Vdiq shkrimtari Petraq Zoto

lir Yzeiri

Me 6  shtator u nda nga jeta shkrimtari Petraq Zoto. Ai lindi ne Ziçisht të Korçës më 20 dhjetor 1937. Para tri vjetësh iu shfaq një temperaturë atipike që i shkatërroi elektrolitet dhe sivjet iu përsërit prapë. Pas dy muajsh vuajtjeje dhe nën kujdesin e bashkëshortes së tij të dashur, Tatjanës, ai sot u nda nga jeta duke iu shkaktuar të afërmvë një dhimbje të madhe. Petraq Zoto u bë i njohur që në vitet ’60 me tregimet që botonte në shtypin e kohës. Por romani “Verka” e bëri të famshëm, sepse, për herë të parë në  letërsinë shqiptare trajtohej bota e një adoleshenteje tek e cila ai kishte kapur me mjeshtëri pasionin e papërlyer për jetën që bart kjo moshë. Petraq Zoto botoi mbi 14 libra me tregime, por vëllimi “Gjahu i së dielës” e bëri gjithashtu të njohur, sepse në këtë vëllim ai kishte arrritur të rrëfente me mjeshtëri dhe me shumë sinqeritet botën idilike të fshatit dhe miqtë më të mirë të njeriut, qenin dhe kafshët e tjera, të cilat ai nuk i shihte me pasionin e gjahtarit, por me adhurimin e njeriut me shpirt të madh që e gjen harmoninë e jetës në marrëdhënit me natyrën dhe me gjallesat e saj. Romanet e tij sidomos “Kali fluturues”, “Bishti i dhelprës”, “Burimi i drerit” apo “Genta” rrëfejnë botën e njerëzve të dashururar me natyrën dhe në konflikt me pasionin. Dhjetë nga librat e tij janë vlerësuar me çmime kombëtare.

Petraq Zoto do të kujtohet edhe si drejtuesi më jetëgjatë i teatrit dhe i Estradës së Korçës. Nën drejtimin e tij trupa profesioniste e atij qyteti  arriti një sërë suksesesh. Në vitin 1990 kur dukej se erërat e ndryshimit po frynin në Shqipëri, ai nxiti dhe inkurajoi një koncert recital modern të Lindita Theodhorit, por fatkeqësisht atë koncert e pa një anëtare e Byrosë Politike dhe Petraqi u shkarkua nga ai post. Pas kësaj punoi si mësues në një shkollë të mesme të Korçës, por largimi në atë mënyrë nga teatri e vrau shumë. Ai kishte vite që jetonte në Tiranë dhe për fat të keq nuk pati fëmijë.

Zakonisht, kur njerëzit vdesin, ne të gjallët bëhemi të kujdesshëm që të themi fjalët më të mira për ta. Unë e kam njohur prej më shumë se 32 vjetësh sepse ai është xhaxhai i bashkëshortes sime. Në jetën time kam takuar pak njerëz që të kenë cilësitë e Petraqit. Djalë i një prifti, ai kishte shumë humanizëm kristian në sjellje. Është e pamundur të gjesh një njeri që ka një sjellje dhe një harmoni të tillë me njerëzit që e rrethojnë. Sot është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e mira, por ai njeri kishte një harmoni të përkryer mes asaj që është individuale dhe asaj që është jashtë njeriut. Është e paimagjinueshme se si tek një njeri mund të mblidhet vetëm virtyti dhe të shërbejë si një pasqyrë ku e keqja të shihet për t’u dalluar qartë. I tillë ishte Petraq Zoto, një model virtyti njerëzor dhe një shkrimtar me një talent të spikatur, thelbi i stilit të të cilit ishte rrëfimi i harmonisë që mungon në jetën e mbushur me të keqen.

Të qoftë i lehtë dheu, Petraq!

SHKARKO APP