquara të zonës, i botimit të shumë broshurave historike, pa kontributin e njeriut me virtyte të rralla e dashamirëse, siç ishte i paharruari Vangjel Toçi.

Të skalitura do të mbeten në kujtesën e shijakasve përpjekjet e bëra në vitin 1981 për hapjen e repartit të ambalazhimit artistik të pijeve, prodhim i Kantinës së Rrashbullit. Ajo qe iniciativë e bukur dhe shumë shpresëdhënëse e novatorit të shkëlqyer Xhevdet Laze. Vetëm fakti se me këtë rast do të hapeshin disa dhjetra vende pune për qytetarët e Shijakut, na bëri që muzeun për disa muaj me rradhë ta shndërrojmë në një ekspozitë të vërtetë e shumë interesante. Tashmë çdo ditë Vangjelin e gjeje në Shijak, duke vënë në dispozicion të kësaj nisme gjithçka të mundshme. Për fat të keq, mediokriteti i drejtuesve në rreth dhe në qendër bëri që të dështojë kjo nismë e bukur dhe kurajoze, që aq shumë kishte entuziazmuar popullin e Shijakut, duke i shtuar edhe një zhgënjim tjetër, atyre të mëparshëm. Dalja në pension nuk e shkëputi aspak shkencëtarin e papërtuar nga puna e tij e dashur kërkimore. Mijëra faqe të mbushura me analiza, vlerësime dhe konkluzione me vlera të veçanta, trashëgimi e një pune voluminoze shumëvjeçare të Vangjelit, përbëjnë arkivin e tij shkencor. Do të ishte në nderin e Akademisë së Shkencave që të fillohej gradualisht botimi i kësaj pasurie të vyer, e këtij shkencëtari të nderuar, gjë që për absurditetet e kohës nuk u realizua sa qe gjallë ai. Vangjel Toçi u nda nga jeta më 27 janar të vitit 1999, duke lënë prapa figurën e një atdhetari të vërtetë, atë të “durrsakut të madh” dhe të “shkencëtarit shembullor”. Dhënia Vangjel Toçit e titullit të nderuar “Krenaria e Durrësit” nga Bashkia e qytetit dhe vendosja e emrit të tij në krye të listës së njerëzve më të shquar të Durrësit për shekullin e kaluar, nga ana e Shoqatës prestigjioze “Durrësi”, janë tregues kuptimplotë të atij vlerësimi të gjithanshëm që bashkëkohësit i bëjnë bashkëqytetarit të tyre të paharruar, i cili me veprën e tij e ngriti aq lart lavdinë e qytetit të lindjes. Njerëz të mrekullueshëm si Vangjel Toçi, Ali Çetaku, Gjergj Vlashi etj. i bëjnë nder qytetit të lashtë e famëmadh të Durrësit.

 *Historian dhe përkthyes.

 

SHKARKO APP