Visar Zhiti kujton bëmat në ceremoninë e Vatikanit: Shqipëria me dërgatë trekrerëshe

5 shtator 2016, atëherë Visar Zhiti mbante postin e ambasadorit shqiptar në Vatikan. U emërua në këtë post pak kohë pasi humbi djalin, Atjonin në një aksident tragjik

“Isha si një i mbytur që dallgët e kishin nxjerrë në breg dhe Vatikani më dha frymë si atij që i jepet gojë më gojë për ta ngritur”  e përshkruan shkrimtari emërimin e tij në një shkrim të publikuar sot në gazetën “Panorama” me titullin “E shenjtë…” 

Ndër të tjera Zhiti zbulon sikletin që iu desht të kalonte gjatë ceremonisë së kanonizimit që u mbajt më 5 shtator 2016.

Kujton një bisedë me ambasadorin e Maqedonisë së Veriut i cili ishte në vështirësi sepse të gjithë kërkonin të ishin pjesë e ceremonisë dhe ai duhej të bënte përzgjedhjen,

“Po me të tutë si i ke punët ti, – më pyeti. -Edhe unë s’di nga t’ia mbaj, – i thashë, – s’do të vijë asnjëri…

Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror?” shkruan Zhiti

Pastaj më 5 shtator, ndryshe nga të gjitha shtetet e botës që kishin një delegacion shtetëror dhe një kryetar, nga Shqipëria shkoi dërgata shqiptare trekrerëshe.

Kujtojmë se në 2016, president ishte Bujar Nishani, kryetar parlamenti Ilir Meta, ndërsa kryeministër Edi Rama.

“Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip. Dhe e kuptova më mirë se më parë që pse Shqipëria ende nuk ka ambasador në Selinë e Shenjtë…” shkruan Zhiti ndër të tjera.

Pjese nga shkrimi i publikuar sot ne gazeten “Panorama”

5 SHTATORI I SHENJTË..

Dhe ashtu u bë. Ndodhi në 5 shtator, 3 vjet më parë në Vatikan.

Sa dritë kishte ajo ditë! Unë atje isha dërguar me punë si kreu i ambasadës sonë pranë Selisë së Shenjtë, deshi Zoti me bekimin e Nënë Terezës.

Isha si një i mbytur që dallgët e kishin nxjerrë në breg dhe Vatikani më dha frymë si atij që i jepet gojë më gojë për ta ngritur.

Po afronte dita e kanonizimit. Në një nga dritaret e përfaqësisë, në katin e dytë të një pallati të vjetër në rrugën “Ottaviano” 43, vumë një portret të madh të Nënë Terezës, që dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”. Isha vetëm si diplomat, bashkëpunoja me time shoqe, kisha dhe ndihmën e stafit teknik, dy-tre veta ishin, punonim dhe deri pas mesnate, dërgonim relacione të shpeshta Ministri e Jashtme Tiranë – Sekretari e Shtetit Vatikan.

Do të mblidhej e gjithë bota atë ditë të shenjtë të 5 shtatorit. Vendet që lidheshin me Nënë Terezën, Shqipëria e para dhe Kosova, Maqedonia dhe India do të kishin delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Vendet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh, mbretër, nobelistë…

-Ambasadori i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë në ceremoni, po me të tutë si i ke punët ti, – më pyeti.

-Edhe unë s’di nga t’ia mbaj, – i thashë, – s’do të vijë asnjëri…

Nga Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti. Kryeministri do të vinte, ja ashtu, me grupin e tij, me Ministrin e Jashtëm, mbase. Pra, s’do të kishte delegacion shtetëror?

Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror?

Dhe erdhi dërgata shqiptare trekrerëshe, Presidenti me bashkëshorten dhe të vetët, sa shumë, një klan që s’donin të kishin punë me askënd, shamatorë; kryeparlamentari, jo dhe aq shumë në grup, Kryeministri – korrekte me pjesëtarët e shpurës së tij.

Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.

U kërkua nga Policia italiane dhe protokolli që makinat e delegacionit shqiptar si për çdo delegacion shtetëror, të ishin në rresht bashkë. Ata të Presidencës, vetë Presidenti u alarmuan se makina e tyre nuk ishte e para, i sqaruan se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të Kryetarit të Parlamentit, por ato të Policisë dhe ajo e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, sipas protokollit. Mezi u qetësuan.

Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip. Dhe e kuptova më mirë se më parë që pse Shqipëria ende nuk ka ambasador në Selinë e Shenjtë…

U futëm në Vatikan dhe do të dilnin në shesh duke kaluar mes përmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Mes delegacioneve shtetërore, më i padisiplinuari ishte ynë.

Më tej, larg, ishte lideri historik i opozitës. E takova.

Sheshi ishte plot, një det me njerëz dhe me flamurë nga e gjithë bota. Ja, ato të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rojet e palëvizura zvicerane me shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara sipas Mikelanxhelo-s.

Shumë diell. Në ballë të Bazilikës, tejet i madh mbi ballkone, imazhi i qeshur i Nënë Terezës. Rrëzëllente nga shenjtëria. Në tarracat sipër, mes statujave të shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova.

Kori i madh kishtar, muzika gregoriane, po ngriheshin nëpër ajrin biblik. Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëngjim hyjnor na mbushte shpirtrat.

Filloi mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezës sonë. Kur erdhi koha që, sipas ritualit i duhej dhënë dora njëri-tjetrit si shenjë paqeje, vetëm Presidenti shqiptar nuk i dha dorën Kryeministrit të tij dhe e anasjella.

Dhe vazhdon kjo ndjesi shtetërore…

Megjithatë, Nënë Tereza u shenjtërua, pavarësisht nga djajtë. Mbi 120 mijë veta ishin mbledhur nga e gjithë bota në atë shesh qiellor, njerëzia vazhdonte deri tej tek urat në brigjet e lumit Tevere nuk u dukej fundi, një imazh magjepsës që vezullon dhe tani në përfytyrime.

5 shtatori u bë kështu dita e shenjtes Nënë Tereza. Por të gjitha ditët janë të shenjta…

/Ora News

 

SHKARKO APP