“Veprat e mia, të lëna në magazina”, rrëfim i rrallë i shqiptarit të 11 rekordeve “Gines”: Njerëzit më pyesin kur do jetë tjetri
Në rekordet “Gines”, ai mban po të njëjtin numër regjistri si 14 vite më parë kur realizoi mozaikun e Leonardo da Vinçit… 155731.
Ajo që ka ndryshuar pas 10 rekordesh të fituara, është statusi si “veteran”, të cilin, vitin që lamë pas, e pasuroi me një rekord më tepër, atë të Mustafa Kemal Ataturkut në Turqi. Shqipërinë në “Gines” e ka çuar plot 7 herë, por prej 2014- ës mozaikët e tij janë realizuar për të tjera shtete. Me veprat e paekspozuara në vendin e tij, e të lëna në harresë nëpër magazine miqsh, arsyeja nuk do shumë të kuptohet. Me vete mbart ëndrrën që në një mozaik madhështor të jetësojë Skënderbeun, por frika se do të mbetet në mëshirë të fatit e bën të hezitojë. Artisti vlonjat Saimir Strati është një rast unik, jo vetëm në Europë, por në mbarë botën, dhe arritjet e tij nuk janë aspak të rastësishme. Përgjatë 11 rekordeve, shumëçka ka ndryshuar, por pasioni duket se mbetet i pacenuar. “Nëse në vitin 2006, unë pyesja veten aq do të arrij një rekord? Tani, njerëzit më pyesin se kur do ta realizoj rekordin tjetër”. Ndjen përgjegjësinë e një personaliteti me peshë të kulturës edhe jashtë vendit, ndaj përpiqet që me veprat e tij të vendosë një copëz më shumë “mozaiku”, në imazhin e Shqipërisë te të huajt. Me vendlindjen e tij, Vlorën, marrëdhënia bëhet më shpirtërore e figurat e qytetit bregdetar, detin, rrëfenjat i ripropozon në veprat e tij. Kush mund ta harrojë veprën “Vajza e detit”, e cila edhe pse e realizuar më shumë se dy dekada më parë, ngjall emocionet e pakoha të dashurisë legjendare, pakëz Vlorë në gurëza e xhama dhe elementin muzikor të pranishëm në pothuajse shumicën e veprave të tij. “Muzika është një tjetër pasion i imi, tanimë i pandashëm nga mozaikët. Madje, ndonjëherë e pyes veten, a ka mundësi të mos bëj mozaikë, por të bëj muzikë?”, thotë mjeshtri.
E pranon se njësoj si talenti e shpirti artistik, ndihmesë në rrugëtimin e tij, deri në ditët e sotme, kur njihet si një nga përfaqësuesit e mozaikut bashkëkohor në mbarë botën, ka dhënë puna si restaurator i mozaikëve në Shqipëri, në qytete arkeologjike si Bylisi, Amantia apo Apolonia. Edhe pse në realitet dashuria e tij për mozaikun daton që në fëmijërinë e hershme. “Me pak temperament vlonjat, kureshtjen e pashuar, që në vegjëli merrja pjesët e revistave dhe gazetave dhe i shikoja si ishin përpunuar”. Mandej, vite më vonë, në Apoloni, ku punonte si restaurator, talentin e tij do ta pikasnin disa specialistë francezë, të cilët i thonë: Ti je i prirur për mozaikët, do të jetë kjo detyra jote. Dhe kështu u bë! “Puna më bëri të kuptoj se mozaiku kërkonte njohuri të thella nga arti, matematika, fizika, gjeometria, kimia etj. Dhe unë dita-ditës mundohesha ta plotësoja figurën time si artist me të gjitha këto. Gjatë gjithë kësaj kohe isha i bindur e i përsërisja vazhdimisht vetes se është kjo ajo që dua të bëj, mozaiku bashkëkohor”. Shqiptari i 11 rekordeve, edhe pse shumëkush mund të thotë se me ngritjen e mozaikut në piedestal mund të ndihet i përmbushur, ende vazhdon të ëndërrojë, të planifikojë, edhe në emër të Shqipërisë. “Më vjen mirë që veprat e mia janë tanimë pjesë e enciklopedive botërore për mozaikun bashkëkohor apo muzeve të famshëm si ‘Belive or not’ (Londër), kjo është ajo që unë gjithmonë kam dashur, ta çoj mozaikun në një tjetër nivel”. Por pavarësisht këtyre kënaqësive, në rrëfimin e tij ndihet si peng, indiferenca e institucioneve, për 7 vepra të rekordeve “Gines”, të lëna në harresë. “Çdo artist, veprat i ka si fëmijët e dëshiron t’i shikojë të ekspozuara”. Në pritje të rekordit të radhës, Strati tregon për “Panoramën” procesin e punës që e çon në një rekord “Gines”, përmes veprës së fundit për shtetin turk, ku ka krijuar në mozaik portretin e Mustafa Kemal Ataturkut.
