Vepra  e Solzhenicinit, skaner i diktaturës  staliniane dhe demokracisë  totalitare

Nga Shpëtim  Kodra –

Shkrimtar, dramaturg, historian. Vepra e tij gjigante, imponuese –monument artistik e doktrinar i opozitarizmit më të  shkëlqyer të regjimit totalitar e inkuizitor stalinian. Monument i përbashkët i atyre që u torturuan e u vranë. Arkiv  vuajtjesh e krimesh, humanizmi e mizorie. Kurajo e pashembullt, moral i lartë qytetar e fetar i një zëri profetik e misionar i ndërgjegjes së kombit.

I dekoruar me Urdhra e Medalje Trimërie si pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore(oficer artilerie), më 9 shkurt 1945, për shkak të një letre private, drejtuar një shoku e ku kritikohej ashpër qëndrimi i Stalinit gjatë Luftës, u dënua me 8 vjet kamp pune e 3 vjet internim. Solzhenicin provoi tmerret e Gulagut,”grirësit të mishit njerëzor”, ku ishin 17 milion njerëz në vitet 1929-53.

Sistemi ishte i njëjtë në të gjthë Lindjen komuniste, edhe skemat të ngjashme. Intelektualët pushkatoheshin si reaksionarë, tregtarët si borgjezë, fshatarët e pasur si kulakë, komunistët idealistë si tradhtarë. Një model të përsosur të kësaj skeme makabre pashë te Shtëpia e Terrorit në Budapest, ku pasqyroheshin mjetet dhe format e torturave e të propagandës, fotot, emrat, si dhe prononcimet e viktimave e të kriminelë, përmes monitorëve në të gjitha sallat.

Kur tanket sovjetike pushtuan Budapestin në prill 1945, kaluan në perëndim 1 milion hungarezë. Ushtria e Kuqe e Stalinit internoi në gulagët sovjetikë për të huajt 180.000 hungarezë; 700.000 nga gjithë Lindja. U deportua edhe diplomati suedez Raul Valenberg që kish shpëtuar mijëra ebrej nga nazistët. Ndërsa pas 11 vitesh, nga 28 tetori deri më 4 nëntor 1956 tanket sovjetike masakruan 2500 hungarezë dhe plagosën mijëra të tjerë që  kërkuan pavarësinë nga B.Sovjetik.

Edhe Shqipëria është quajtur “një bastion –gërmadhë e stalinizmit të kulluar e të ashpër”, ku idealet e partizanëve u nëpërkëmbën dhe frytet e Luftës qenë: izolimi, varfëria, bunkerizimi, mungesa e të gjitha lirive dhe lufta e përbindshme e klasave, vazhdim i luftës civile në kohë paqeje. Është folur e shkruar për tmerret e kampit të Tepelenës. Ndërsa në kampin e Bedenit, ku u  burgosdhe im atë, ishinedhe 29 priftërinj katolikë në një brigadë pune, një rast unik në botë.

Dostojevski ka shkruar:”Njeriu vdes në qenien e tiranit”. Prandaj dhe simboli i rezistencës intelektuale Solzhenicini ka thënë:”Krimet e Stalinit nuk mund të heshtin, sepse janë krime të kryera mbi miliona njerëz dhe kërkojnë dritë”. Një revolucion mendor, një vetëtimë në qiellin rus shënoi në nëntor 1962 publikimi në “Novij mir”i romanit të shkurtër “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Është vepra e parë që dënoi Gulagun sovjetik, me një realizëm të denjë në traditën e Tolstoit e çehovit. Ndër tregimet e novelat që botoi në B.S deri më 1966, spikat “Shtëpia e Matrionës”, ku trajtohet fati tragjik i gruas ruse, simbol bukurie, fisnikërie e sakrifice.

Romani polifonik “Rrethi i parë” ku përfshihen ngjarje të 3 ditëve të dhjetorit 1949, Stalini shfaqet si një paranojak i sëmurë. Romani tjetër gjysmë autobiografik “Pavioni i kancerozëve”, një kryevepër artistike, me përshkrime tronditëse. Kanceri shërben këtu edhe si metaforë për sëmundjen morale të shoqërisë sovjetike. Të dyja këto vepra, të botuara jashtë Rusisë më 1968-69, i hapën rrugën akordimit tëçmimit “Nobel” më 13.2. 1970 e që autori nuk u lejua ta merrte. Më 1958 ish i detyruar dhe B.Pasternaku ta refuzonte të njëjtin çmim dhe do të vdiste më 1960, në varfëri, izolim e survejim nga KGB-ja. Do ta merrte çmimin i biri Jevgjenij më 1989.

