Virion Graçi: Rrëfim jo i zakonshëm në romanin ‘Stina e hijeve’

 

“Stina e hijeve” është romani më i mirë i shpërblyer për vitin 2015 me autor Virion Graçi dhe pikërisht mbi këtë roman, shkrimtari ka rrëfyer për KultPlus. Ai ka shpërfaqë copëza nga ky roman që thelbin e ka në Athinë të Greqisë. Duke pasur parasysh se romani flet për një vajzë që ka vdekur në Greqi dhe se i ati e sjell në Shqipëri si pasagjere të fjetur, me qëllim që mos të paguajë shpenzimet që e ngarkonin, Graçi ka shpjeguar se një rrëfim të ngjashëm e kishte dëgjuar në kohën sa punonte si gazetar. Dhe pikërisht ky rrëfim tragjik ka bërë që ky roman të përshtatet edhe për teatër, që premierën pritet ta ketë në vitin 2016

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Stina e hijeve,” doli të jetë romani më i mirë i shpërblyer nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, në ngjizje me këtë roman, e kishe idenë se do të kishte këtë sukses? 

Virion Graçi: Ministrisë së Kulturës, grupit të përzgjedhur që merret me librin i jam mirënjohës për respektin që treguan për punën time. Më gëzuan, por, më duhet të shtoj se ata iu bashkuan disa vlerësimeve të mëparshme të rëndësishme që ka pasur ky roman: fitues i çmimit kombëtar “At Zef Pllumi,” i përzgjedhur në finalen e çmimeve Akademia Kult në Tiranë, dhe, më i rëndësishmi ka qenë lexuesi, ishte lexuar në masë para se të vlerësohej dhe nga një pakicë e përzgjedhur njerëzish profesionistë, pra, nga juritë përkatëse. Si çdo krijues serioz kam respekt e përkushtim për punën që bëj, aq më tepër jam besimplotë për tekstet që dërgoj për botim, përndryshe nuk do t’i çoja. Unë sukses kam pasur që në fillimet mia, me “San Valentino,” 1993, dhe me romanin “Të çmendur në parajsë,” 1995. Por ju keni të drejtë të pyesni, pasi, pas shtatë romanesh e dhjetëra paraqitjesh në publik me poezi, tregime, interpretime kulturologjike, është pak e vështirë të befasosh, e vështirë pasi je i pranuar, i njohur, tashmë, fatmirësisht.

KultPlus: Ngjarja e romanit ka për bosht emigrimin, dhe pikërisht në vitin kur edhe u shpërblyet kjo temë është gjithandej rruzullit tokësor. E ndjetë se do të përkonte kaq ndjeshëm me këtë aktualitet çmimi i këtij romani? 

Virion Graçi: Është një fakt i rëndësishëm në roman që bën të duket sikur rrëfimi/historia romaneske lidhet me emigrimin: një shqiptare e re shkon të kurohet ilegalisht në Athinë, por vetëm kaq. Mund ta lija thjeshtë, pa specifikuar me emra vendesh konkretë: vajza shkon të kurohet diku jashtë, etj, etj. Pra, ngjarjet lidhen kryekrejt me aktualitetin shqiptar, pavarësisht përkimeve të padëshirueshme me realitetin sot në botë. Romani im i parë, i përmendur më lart, ai e jo Stina, lidhet pazgjidhshmërisht me problemet e refugjatëve sot: pa dokumente, pa shpresë, pa atdhe, pa mirëkuptimin e mjaftueshëm të vendit ku kanë bujtur, në kërkim të një identiteti të ri, shpesh të përbuzur e të keqtrajtuar në rrugën e tmerrshme të eksodit, ndonëse larg syve të medieve.

 

KultPlus: Mirëpo, me këtë temë shqiptarët janë të rreshkur, pse u lidhe kaq shumë me këtë temë, se u ballafaqove vetë, familjarët e tuaj apo u lidhe vetëm me imagjinatën? 

