Vlerat e gruas shqiptare promovohen në Austri, Kroaci dhe Slloveni

REPORTAZH nga Zenepe Luka

“Nermin Vlora” nuk ndalet. Takime me gruan shqiptare në Vienë, Slloveni, Koper dhe Zagreb. Aktiviteti i mbështetur nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në këto shtete. Së shpejti në Shqipëri një grup deputetesh të Parlamentit austriak. Vlerësuar me fakte, argumente, një bindje e konsoliduar tashmë, se ky Fondacion, në rrugëtimin e tij 15 vjeçar, është shndërruar në institucion, madje ia kaluar , sidoqë të punësuarit e institucionit, marrin rroga të majme nga shteti. Kjo edhe për vetë gjeografinë e shtrirjes së tij në 20 shtete.

Nisur nga problematikat e shumta që ka për gruan shqiptare , veçanërisht për dhunën ndaj saj, . Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” startoi veprimtaritë e planifikuara në shtete të Europës nga data 14- 19 shtator në Vienë, Slloveni, Koper dhe Kroaci. U mbajtën konferenca me pjesëmarrjen e gjerë të grave intelektuale shqiptare nga të gjitha trojet me një program të gjerë, detajuar sipas problematikave dhe specifikës që kishin. Pjesë e punimeve është ishte promovimi i librit “Testamenti i Grave për gratë”, bashkëpunimi me organizatat simotra në këto shtete si dhe duke u ndalur fort tek thirrja” Të gjitha bashkë, për të eliminuar me çdo kusht dhunën ndaj gruas”. Ishte një bashkëpunim i frytshëm me ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në këto shtete me degët e Fondacionit atje, ndërsa protoganiste ishte përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën, Vitore Stefa Leka.  Në këto veprimtari mori pjesë një përfaqësi e Fondacionit me zonjat: Zenepe Luka, Margarita Xhepa, Irini Qirjako, Vllasova Musta dhe Silvana Braçe.  Rrugëtimi i Fondacionit do të vijojë më 30 shtator në Itali, gjë gjatë muajit tetor në Gjermani, Paris, Londër. E gjitha kjo, një punë vullnetare e grave të shquara në të gjitha fushat.

 Në Vjenë

 Ka qenë një udhëtim i vështirë nga Lubjana për në aeroportin e Vienës. Lëkundjet e forta të avionit gjatë gjithë kohës, shkaktuan panik tek pasagjerët. Për këtë shkak, ulja në aeroportin e Vienës, u shoqërua me duartrokitje dhe thirrjen e fortë në të gjitha gjuhët:Shpëtuam. Në aeroport na priti Rolanda Limani, kryetare e degës në Vienë bashkë me zonjat e kryesisë së degës. Sidoqë avioni erdhi me shumë vonesë, Ambasadori Roland Bimo, si vlonjat që është, nuk luajti nga fjala e dhënë. Gjatë bisedës, që zgjati rreth dy orë, Bimo vlerësoi punën e Fondacionit për veprimtaritë e organizuara në Vienë dhe rolin e madh që luan gruaja intelektuale shqiptare nga të gjitha trevat, në Austri, për të mbajtur gjallë vlerat kombëtare, veçanërisht mësimin e gjuhës shqipe. Ambasadorit iu dorëzuan libri “Testamenti i grave për gratë” dhe Thirrja e Fondacionit “Të gjithë bashkë, për të mbajmë ndezur luftën ndaj dhunës mbi gruan”.

