Vegjëlia e thërriste “Sulë Shqipja”

(Kushtuar rilindësit të shquar, “Mësuesit të Popullit”, Sulejman Zalla)

Nga Nikolla  Sudar*

Në vazhdën e Rilindësve gjithmonë do të kujtohet me respekt të thellë atdhetari i shquar, “Mësuesi i Popullit” Sulejman Zalla, i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi gjuhës dhe shkollës shqipe, ia kushtoi arsimimit të vegjëlisë. Ishmi, Durrësi dhe Shijaku do ta përmendin brez pas brezi Sulejman Zallën, apo “Sulë Shqipen” siç e thirri me dashuri për dekada me radhë vegjëlia, së cilës i kushtoi zemrën, shpirtin, aftësitë mendore e fizike si rrallëkush. Sulejman Zalla u lind më 1892, në qytetin e lashtë të Krujës. Dëshira e madhe për dije, zgjuarsia e rrallë natyrore dhe puna e tij këmbëngulëse bënë që ta mbaronte shkëlqyeshëm shkollën fillore në vendlindje. Solidariteti për këtë adoleshent shumë premtues qe i madh: bashkëqytetarë të tij krutanë kontribuuan materialisht që ai të ndiqte Normalen turke në Shkodër. Ishte koha e premtimeve “lumë” nga xhonturqit si edhe i miratimit të Alfabetit të Manastirit. Djaloshi ra në kontakt me patriotë shkodranë të cilët e brumosën me ndjenja të thella atdhedashurie. Prej tyre me entuziazëm mësoi alfabetin e ri, që fshehurazi filloi t’ua mësojë bashkëmoshatarëve. Kthimi në vendlindje e bëri që veprimtarinë e filluar ta ndiqte me përkushtim. Menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë Sulë Zalla i drejton një lutje Prefekturës së Durrësit, e cila e emëron mësues në zonën e thellë të Ishmit.

I ndodhur në veri të qarkut dhe vetëm 30 kilometra larg nga kryeqendra e tij, Durrësi, komuna e Ishmit më fshatrat e saj përmendet që herët në histori për atdhedashuri, mikpritje dhe bujari. Në skajin verior, në kepin e Rodonit, që laget nga deti Adriatik, ndodhet kalaja e përmendur e Skënderbeut. Terreni i vështirë, kodrinat e thepisura, mjedisi i mbuluar me pyje të dendur e të pakalueshëm, e bënte shpesh të pamundur funksionimin normal të regjimit pushtues osman. Të paharruar do të mbeten heroizmat e trimit të famshëm, Ibrahim Kërtusha, i cili me komitët e tij, për një kohë relativisht të gjatë, paralizoi administratën turke në tërë zonën e Ishmit.

Dhe ja, në këtë krahinë të ashpër e të varfër, por me njerëz atdhetarë e arsimdashës, me entuziazmin e moshës, me çantën me të vetmen abetare që kishte mundur të siguronte dhe me disa fletore e lapsa, arrin në Ishëm djaloshi Sulejman Zalla.  Këtu ai u njoh me atdhetarin e shquar ishmak Sheh Adem Rodën, i cili e mbështeti fuqimisht në nismën e tij shumë të guximshme. Ditën e parë të shkollës, 4 Marsin e vitit 1913, e cila ka hyrë në histori si dita e hapjes së shkollës së parë shqipe, pas Shpalljes së Pavarësisë, në ish qarkun e Durrësit (që në atë kohë përfshinte Durrësin, Kavajën, Tiranën dhe Krujën), na e përshkruan vetë ai me një pezmatim, që nuk e shleu dot nga kujtesa: “… mora materialet që kisha sjellë me vete dhe u drejtova në atë që quhej shkollë, ku jepte mësim feje hoxha i fshatit (një anadollak). “Efendi, – i drejtohet postkomandanti hoxhës, i cili as që denjoi të më vështrojë në fytyrë, – këtë njeri na e ka dërgue prefekti i Durrësit me mësue kalamajt shqip….”. Hoxha mblodhi buzët dhe pa u vonue shpërtheu gjithë inat: “Kemi qenë batall me mësue shqip…”.  Në kushtet e një armiqësie të hapur të postkomandantit, hoxhës dhe të fanatikëve vendas (të cilët i mbështeste edhe Esat Pash Toptani), iu desh të punonte mësuesit patriot, duke pasur vetëm përkrahjen e vegjëlisë dhe të atdhetarit me shumë autoritet, Sheh Adem Rodës. Dhoma e mësimit nuk kishte as banka, as dërrasë të zezë dhe të dyzet fëmijët shkruanin përmbys mbi dysheme. Materialet që kishte siguruar, fletoret, lapsat që i kishte blerë dhe do t’i blinte edhe në të ardhmen me lekët e tij, ua shpërndante falas nxënësve. Por fushata denigruese ndaj mësuesit të ri do të vazhdonte më e fortë dhe me të gjitha mënyrat, me synimin për ta përzënë me çdo kusht. Mbas çdo ceremonie fetare apo falje të zakonshme hoxha mallkonte mësuesin e ri, duke e quajtur: “njeri pa fe”, “kaurr” që po u mësonte fëmijëve “gjuhën e shejtanit”, “njeri pa din e iman”.