Më 1973 u botua jashtë Rusisë edhe “Arkipelagu Gulak”, kryevepra e tij, trilogjia që përmbledh 7 libra dhe që pasqyron vitet 1918-1956. Një paraqitje shumëplanëshe e kampeve të punës, përmes raporteve, kujtimeve personale, dëshmive të 227 të mbijetuarve, si dhe materialeve të 36 shkrimtarëve. Një osmozë e përkryer kujtese faktesh dhe imagjinate krijuese  që na shpërfaq tashmë jo vetëm rrethin e parë, por të gjthë rrathët e ferrit stalinist: arrestime natën, bastisje shtëpish, internime e persekutime familjesh; hetuesi e tortura çnjerëzore, dhunë e mundime kampi pune. Një kryevepër letrare e historike, një monument kujtese të shenjtë, në një organizim më shumë tematik se sa kronologjik. Stil i zhdërvjellët, dialog i këndshë, humor i hollë.

Komunizmin Solzhenicin e shihte si një filozofi kundër ligjeve të natyrës e të karakterit të njeriut. Thuhet se ashtu si Papa Karol Vojtila rrëzoi Murin e Berlinit, edhe Solzhenicinin rrëzoi komunizmin dhe filozofinë nga u frymëzua ai mesianizëm i rremë. Në letrën që u dërgon udhëheqësve sovjetikë më 1973, ai shkruan:”Socializmi pengon trupin jetësor të kombit të marrë frymë. Dhuna, e ndërthurur me gënjeshtrë, është kthyer, jo vetëm  në një kategori morale, por edhe në një shtyllë të shtetit”. Më parë Hrushovi kish pohuar vetë:”Te secili nga ne ka nga një Stalin”.

Më 13 shkurt 1974 e arrestuan. Ia hoqën nënshtetësinë, e dëbuan, pasi, siç thuhet, dështoi edhe një atentat i KGB-së. U end pak kohë në Zvicër e Gjermani dhe u vendos në SH.B.A. Jashtë botoi edhe romanin epope “Rrota e kuqe” me 10 vëllime. U kthye në Rusi më 1994 e u prit me entuziazëm. Në dhjetor 1994 para Dumës ruse u shpreh:”Sot kemi një oligarki e pushtet të vendosur në rreth të mbyllur. Asistojmë në instalimin e një totalitarizmi demokratik ose të një demokracie totalitare”. Sa aktuale tigëllon kjo deklaratë edhe për vendin tonë, ku janë ricikluar personazhe e mendësi diktatoriale, duke mbetur ende peng i së shkuarës. Politikanët tanë që nuk kanë dënuar krimet e diktaturës e të diktatorit, kanë përvetësuar mjeshtërisht artin e pasurimit, përmes  privatizimeve, grabitjes së pronës shtëtërore e private, koncesioneve e tenderave, duke na lënë, njëlloj si dikatura, vendin më të prapambetur, krahasuar nëçdo fushë me Evropën.

Për botimin e veprës së plotë në 30 vëllime të Solzhenicinit, është kujdesur bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë, Natalia Dimitrievna. Ajo kërkon që krimet të njihen, të dënohen e të mos harrohen, që të mos përsëriten. Ajo shprehet :”Udhëheqësit postdiktatorialë nuk e deklaruan komunizmin sistem kriminal e as Stalinin kriminel që luftoi popullin e vet”. Vetëm në periferi të Moskës janë zbuluar tashmë 13 varre masive, ku në periudhën gusht 1937-tetor 1938 janë ekzekutuar 20.760 të burgosur.Në Shqipëri ende nuk janë zbuluar eshtrat e mjaft të pushkatuarve, varret e të cilëve disa herë edhe janë transferuar.

Librat e Kujtesës sjellin vërtetësinë e munguar edhe në tekstet aktuale, por shërbejnë si mësim historik edhe për të ardhmen. Ndriçimi si duhet i së kaluarës e distancimi nga krimet, do të shmangë atë debatokraci të shëmtuar, si vazhdë e urrejtjes së institucionalizuar në diktaturë dhe do t’i hapë rrugën katarsisit e pajtimit social, si dhe edukimit të shëndoshë të brezave të rinj. Vepra e Solzhenicinit, me vlera universale, mbetet testament vigjilence me rol civilizues dhe për ne.

Kadare:”Solzhenicin –njeri i madh i letërsisë e i lirisë. Figurë kolosale e shekullit XX. Shkrimtar emancipues në shkallë planetare. Shkrimtar i pakrahasueshëm në demaskimin e krimeve të Stalinit. Vepra letrare e dokumentare e tij kanë një peshë pak a shumë të barabartë e janë tepër të fuqishme, të thella, tronditëse. Solzhenicin-njeri jashtëzakonisht komunikues dhe kampion i të drejtave njerëzore”.

SHKARKO APP