 

Konferenca me gratë nga të gjitha trevat

Pasditen e 15 shtatorit, dega e fondacionit në Vienë, me kryetare Rolanda Limani, në bashkëpunim me dy ambasadat shqiptare, në sallën e Ambasadës së Kosovës, organizoi konferencën me pjesëmarrje të gjerë të grave intelektuale shqiptare nga të gjitha trevat. Të pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë z. Roland Bimo me personelin e ambasadës, si dhe Ambasadori i Kosovës në Vienë z. Sami Ukelli. Aktivitetin e ndoqën edhe gra personalitete vieneze si zonja Anna Bolovich, këshilltare e qarkut, njëherësh kryetarja e grave socialdemokrate në bezirkun 12, humanistja e njohur , që ka mbështetur shumë njerëzit në nevojë në Shqipëri zonj. Elisabethe Krula. Aktivitetin e moderoi prezantuesja e njohur Silvana Braçe. Konferencën e çeli kryetare e degës së Fondacionit në Vienë, intelektuale e njohur Rolanda Limani, e cila u ndal edhe tek bashkëpunimi i frytshëm me organizatat e grave vieneze. Zenepe Luka, kryetare e Fondacionit, u ndal tek veprimtaritë madhore, që ka bërë Fondacioni gjatë rrugëtimit të tij 15 vjeçar, për promovimin e vlerave të grave intelektuale me kontribute të mëdha, ku nje kontribut të veçantë kanë dhënë edhe 20 degët e Fondacionit, në po kaq shtete. Nderi i Kombit Margarita Xhepa, përveç përshëndetjes, recitoi disa poezi, kushtuar gruas, nënës si dhe poezinë “Poçari”, që e ka aq përzemër të Dritëro Agollit. Poetja, kineaste Vllasova Musta u ndal tek mesazhet, që përcjell libri voluminoz “Testamenti i grave për gratë” i autores Luka. Irini Qirjako, Mjeshtër i Madh, ngriti adrenalinën tek të pranishmet, duke interpretuar këngën për Kosovën. Ambasadorët Bimo dhe Ukelli, në fjalën e tyre, e vlerësuan të rëndësishëm bashkëpunimin me degën e fondacionit në Vienë si dhe urat , që kanë ndërtuar me gratë intelektuale vieneze.

Mesazhi

Anna Bolovich, kryetare e grave socialdemokrate, intelektuale shumë e njohur foli gjatë, duke shprehur vlerësimin për gruan intelektuale shqiptare. Ajo mbështeti idenë e shfaqur nga fondacioni, për të ndërtuar një platformë të përbashkët, për të luftuar ashpër dhunën ndaj gruas. Vjenezia, që e do shumë Shqipërinë dha mendimin, për të bërë binjakëzimin e bashkisë së Vjenës me bashkinë e Vlorës dhe se protagoniste do të ishin gratë. Për të pranishmit u përcoll mesazhi i zonjës Renate Brauner, që pranoi kërkesën e Fondacionit, për të bërë vizitë në Shqipëri me një grup parlamentaresh vieneze, për të bashkëbiseduar e mbështetur gruan intelektuale shqiptare. Me emocion u priten fjalët përshëndetëse të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, që ndër të tjera, premtuan bashkëpunim të mëtejshëm me degën e Vienës. Ambasadori Bimo, nuk i përmbajti emocionet, kur Margarita Xhepa i dorëzoi Medaljen “Mirënjohje” akorduar nga Fondacioni, për mbështetjen, që ka dhënë si diplomat i karierës në mbështetje të aktiviteteve të këtij Fondacioni.  Takimi u mbyll me një koncert me këngë e valle shqiptare, për të kaluar më pas më festën etiketuar “Natë e bardhë vjeneze”

