VIDEO/ Ja ç’ka mbetur nga kampi famëkeq i internimit i Porto – Romanos

Lagja më skajore e Durrësit, Porto – Romano, është përdorur fillimisht nga fashistët e më pas edhe nga komunistët si kamp internimi për kundërshtarët e sistemeve. Kampi i përqendrimit të Porto – Romanos është një dëshmi e gjallë e idealistëve që kaluan aty ditët më të errëta të ekzistencës së tyre të përndjekur nga sistemi fashist. Ish-kampi i internimit tani është kthyer në një gërmadhë të vërtetë, ku natyra amortizon ngrehinat. Në portën e tij të pamirëmbajtur ferrat kanë ngritur gardhin e tyre të gjembave, ndërsa për këdo që mund të dëshirojë të bëjë një vizitë në brendësi të tij, atje ku ndodhet nje pjesë e vyer e histroisë së rezistencës antifashiste të vendit tonë, kjo gjë është tashmë e pamundur.

Askush nuk mund ta kuptojë sot se në këtë kënd dikur ka qenë një objekt historik për vendin, pasi dhe në portën e mbyllur vegjetojnë vetëm plehra dhe vetë monumenti në formë obelisku është memec tashmë pasi edhe një pllakë me shkronja të bronxëta e konstruktuar në nderim të atyre që vuajtën dhe që dhanë jetën në kampet famëkeqe të fashizmit, tashmë ka përfunduar për skrap.

Pllaka dikur vërente se: “Luftëtarëve trima nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit, që nën udhëheqjen e patriotëve 1942-43, organizuan qëndresën antifashiste në kampin e përqendrimit 402/0”.  Vetë lapidari është çarë dhe në të duket si ironike në realitet, tashmë ka mbirë një rrënjë fiku e egër. Ky kamp perqëndrimi ka qenë një objekt ku kanë kaluar vitet e tyre shumë luftëtarë për liri, të burgosur nga shumë vende edhe të Ballkanit dhe për këtë fakt ai është njohur edhe si kamp ballkanik vuajtjeje në atë periudhë. Kampi i Porto – Romanos është cilësuar nga veteranët dhe historianët si kampi i mbijetesës. Monumenti ka qenë ngritur në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar në përvjetorin e ’40-të të çlirimit të vendit dhe zë edhe sot një vend nderi në historinë e luftërave të kombit tonë, për arsye se në të janë izoluar, burgosur dhe ekzekutuar luftëtarë antifashistë të orëve të para nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë shtetërorë.

Në periudhën komuniste Porto – Romano shërbeu si kamp internimi për kundërshtarët e sistemit komunist. Në disa godina 2-katëshe u vendosën të internuarit e të deklaruarit, dhe tashmë nga lagjja me ato godina të dikurshme ka mbetur një geto e kohëve moderne./portalidurreslajme

SHKARKO APP