Zoti Strati, me Kemal Ataturkun ju keni shënuar rekordin tuaj të 11-të “Gines”. Si lindi ideja për realizimin e portretit të krijuesit të shtetit turk?
Idenë ma propozoi organizatori i shoqatës “Halibas Art”, e cila merret me promovimin e kulturës turke nëpër botë. Më thanë se kishin dëshirë që unë të realizoja imazhin e Mustafa Ataturkut dhe materialin apo dimensionin ma lanë mua në dorë. Kur më bënë propozimin, më pyetën nëse e njihja dhe unë ua ktheva me humor: Po si jo, përshëndetem me të çdo ditë. Ata u habitën, ndërkohë që u shpjegova se unë banoja pranë sheshit “Mustafa Qemal Ataturku”. Dhe ka ngelë ende si batutë mes nesh, kur më telefonojnë më thonë: “Përshëndete Ataturkun nga ana jonë”.
Puna u realizua për 37 ditë, përse zgjodhët pikërisht atë imazh dhe vidat si material?
Në Turqi, Mustafa Ataturku vlerësohet si një njeri i fortë dhe vizionar, e konsiderojnë si “babain” e Turqisë moderne, kështu që zgjodha vidat për 2 arsye kryesore: Së pari, sepse janë material i fortë që favorizonin dimensionin gjigant të veprës, për rekord Gines. Mandej, shkëlqimi i tyre reflekton pjesën vizionare të personazhit. Edhe imazhi, tek i cili u ndala, përcakton pikërisht këtë, vizionin, largpamësinë e këtij personaliteti. Ishte më komplekse për t’u punuar pasi ishte figurë tredimensionale, por e zgjodha, sepse me një tjetër portret më të thjeshtë apo grafikë, s’do të kisha arritur të njëjtin rezultat. Ndërsa ajo që unë doja ishte të jepja maksimumin. Vepra u punua në përmasat 5m me 10 m, ndërsa numri i vidave qe gjithsej 250 mijë. Ishin në ngjyrë të zezë, të bardhë dhe të florinjtë dhe me dimensione të ndryshme nga 2 deri në 4 cm, ndërsa pesha shkon afro deri në 2 tonë. Pas certifikimit vepra u mendua të çohet në Muzeun e Ataturkut në Ankara.
Sa orë në ditë keni punuar për realizimin e saj dhe a ndoqët një strategji specifike?
Minimumi ka qenë 16 orë, mirëpo shkonte edhe deri në 18 orë apo më shumë. Ajo që më stimulonte ishte interesi i jashtëzakonshëm i publikut, që rritej dita-ditës bashkë me veprën. Strategjia ime ishte zgjimi në orët e para të mëngjesit. Nga ora 5 deri në orën 9 që hapej qendra për publikun, unë kisha bërë një pjesë të mirë të punës. Çdo zonë që do punoja ishte e planifikuar për çdo ditë, sepse organizmi është i domosdoshëm. Nëse e lë diçka për më vonë, puna akumulohet dhe vështirë të arrish rezultatet të kënaqshme. Mandej, strategjia ka të bëjë edhe me pjesën fizike, gjatë këtij procesi pune duhet të arrish ta mbash trupin të ngrohtë. Unë në mëngjes nis të punoj ngadalë, derisa trupi nxehet dhe përpiqem ta mbaj një gjendje të tillë përgjatë gjithë ditës. Kur arrin të shikosh se vepra po realizohet mirë, edhe lodhjen gati nuk e ndjen më. Gjatë punës në Turqi, kujtoj se në fillim turqit e pranishëm aty vinin dhe më flisnin për Ataturkun, pastaj me kalimin e ditëve, dëgjoja se bisedat e tyre vërtiteshin rreth rekordeve dhe krijimtarisë sime. Ky qe një emocion shumë i bukur. Ata e vlerësuan krijimin tim si veprën më të mirë bërë për Ataturkun, jo sepse shënoi një rekord “Gines”, por për mënyrën e kompozimit, kujdesin në detaje, dedikimin që i kushtova për të krijuar tamam një vepër monumentale.