Drejt Sllovenisë

Sipas programit, më 16 shtator ishte planifikuar aktiviteti në kryeqytetin slloven, Lubjanë. Përshkuam 400 km rrugë automobilistike me dy mjete, që drejtoheshin nga dy zonja, anëtare të kryesisë së degës, Vlora Jonuzi dhe Mandush Gashi. Në selinë e Ambasadës shqiptare ishin mbledhur gra intelektuale shqiptare nga të gjitha trevat, breza, që jetojnë prej dekadash në këtë vend. Teksa uron mirëseardhjen, Ambasadori Pëllumb Qazimi, e cilësoi si ngjarje të shënuar për Ambasadën këtë aktivitet për gruan shqiptare. Përfaqësinë e Fondacionit ardhur nga Shqipëria e priti Ambasadori Pëllumb Qazimi dhe Vitore Stefa Leka, përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën.  Takimin e çeli zonja Fatbardha Qazimi, që ndër të tjera tregoi edhe përvojën e saj për mësimin e gjuhës shqipe duke punuar vullnetarisht. Afërdita Rexhepi u ndal tek organizimi i punës me gratë intelektuale, duke diskutuar për problemet, që ka gruaja shqiptare, duke arritur në përfundimin, se duhet bërë më shumë për promovimin e vlerave dhe njohjen e kontributeve të tyre.  Më tej vijoi programi, ashtu si edhe në Vjenë e që do të vijonte më tej në Koper dhe Zagreb. Përshëndetja dhe recitimet e Margarita Xhepës, këngët e Irini Qirjakos, mesazhet e librit “Testamenti i Grave për gratë”, përcjellë nga poetja Vllasova Musta , fjala e Vitore Stefa Lekës e Silvana Braçes, do të gjallëronin dhe entuziazmonin gratë pjesëmarrëse. Ambasadori Pëllumb Qazimi, që e kish lexuar më parë librin u shpreh: “Ky libër është një dëshmi e gjallë, bazuar në fakte edhe për punën 15 vjeçare, që ka bërë Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi, është një thesar, ku është skalitur gruaja e shuar shqiptare gjatë ekzistencës të popullit tonë. Ai është një gur i rëndë themeli në historinë e gruas shqiptare”. Takimin e përshëndeti edhe Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi.  Fondacioni, kish sjellë nga Tirana Medaljen “Mirënjohje” për Ambasadorin Pëllumb Qazimi, i cili nisi bashkëpunimin me Fondacionin kur mbështeti organizimin e Konferencës me gratë shqiptare, që jetonin në Kroaci në dhjetor të vitit 2009 dhe në vijim. Bashkëbisedimi vijoi edhe në koktelin e shtruar me këtë rast, më pas një shëtitje të gjitha bashkë në Lubjanën e bukur, ku takuam me shumë shqiptarë, që jetojnë në kryeqytetin slloven.

Në Koper-in e familjeve të shquara shqiptare

Shoqata “Iliria” me kryetar Heset Ahmeti, një shqiptar patriot, që jetën e tij ia ka kushtuar promovimit të vlerave të Kombit, na e bëri surprizë bashkëbisedimin për librin “Testamenti i grave për gratë”. Në sallën e shoqatës, ku çdo gjë është shqiptare, përveç grave shqiptare në Koper, ishin edhe përfaqësuese të disa shoqatave, që kishin ardhur deri nga Austria, Italia, Sllovenia, si fondacioni “Dukagjini” etj. Nuk mund të largoheshim nga Koper, pa vizituar e njohur nga afër objektet, gjurmët që kanë lënë në këtë qytet familjet shqiptare Brutti, Bruno, Boris etj, vendosur këtu 300 vite më parë, që kanë pasur një aktivitet të shquar ne jetën shoqërore, klerike, ndërtimet për dekada me radhë në këtë qytet. Cicëron aty është vetë Heseti, që ka kontribuar si askush tjetër për të nxjerrë në dritë këto fakte dhe që padyshim nevojitet një shkrim më vete për t’i pasqyruar.

Zagreb, krijohet dega e Fondacionit

Mëngjesin e 18 shtatorit udhëtojmë drejt Zagrebit. Takimi i parë ishte në sallën e hotel “Drubovnik” me një grup intelektualesh shqiptare, kishte për qëllim krijimin e degës së Fondacionit në Kroaci. Në këtë bashkëbisedim ishin të pranishme dhe folën Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete në parlamentin kroat dhe Ifete Çeku, Sekretare e Parë e Ambasadës së Kosovës. Në përfundim është zgjedhur kryetare e degës intelektualja e mirënjohur Dori Kerni. Ajo u shpreh, se është përgjegjësi të drejtosh degën e Fondacionit në Kroaci, ku ka një numër të madh grash intelektuale shqiptare dhe t’u përgjigjesh veprimtarive madhore, që bën Fondacioni mbarëkombëtar për promovimin e vlerave dhe mbështetjen e grave në Shqipëri, rajon dhe Europë.

