VIDEO/ Ish-të përndjekurit djegin fotot e Ramës e Ruçit në shenjë proteste. Mesazh për vdekjen e Nexhmije Hoxhës, paralajmërojnë grevë urie
Një grup ish-të përndjekurisht politikë kanë protestuar sot para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa kanë parashtruar një sërë kërkesash. Në shenjë protestë, ish-të përndjekurit kanë djegur disa foto, ku mes tyre janë figura të njohura, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ilir Rusmajli, Fatmir Xhafaj, Arben Kraja (prokuror), Spartak Braho, dhe Nexhmije dhe Enver Hoxha.
Teksa u pyet nga gazetari i ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Erjon Skëndaj në lidhje me vdekjen e Nexhmije Hoxhës, gruaja e ish-diktatorit Enver Hoxha, ata u shprehën se: “Jeta është në dorë të zotit. Por e keqja është se ka lënë qindra persekutorë, të cilët sot janë në kupolën qeverisëse dhe mbajnë diktaturën në këmbë. Një diktaturën moderne”.
Po ashtu protestuesit u ndalën tek kërkesat e tyre, siç është dhe marrja e statusit të mbijetuarve të holokaustit komunist dhe e drejta që lind nga ky status, pensionet, dëmshpërblimet. Ndër të tjera, ish-të përndjekurit kërkojnë rrëzimin e marrëveshjes së PS-PD në 2007-ën që la jashtë qindra të burgosur politikë dhe të internuar.