Kur e nisët këtë mozaik, ishit i sigurt se do të shënonit një tjetër rekord “Gines”?
Isha 100% i sigurt se do ta arrija. Më e keqja që mund të ndodhte ishte nëse pësoja ndonjë aksident apo ndonjë shqetësim të rëndë shëndetësor. I kisha studiuar të gjitha, pasi flitet për një vit përgatitje. Doja të shkoja atje i bindur për atë që do realizoja, pasi s’kisha dëshirë të kthehesha në Shqipëri si telenovelë turke (qesh). Mandej erdhi gjykatësi nga Londra, bashkë me një staf të madh. Kanë studiuar punën dhe kanë përgatitur dokumentarë me materialet filmike të 20 ditëve punë.
Mozaikët tuaj gjenden në disa vende të botës, por duket se në to ju kujdeseni të lini dhe një copëz Shqipërie, kjo nisur që nga prezantimi që i bëni vetes…
Kudo shkoj, kam me vete simbole shqiptare, prezantohem si i tillë, po kjo për mua vjen natyrshëm, nuk më duket ndonjë akt heroik. Unë mundohem të përfaqësoj denjësisht vendin tim edhe duke rrëfyer historinë 3-mijë vjeçare të mozaikëve, të cilën e njoh shumë mirë. Nuk janë të rastësishme arritjet e mia. Fati e desh që ta nisja punën si restaurator, të njihja nga afër teknikat dhe mund të them se nga të gjithë specialistët në botë, jo vetëm për sa u përket rekordeve, por edhe mozaikut, unë jam figura lider që udhëheq mozaikun modern bashkëkohor. Le të themi se më takon edhe mua sadopak ajo barra e madhe intelektuale për të përfaqësuar denjësisht vendin tim dhe për të fshirë atë imazhin jo të mirë që është krijuar ndër vite. Pasioni që unë tregoj për punën lidhet edhe me faktin se mbart me vete dashurinë për vendin tim, për të dhënë me shpirt më të mirën dhe në emër të Shqipërisë.
Për të huajt që ju njohin dhe duan të vijnë në Shqipëri për të vizituar veprat tuaja, apo edhe për vendësit, ku gjenden sot ato?
Ka shumë të huaj, miq, dashamirës që ma bëjnë këtë pyetje… por fatkeqësisht, unë ende s’po gjej dot një mundësi për t’i ekspozuar. Ndoshta në të ardhmen do të gjendet një rrugëzgjidhje, pse jo edhe me mbështetjen e shtetit, pasi tek e fundit janë vepra që shërbejnë në të mirën e turizmit. Vendi ynë është i vetmi në botë, që një artist i ka dhuruar shtatë rekorde.
Ku mbahen sot këto vepra?
Le të themi që janë gjithandej… të magazinuara në kushte jo të favorshme. Unë jam artist dhe nuk më takon, e as i kam mundësitë që të marr me qira ambiente ekspozuese. Disa herë e kam bërë të njohur çështjen publikisht, pse jo, këto vepra mund t’i kishte marrë në mbrojtje Ministria e Kulturës. Disa miqtë e mi nga Diaspora kanë shfaqur interes që t’i marrin ata ambientet, por problemi është se këtu mungon edhe suporti ligjor nga ana e shtetit. Pra, është një çështje kulturore e pambuluar juridikisht. E di që përgjatë këtyre viteve kanë qenë të shumtë ata që më kanë thënë faleminderit, që më kanë duartrokitur, këtë s’mund ta mohoj, por në këto 14 vite janë ndërruar disa ministra Kulture dhe askush s’ka menduar që këto vepra do ishin mirë të ekspozoheshin për publikun. Është diçka e rrallë, që nuk e gjen jo vetëm në Ballkan, por as në të gjithë botën.
Keni përfunduar veprën e Kemal Ataturkut për Turqinë. Nëse Shqipëria do t’ju mbështeste sot, cilën figurë do të kishit dëshirë të jetësonit në mozaik?
