Vlorë: Akuakultura rrit prodhimin e peshkut
Në bashkëpunim me bashkimin evropian ministria e bujqësisë ka nizur zbatimin e një strategjie të re për zhvillimin e akuakulturës. Synimi mbetet në rritjen e prodhimit në 10 mijë tonë peshk në vit.
Shqipëria ka përcaktuar tashmë zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës dhe kapacitetet prodhuese. Duke iu referuar studimit më të fundit të Bashkimit Evropian Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, u shpreh se kapaciteti për zhvillimin e akuakulturës në det është 10 mijë ton peshk.
“Ka pasur mangësi në një planifikim dhe strategji më të mirë të këtij sektori. Prandaj ne bashkë me italianët kemi bërë studime përmes fondeve të Bashkimit Europian ku kemi arritur në përfundimin që kapaciteti i Shqipërisë për akuakulturë është rreth 10 mijë ton në det. Po të fusim këtu edhe ujërat e brendshëm, pra akuakulturën nëpër liqene artificiale atëherë shkojmë deri në 15-20 mijë ton prodhim peshku.”
Studimi parashikon që koshat ku rritet peshku, do të largohen nga bregu duke rritur cilësinë.
“Edhe pse ne kemi pranë Greqinë dhe Turqinë, që janë kampionë përsa i përket akuakulturës, megjithatë produktet tona e sidomos këto të Gjirit të Vlorës, konkurrojnë denjësisht në tregjet italiane”.
Aktualisht nga subjektet e akuakulturës në Gjirin e Vlorës prodhohen rreth 3,200 ton peshk, ndërsa investimet e kryera në stabilimentet e prodhimit vlerësohen në rreth 25 milionë euro. Tendenca e zhvillimit të akuakulturës në botë vlerësohet me rreth 20% rritje.