Virion Graçi : Letërsia e vërtetë artistike, ajo që të paktën unë dëshiroj të shkruaj nuk lidhet me zbulimin a nxjerrjen e ndonjë sekreti/pësimi individual, familjar a klasor, përndryshe do të shkruaja publicistikë gazetareske, slogane protestash paqësore, traktate politikë ose romane policorë. Me këtë roman nuk kam rënë kurrkund në përsëritje të vetvetes sa i përket qarkut lëndor-tematik. Por, nga ana tjetër, parimisht mund ti kthehem dhe mesjetës, antikitetit, periudhës së revolucionit industrial-borgjes, emigracionit bashkëkohor e përsëri nuk jam vonë ose përsëritës dhe me këto tema nëse realizoj atë ide-koncept që kam unë për romanin cilësor: një sërë historish të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të cilat falë teknikës së duhur të rrëfimit artistik përcjellin e prodhojnë emocione të shumta, mendime të pashtershme te lexuesit.

KultPlus: Zbulojmë pak për lexuesit romanin, një prind që kishte dërguar vajzën e tij për kurim në Greqi, të njëjtën po e kthente në vendlindje, por tashti të vdekur, por ai bëhej se vajzën e kishte të gjallë vetëm për ti ikur shpenzimeve, rrëqethëse besoj? 

Virion Graçi: Po, tragjike… Pjesa e padukshme, ose më mirë të themi epilogu i tragjedisë së vajzës dhe familjes së saj zhvillohet në Greqi, por në këtë rast Greqia, Athina, grekët te të cilët mbështet familja shqiptare janë jashtëzakonisht mikpritës, njerëzorë, solidarë, bashkëpunues e bashkë komplotues deri në sakrificë për ta shpëtuar jetën e vajzës, ndaj thashë më herët se theksi, qendra e rëndesës e mendimeve, përjetimeve në roman nuk është një vend i huaj ku ndodhen shqiptarët por vendi i tyre amë ku ata ndihen të huaj e trajtohen më keq se po të ishin të huaj. Në spitalin e Athinës vajza (Elona) merr ato përkujdesje shërbimesh cilësore që nuk mund t’i merrte në Fier apo në Tiranë, ndërkohë, me ndihmën e vendasve grekë kurohet falas, në fshehtësi duke shfrytëzuar sigurimet shëndetësore të dikut tjetër.

KultPlus: Krejt ky rrëfim është një imagjinatë, apo të rastisi të dëgjosh një rrëfim të tillë?

Virion Graçi : Dhe vetë imagjinata është një rikompozim, ristrukturim kujtimesh e grimcash reale të ruajtura në kujtesë, e si e tillë nuk mund të vijë në jetë e të lindë nga asgjëja. Kur punoja gazetar për ATA (agjensia shtetërore e lajmeve e Shqipërisë) isha në pikën e kalimit kufitar Kakavie e policët shqiptarë më thanë se një prind kish sjellë në veturë, vendosur drejt si pasagjer të zakonshëm vajzën e tij që kishte ndërruar jetë në Athinë….

KultPlus: Rrëfimi nuk është i zakonshëm, do të doje që ky tregim të vijë edhe nëpërmjet ekranit? 

Virion Graçi : Rrëfimi nuk është i zakonshëm pasi vajza (Elona) është gati një personazh dytësor, një farë shkaku a filli lidhës për të treguar të tjerë protagonistë, të tjera fate njerëzorë të cilët, bashkërisht në libër besoj se japin një tablo të gjerë, besoj se japin të katër pikat e horizontit të qiellit të ngrysur, të errët të Shqipërisë. Kapitulli i dytë i romanit po punohet me përkushtim e finesë artistike nga regjisori Armand Bora për tu shfaqur në Metropol-Teatër të Tiranës si dramë nga muajin shkurt, 2016. Dëshira për të qenë i promovuar në vende të tjera është, si për këtë produksion të Tirana Metropol-Teatër, si për produksione të reja me bazë në këtë roman prej cilitdo artisti profesionist që do të ketë një platformë-koncept pune regjisoriale bindëse për mua, të pranueshme për mua, artistikisht.

KultPlus: Dhe për fund, sa synon që ky tregim të komunikojë edhe në gjuhë të huaj? 

Virion Graçi : Një vajzë e shkëlqyer me origjinë nga Kosova, e kulturuar dhe e mirë shkolluar në nivel universitar po e punon romanin, përkthim – studim në një gjuhë kulture me njohje-qarkullim botëror. Shpresoj që së bashku të rigjejmë botuesit e mi të mëparshëm në një metropol të kulturës evropiane e globale…./ KultPlus.com 

SHKARKO APP