Në dallim me takimet e tjera, në sallën madhështore të bibliotekës, rrethuar me mijëra libra, kishte pjesëmarrje të gjrë të grave, por edhe të intelektualëve shqiptarë dhe të shumë personaliteteve. Dori Kerni çeli takimin: “Në emër të shoqatës së grave “Drita”, të degës së Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, uroj bashkëbisedim të frytshëm për problematikat e gruas dhe promovimin e librit “Testamenti i grave për gratë. Gruaja shqiptare në Slloveni, e pranishme këtu ose jo, ndjehet e lumtur, që mes nesh kanë zonjat që drejtojnë Fondacionin, Nderi Kombit Margarita Xhepa, kryetaren dhe autoren e librit znj. Luka, nimfën e këngës popullorë Irini Qirjako, poeten Vllasova Musta, moderatoren Silva Braçe, Vitore Stefa Lekën, përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën, që thirret edhe Nënë Loke”.

 Më pas vijoi programi si edhe në takimet e tjera, duke folur, recituar e kënduar mysafiret e ardhura nga Tirana, që si në çdo rast, kanë ngritur të pranishmit në këmbë duke duartrokitur. E veçanta e kësaj konference, ka qenë pjesëmarrja e shumë personaliteteve si Sekretari i parë i ambasadës shqiptare në Zagreb, Ilir Qorri, Sekretare e Parë e ambasadës së Kosovës, Ifete Çeku, deputetja shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetari i Unionit të shqiptarëve të Kroacisë, Esad Çollaku, Konsull nderi i Shqipërisë në Kroaci, Basri Haliti. Gjatë mbajtjes së takimit njëri pas tjetrit morën fjalën, jo vetëm për të vlerësuar punën e Fondacionit dhe librin, që u promovua, por shtruan edhe problemet, që ka gruaja shqiptare dhe mbi të gjitha, lufta e pandërprerë që duhet bërë për të ndaluar dhunën ndaj gruas e propozimin e një ligji më të ashpër, për të ndëshkuar ashpër dhunuesit.  Nga ky takim mbresëlënës, për shkak të pjesëmarrjes dhe problematikave që u diskutuan, mësuam se gruaja shqiptare, që jeton prej dekadash në Kroaci, është pjesë e një komuniteti të integruar plotësisht në jetën dhe qytetin ku banojnë, se një numër i konsiderueshëm i tyre, janë të punësuara në institucione të rëndësishme. Ato janë mjeke specialiste, me grada shkencore në fushën e mjekësisë, jurisprudencës, pedagoge në universitete, fizikante, ekonomiste deri edhe pedagoge të gjuhë-letërsisë kroate. Shembulli më i vyer dhe modi që kërkohet, është intelektualja shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete në parlamentin kroat, që përfaqëson pakicat kombëtare në këtë vend, sikurse janë ato shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.

Ajo u shpreh për gazetën Koha Jonë se e konsideroj një ngjarje të rëndësishme takimin dhe bashkëbisedimin me gratë shqiptare nga të gjitha trevat në Zagreb. “Do të dëshironim që të bënim në Shqipëri me mbështetjen e Fondacionit një konferencë me pjesëmarrjen edhe të grave nga etni të ndryshme, pasi gruaja flet me një gjuhë, me një zë të vetëm, për të mbrojtur të drejtat dhe promovuar vlerat. Të veçantë e konsiderojmë në këtë konferencë, interesimin e TV kroat, që jo vetëm trajtoi gjatë zhvillimet e konferencës, por u ndal edhe në intervista për të mësuar rolin e Fondacionit në bashkimin e zërit të gruas mbarëkombëtare duke shtruar edhe pyetjen”, tha deputetja e parlamentit kroat.

Një bisedë e gjatë dhe një kafe “shtruar” në Ambasadën e Kosovës me ftesën e diplomates, Sekretares së Parë të Ambasadës, Ifete Çeku, ishte edhe përcjellja drejt aeroportit të Lubjanës, për tu kthyer në Tiranë.

SHKARKO APP