Virozat e dimrit, shefja e Infektivit: Ja kur duhet shkuar te mjeku i familjes

Stina e dimrit është periudha kur shfaqja e virozave dhe gripit janë më të shpeshta. Shefja e shërbimit të Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Najada Çomo thekson se tashmë kemi hyrë në ditët kur ka pacientë që janë të sëmurë me grip por ende nuk ka fluks të shtuar.

”Ne tashmë kemi hyrë në ditët kur kemi pacientë që janë të sëmurë me grip. Natyrisht, përveç gripit, ne kemi edhe infeksione të tjera virale që janë të ngjashme me gripin dhe shpeshherë njerëzit ngatërrohen duke thënë që u sëmura me grip. Në fakt, janë viroza të stinës që prekin traktin respirator të mushkërive. Këto viruse që mund të jenë edhe jo viruse, mund të prekin edhe tubin tretës duke dhënë çrregullime siç është dhimbja e barkut, të vjella, diarre, dëmtime në lëkurë siç janë infeksionet e lëkurës apo duke dhënë dëmtime tek pjesa e syve, fytit, pra duke prekur organe të ndryshme që janë të ekspozuara karshi viruseve të ndryshme edhe baktereve të ndryshme që qarkullojnë ajrin që ne marrim. Nuk kemi një fluks të shtuar akoma”, tha për ”ATSH-në”.

Çomo thotë se nuk duhen neglizhuar simptomat dhe për këtë pacientët duhet të drejtohen pranë qendrave shëndetësore pasi jo të gjitha rastet kanë nevojë të trajtohen në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. “Temperatura, dhimbja e kokës, dhimbja e muskujve, dhimbja e artikulacioneve nëse janë në vazhdueshmëri, atëherë nuk mbetet më në mendimin tënd për t’u trajtuar por meriton për të shkuar tek mjeku më i parë që është mjeku i qendrës shëndetësore apo mjeku i familjes”.

SHKARKO APP