Violinistja

Skicë

Nga Nikolla Lena

Ka kohë që kjo vajzë interpreton në rrugën pedonale të Tiranës, midis Teatrit Kombëtarë të Dramës dhe Galerisë së Arteve. Është një shëtitore që në mbrëmje tërheq mjaft kalimtarë dhe pushues në lokalet e freskëta rreth saj.

Aty qëndron edhe violinistja elegante me violinën e vjetër të mbështetur në faqen e saj të brishtë. Thuajse gjithmonë kur kaloj andej dëgjoj tingujt e ëmbël që dalin prej gishtave të hollë që godasin pa pushim mbi telat e sertë. Ka tinguj rebel kur ajo luan ndonjë kapriçio të Paganinit por ka dhe tinguj të qetë, të ëmbël kur luan Vivaldin apo Moxartin dhe ajo, violinistja, nuk mban pentagram.

Afrohen njerëz të ndryshëm që pëlqejnë muzikën, kurioz për atë që ajo bën, skeptik dhe paragjykues, njerëz me spektër të ndryshëm idesh e mendimesh, hedhin ndonjë monedhë dhe largohen, dikush si triumfator që e bëri atë gjest, dikush si lëmoshdhënës dhe një tjetër “ndihmoje o Zot”.

Ajo hesht dhe dhe lëviz mbi tastierë dorën e saj të vogël. Nuk ia di gjendjen ekonomike, as identitetin as gjendjen familjare, por vlerësoj talentin dhe guximin e saj. Para ca kohësh , qëlloi që të kishim afër njeri-tjetrit tavolinat e kafesë. U bëra kurioz dhe nisa ta pyes për muzikën. Më tregoi për shkollën dhe pasionin e saj për violinën. Fliste me entuziazëm duke zbuluar edhe ëndrat e së ardhmes. E pyeta nëse mund të interpretonte diçka nga Vivaldi. Dhe ajo filloi me “Katër stinët”.

Nuk e di se si quhet, nuk e di nga është, nuk di nëse ka një strehë dhe ushqehet mirë, por në mëndje më kanë ngelë tingujt e violinës së saj dhe dora e vogël mbi tela.

SHKARKO APP