Vizita në Tiranë/ Patriarku, mik i Vladimir Putin. Çfarë nuk dinit për drejtuesin e kishës ruse

Ndodhet në Tiranë që nga dita e djeshme por kush është Patriarku Kiril? Emri laik i patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë është Vladimir Mikhailovich Gundyayev, emër ky i lakuar shpesh nga mediat për kontraditat që ka krijuar.

Kirili lindi në nëntor 1946 në një familje fetare dhe në të njëzetat u angazhua në jetën e kishës, duke ngjitur shkallët e hierarkisë së saj, por vetëm pas viteve ‘90 do të bëhej i njohur.

Patriarku Kiril në fillimet e tij ishte i angazhuar në jetën e Kishës Ortodokse. Fillimisht Kirili shërbeu si arqipeshkv dhe më vonë si Metropolit i Smolenskut dhe Kalinigradit, e si kryetar i departamentit të kishës ortodokse për lidhjet e kishës me jashtë.
Vladimir Putin, Patriarch Kirill
Në këtë post Kirili shkaktoi edhe polemikat e para, pasi mori nofkën “Metropoliti i duhanit” dhe u akuzua nga mediat se kishte fituar miliona duke shfrytëzuar të drejtën që ju dha kishës për të importuar cigare pa taksa në vitet ‘90.

Kirili u përball ashpër me krahun konservator të Kishës ortodokse ruse që e akuzuan se po afrohej me kishën katolike, megjithatë në 2016-n ai u bë patriarku i parë i kishës ruse që u takua me një papë, pikërisht me Papën Françesku.

Kisha nën drejtimin e Kirilit, përsa i përket çështjeve kulturore dhe sociale, ka bashkëpunuar shumë me shtetin rus të Vladimir Putin, si dhe ka mbështetur zgjerimin e fuqisë ruse në Krime dhe Ukrainën Lindore.

Kirili njihet edhe për një nga komentet e tij më të debatueshme, atë për të drejtat e njeriut, të cilat i cilësoi herezi dhe në kundërshtim me Biblën, edhe pse nuk sqaroi se cilat të drejta të njeriut ai kundërshtonte.

Patriarku rus Kirill dhe ai shqiptar, Janullatos, kanë një miqësi gati 50-vjeçare, të cilën e kanë ruajtur dhe forcuar gjithnjë e më shumë. Kjo nuk është hera e parë që Janullatos dhe Kirill takohen së bashku, por është vizita e parë zyrtare e Patriarkut rus në Shqipëri.
1524948443_janullatos
SHOQEROHET NGA FORCAT SPECIALE
Mësohet se së bashku me të nga Rusia kanë udhëtuar dhe njësi special Ruse, që do garantojnë sigurinë e tij. Njësitë speciale Ruse, janë pjesë e stafit të sigurisë së Kirill në çdo vend të botës që ai viziton. Duhet theksuar se Kirill për nga rëndësia konsiderohet në rang të barabartë me krerët botërorë të feve si Papa i Romës, apo Patriarku i Stambollit, dhe nisur nga kjo situatë dhe shërbimet e sigurisë në Shqipëri kanë marrë një sërë masash për të parandaluar çdo ngjarje të pakëndshme, gjatë vizitës tre ditore të Kirill në Shqipëri. Struktura të antiterrorist pranë Policisë së Shtetit, Garda e Republikës dhe agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror, gjatë kësaj jave janë angazhuar në një sërë detyra operative, për të lokalizuar dhe mbajtur në vëzhgim elementë kriminale, dhe me prirje radikale.

AXHENDA E PLOTE NE TIRANE
Nga data 28-30 prill, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të presë Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin.

Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.

Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme ‘Ngjallja e Krishtit’, në Tiranë.

Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme ‘Ngjallja e Krishtit’, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.

Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare.

Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, ‘Deri në skajet e dheut’. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë Edi Ramën. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike ‘Ngjallja e Krishtit’. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’.

/Balkanweb

SHKARKO APP