Kam dashur gjithmonë të bëj diçka për Skënderbeun, por ndoshta do të mund ta realizoj kur të kem ambientin e përshtatshëm për të ekspozuar punët. Për mua, si për çdo artist, veprat janë si fëmijët, askush nuk do të donte t’i shikonte të lëna në harresë, gati të braktisura. Unë, që prej vitit 2014, s’kam shënuar më rekorde në Shqipëri. Atë vit isha i ftuar në Portugali dhe vepra, pasi u certifikua hyri menjëherë në guidën turistike të Portugalisë me vendim të Ministrisë së Turizmit, e cila qe edhe iniciatore. Mora dhe mirënjohjen nga bashkia e qytetit ku realizova veprën, e cila u ekspozua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Më kanë njoftuar më pas që falë atij mozaiku, në atë qytet, vizitat janë rritur më shumë se 200 për qind. Po kështu, mbështetje kam marrë edhe në Kosovë ku realizova “Nënë Terezën”, e cila u certifikua me vendim Parlamenti në një ditë së bashku me Deklaratën e Pavarësisë. Në Turqi pata suport të madh nga ana e institucioneve, të cilat treguan kujdesin maksimal deri në detaje. Nuk flas nga ana monetare, se unë nga Shqipëria s’kam marrë asnjëherë asnjë qindarkë, por më duhet thjesht një mbështetje për ekspozimin e rekordeve.
E veçanta e mozaikëve tuaj qëndron edhe te materialet që ju përdorni. Sa e vështirë është të bësh vepra të jashtëzakonshme me materiale të zakonshme si gozhda, lëvozhga e vezës, tapat, qelqi, vidat etj.?
Në krijimtarinë time nuk përjashtohen as materialet tradicionalë, mirëpo e mira për një artist është të krijojë individualitetin e vet. Kjo më nxit mua të bëj atë që ju thoni… dhe me materiale të zakonshme të realizoj punë të jashtëzakonshme. Këto materiale që ju përmendët nuk janë të prodhuara për mozaikë, por unë si të thuash po realizoj ëndrrën e alkimistëve, duke e kthyer një materie të thjeshtë në materie me vlera. Kjo është një sfidë individuale dhe artistike, që në fund të jep shumë kënaqësi. Kur dëgjoj dashamirësit e artit të arrijnë të identifikojnë veprat e mia, mendoj se diçka nga ëndrra ime kam arritur. Përpos kësaj, ashtu si sektorët e tjerë, sot artin e ka prekur “sëmundja” e industrializimit dhe teknologjia ka bërë të vetën. Nuk po them se jam kundër përparimit, përkundrazi, teknologjia dhe shkenca ndihmojnë, por unë jam partizan i artit të krijuar me dorë, të jep një kënaqësi që s’e ndërroj me asgjë tjetër. Pastaj më ndihmon edhe aspekti shpirtëror, gjithmonë brenda meje ka motive për të krijuar diçka të re.
Rekordet “Gines” janë pa dyshim arritje të jashtëzakonshme, por që nuk mbartin në vetvete një shpërblim financiar, sa hapësirë i lini pjesës tjetër të krijimtarisë?
Është e vërtetë, por edhe pse nuk ka shpërblim financiar është një çmim që mbart emocione dhe një lloj statusi. Nga të vetmet patenta që përfshin të gjithë botën pa dallim feje, vendi, gjuhe etj. Puna ime nuk funksionon në bazë të grafikëve standardë, por kryesisht, sa herë e ndiej veten paksa të kontraktuar nga mozaikët, gjithmonë e kam një telajo të vendosur mbi kavaletë…bojërat më presin për t’u dhënë jetë ideve të mia. Edhe vetë mozaikët përpara realizimit bëhen paraprakisht vizatim në karbon ose pikturë. Pra, piktura për mua është një lloj masazhi artistik, por njëherazi edhe më mbush shpirtërisht.
Një lidhje shpirtërore duket se keni edhe me muzikën, të cilën e shikojmë të pranishme në disa prej veprave tuaja, si “Vajza e detit”, “Vivaldi” etj…
Rreth 50 për qind të veprave që unë kam krijuar i dedikohen muzikës. Por edhe te të tjerat, ky element në një formë a tjetrën është i pranishëm. Muzika është një tjetër pasion i imi, i pandashëm nga mozaikët. Madje, ndonjëherë pyes veten, a ka mundësi të mos bëj mozaikë, por të bëj muzikë. Nëse nuk do të isha marrë me mozaikë, do të kisha dashur të më ishte dhënë dhuntia për të kompozuar muzikë. Muzika tanimë është bërë një element plotësues në të gjithë krijimtarinë time. Në njëfarë mënyre, unë me mozaikët e mi s’kam bërë tjetër, veçse e kam materializuar këtë pjesën hyjnore të tingullit, i kam dhënë ngjyrë.