Violinisti 17-vjeçar Daniel Vlashi, koncert me orkestrën sinfonike të Galicisë (Spanjë)

Violinisti 17-vjeçar Daniel Vlashi ka interpretuar këto ditë si solist me orkestrën sinfonike të Galicisë, në La Korunja (Spanjë). Gazetarja Gemma Malvido e gazetës “La Opinion” i ka kushtuar një shkrim të veçantë këtij evenimenti, së bashku me foton e artistëve Florian e Daniel Vlashi, atë e bir, solistë të shfaqjes. “Festa e Belshazharit” nga Sibelius dhe “Poema hyjnore” nga Skrabini ishin dy nga veprat e koncertit, për të cilat artisti i ri thotë se “ishte një ekperiencë shumë prekëse”. “Punova shumë me ato vepra, madje edhe në orët që pritja avionin në aeroportin e Barcelonës për tu kthyer në La Korunja”, tregon muzikanti i ri, që tani studion në Lion (Francë), ku merr mësime çdo javë nga violinistja Marian Piketi, shkruan gazeta La opinion. Danieli thotë për gazetën spanjolle se “kur e pa veten në skenën e pallatit të Operas, bashkë me të atin dhe shokët e tij, me të cilët pati realizuar disa projekte me muzikë dhome, ndjeu që u njëmendësua një ëndërr, që e mbante me vete që kur ishte i vogël”. Daniel Vlashi nisi të studiojë violinë në moshën 5 vjeç dhe pas 12 vjetësh ai debutoi me Orkestrën Sinfonike të Galicisë, duke luajtur bashkë me të jatin. “Qe një çast shumë i bukur, sepse Danieli e ka dëgjuar orkestrën sinfonike, që pa lindur pasi e ëma shtatzënë luante në violonçel së bashku me ne-tregon për gazetën La Opinion, violinisti Florian Vlashi. “Përveçse debutova me një orkestër profesioniste nën drejtimin e dirigjentit titullar Dima Sllobodeniuk dhe me orkestrantë me nivel shumë të lartë, ajo që ma bëri punën më emocionuese, ishte fakti se luajta në skenë me babanë tim dhe shokët e tij, të cilët i kam dëgjuar çdo të premte, që kur isha i vogël, e po ashtu isha i emocionuar, sepse po interpretoja para publikut të qytetit tim-përfundon tregimin e tij Daniel Vlashi. Florian Vlashi dhe familja e tij, Rediana violonçeliste, Danieli, violonist dhe Martini, muzikant i ri, jetojnë dhe punojnë në Korunja (Spanjë) që nga viti 1992. Floriani dhe familja e tij janë bërë të njohur në vendin tonë për organizimin e Bienales “Netët e muzikës klasike”, që në gusht të vitit të kaluar festoi në Durrës edicionin e 6-të të saj.

SHKARKO APP