Si rezultat i kësaj fushate të egër, nga 40 nxënës tashmë i mbetën 10 dhe vetëm atëherë prefektura vendosi transferimin e hoxhës, por ndërhyrja e Esat Pashës e anuloi vendimin. Në këto kushte fanatikët e tërbuar i organizuan disa prita për ta vrarë, po mësuesin trim e mori në mbrojtje vegjëlia ishmake, e cila i vuri edhe epitetin e bukur e shumë kuptimplotë “Sulë Shqipja”.Ky do të ishte një përgjithësim dhe përjetim mjaft i bukur i punës dhe luftës që bëri ky patriot për të futur mësimin e gjuhës shqipe në kë zone të thellë, ku injoranca dhe varfëria ishin ulur këmbëkryq. Por Esat Pasha nuk ia fali kurrë mospajtimin me hoxhën e fshatit, prandaj më 1914 e arreston, për muaj të tërë e mban në burgun e Durrësit dhe më pas në atë të Krujës. Këtu rebelët e nxjerrin nga izolimi dhe e marrin me vete me forcë. Por mësuesi nuk do të pajtohej asnjëherë me parullat anadollake: “Dum Babën!”, “O babë, o bar!”, apo me urrejtjen që shfaqnin ndaj gjuhës dhe shkollës shqipe, së cilave Sulejman Zalla u kishte kushtuar mendjen dhe zemrën. Pas disa kohësh ai iu dorëzua në besë bajraktarit të Mirditës. Sulë Zalla për vite me radhë u end nëpër Krujë, Prezë, Ishëm, dhe në vitin 1927 vendoset përfundimisht në Shijak, të cilin e deshi njëlloj si vendlindjen e vet, Krujën. “Z. Sula”, siç e thërrisnim të mëdhenj e të vegjël, gjithnjë i papërtuar, stazhin e vet prej 50 vitesh në arsim më tepër e kaloi në fshat.

  Pushtimi i vendit nga fashistët e preku thellë mësuesin patriot. Shpejt shtëpia e tij në qendër të qytetit do të bëhej bazë e sigurt e çetës atdhetare të komanduar nga kryetrimi i Shqipërisë së Mesme, kunati i tij, Qemal Deliallis. Këto ishin arsyet që si në punë, ashtu edhe në shtëpi, z. Sula të vëzhgohej nga agjentët e pushtuesit dhe kohë pas kohë të thirrej dhe kërcënohej nga organet fashiste. Madje me urdhër të Ministrisë së Arsimit merret vendimi që të transferohet në Tuz të Malit të Zi, por që ai nuk e zbatoi. Rënia heroike e kunatit, Qemalit, më 1 qershor të vitit 1942, në përleshje me milicinë nuk e theu dot mësuesin atdhetar. Rrugën e Qemalit do ta ndiqnin e shoqja e Sulës, Hatija (Tiku) e cila u bë aktiviste e flaktë e Grave antifashiste të Shijakut si dhe vajzat e Sulës, të rejat Orania dhe Fatimeja.

 Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, z. Sula. Përsëri do të rifillonte detyrën e tij të dashur në fshat dhe më pas, për arsye moshe, do ta vazhdonte edukimin e brezit të ri me atë përkushtimin e vet shembullor, në qytet. Kontributi i tij në luftën kundër analfabetizmit është jashtë mase i çmuar në ish nënprefekturën e Shijakut (në atë kohë përfshinte 64 katunde). Ai përgatiti me dhjetëra aktivistë, të cilët u shpërndanë në të katër anët e nënprefekturës për t’i mësuar popullit shkrim e këndim. Para dite zhvillonte rregullisht mësimin në shkollën fillore të qyteti, ndërsa mbasdite deri natën vonë drejtonte disa kurse njëherësh me të rinj e të moshuar nga fshati dhe qyteti. Gjithmonë kërkues ndaj vetes, z. Sula ishte nga ata që përgatitjes së vet metodiko-shkencore të përditshme i jepte rëndësi kryesore. Kjo praktikë pune, e shoqëruar me mjete të shumta didaktike, të cilat i përgatiste vetë, pa lënë mënjanë ekzigjencën e tij ndaj nxënësve, e bënë atë që të përmendej si një nga mësuesit më të mirë të rrethit të Durrësit. E kaluara atdhetare dhe rezultatet e tij të shkëlqyera si edukator bën që të merrte pjesë në festimet e 50-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Gjithashtu iu dhanë Urdhra Pune të kl. I dhe të II. Sulën-mësues është e pamundur ta veçosh nga Sula-njeri. Këshillat e tij dashamirëse, vërejtjet miqësore me takt, gatishmëria për të ndihmuar pa u kursyer mësuesit e rinj si dhe humori i rrallë, kujtohen me shumë respekt e dashuri nga kolegët dhe ish nxënësit e tij. Të moshuarit duhet ta mbajnë mend sesi për dekada me radhë e shndërroi shtëpinë në një çerdhe të vërtetë bamirësie. Zell të jashtëzakonshëm tregonte për arsimimin e popullit. Edhe kur vitet ia rënduan shëndetin, ai nuk përtonte të këshillonte prindër në qytet edhe fshat që fëmijët t’i lejonin për të ndjekur arsimin e mesëm edhe të lartë. Bashkë me kolegët e tij të nderuar e të paharruar si: Qazim Domi, Abdyl Keçi, Tasim Këlliçi, Gani Keta, Riza Kurshumi, Hamdi Faja, Asllan Ademi, Tofik Deliallisi, Hamza Vlashi, Mereme Shkodra, Sheje Bajraktari, Hamza Shahini, Mehmet Domi, Bedri, Shefik e Riza Deliallisi, Xheje Arbana, Hasan e Xhyhere Belshaku, Hajro Kore, Naire Kokona, Gjinovefa Stambolla, Makbule Deliallisi e shumë të tjerë do të mbeten shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm. Devotshmëria e zotni Sulës për t’i shërbyer me mish e me shpirt punës së nderuar të edukatorit mbase ka kaluar edhe në legjendë: gjatë 50 viteve të kontributit të tij në arsim ai nuk mungoi asnjë orë mësimi. Në gjithë këtë veprimtari të gjatë, atdhetare e pedagogjike, ai pati mbështetjen e gjithanshme të së shoqes, nënë Hatijes (apo Tikut, siç e mbajnë mend shijakasit), të kësaj gruaje të rrallë kurajoze e mikpritëse.  Fqinjët tregojnë për pasionin e tij të veçantë për bujqësinë. Kopshti i tij, që e rrethonte shtëpinë e bukur dykatëshe në qendër të qytetit, ishte shndërruar në një mikrofermë model, të përmendur në të gjithë trevën e Shijakut. Në të mjeshtri i gjithanshëm Sulë Zalla kultivonte të gjitha llojet e zarzavateve dhe të pemëve. Çdo mëngjes herët ai do të punonte në kopsht dhe pastaj nisej për më shkollë. Edhe të gjithë fëmijët i edukoi me dashurinë për tokën dhe punën fizike.

  1. Sula rriti dhe edukoi me nder 5 vajza dhe 5 djem, të cilët janë krenarë për prindërit e tyre të paharruar, madje disa prej tyre ndoqën profesionin e nderuar të babait. Ndër ta do të përmendim djalin e madh, Kadriun,i cili për më shumë se 25 vjet ka punuar si inxhinier elektrik në sektorë shumë te vështirë të ekonomisë, sic ishte ai i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, periudhë në të cilën herë pas here shfaqeshin të ashtuquajtura “grupe armiqësore”, por që Kadriu i edukuar nga i ati ju përkushtua kryesisht profesionit me pasion e ndershmëri. Si rrallëkush në fushën e financës do të spikaste djali i dytë, Sabriu. Me dhunti të rralla si financier dhe ekonomist ai do të shndërrohej në njërin nga kuadrot më të përgatitura në rrethin e Durrësit. Edhe pse në moshë të shkuar Sabriu dha me sukses provimet, duke u kualifikuar si ekspert kontabël. Për aftësi të rralla drejtuese dhe profesionale u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Institutit të ekspertëve kontabël. Për vite me radhë ai dha leksione në filialet e Universitetit të Tiranës dhe të Institutit të Lartë Bujqësor. Edhe sot, ndonëse tashmë mbi 80 vjeç, ai nuk e ka humbur gjallërinë e dikurshme. Energjik dhe i papërtuar Sabriu vazhdon punën si ekonomist, pa u shkëputur asnjë ditë nga veprimtaritë e shumta shoqërore. Ashtu si Kadriu e Sabriu edhe fëmijët e tjerë të kësaj familjeje të nderuar ruajtën dhe i çuan më tej traditat më të mira të prindërve të tyre të paharruar. Besnikë të këtyre traditave, pasuesit e z. Sulës u angazhuan fuqimisht që në fillim të proceseve demokratike. Me dekretin Nr. 814, të datës 12.04.1994, Presidenti i Republikës i dha edukatorit atdhetar, rilindësit Sulejman Zalla titullin e lartë “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: “Për atdhetarizmin e tij të flaktë në drejtim të gjuhës e të shkollës shqipe; për përkushtimin në kryerjen e detyrës fisnike të mësuesit dhe për rezultate shumë të larta në ciklin e ulët, ku shërbeu për 50 vjet radhazi”.

*Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP