Vlorë/ Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, ngjarjet sipas kronologjisë
Në fillim të muajit qershor, forcat kryengritëse të udhëhequra nga Bajram Curri shpartalluan forcat turke në Qafën e Prushit. Në datat 28 dhe 29 qershor, kryengritësit e udhëhequr nga Isa Boletini, shpartalluan batalionet turke tek Ura e Senicës. Gjithashtu, brenda këtij muaji, kryengritësit shqiptarë, zhvilluan luftime me forcat turke në zonën e Prishtinës, të Pazarit të Ri dhe të Vuçiternës, ndërkohë që, në datën 4 korrik, morën Krujën dhe në 17 Korrik, hynë në Gjakovë. Në të njëjtën datë, kryengritja shqiptare, e detyroi qeverinë xhonturke të Said Pashës të jepte dorëheqjen. Në datën 5 gusht, sulltani shpërndau Parlamentin dhe dekretoi zgjedhjet e reja. Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve të vrullshme, që u pasuan edhe me ngjarje të tjera, në 8 tetor, Mali i Zi ishpalli luftë Turqisë dhe në 17 dhe 18 tetor, të njëjtën gjë bënë edhe Serbia dhe Turqia, gjë që shënoi edhe fillimin e luftës ballkanike. Në tërësi, kjo luftë drejtohej kundër Turqisë, porn ë një moment të caktuar të zhvillimit të saj, fqinjët kthyen sytë nga Shqipëria, duke synuar copëtimin e saj.
Fitoret e shteteve ballkanike ndaj Turqisë, I detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tye për të mos lejuar ndryshimet territoriale në Ballkan, në favor të interesave të aleatëve ballkanikë. Në rrethana të tilla, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vëndosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, me synimin për të parandaluar dhe për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë. Gjithashtu, do të synohej ruajjtja e tërësisë tokësore, duke u mbledhur një kuvend kombëtar ku do të vendosej për fatin e saj. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku, më 5 nëntor 1912 , organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare. Këtu u vendos të krijohej një Komitet Drejtues, të krijohej një komision që do të shkonte në kancelaritë evropiane, për të mbrojtuar përpara qeverive të Fuqive të Mëdha, të drejtat e kombit shqiptar.
Ndërkohë, komiteti i Bukureshtit, do të koordinonte veprimtaritë e komiteteve brenda e jashtë Shqipërisë. Por në këtë mbledhje, nuk u përcaktua me saktësi, në se do të ishte autonomia, apo pavarësia synimi i afërt. Pjesë e përpjekjeve diplomatike ishin edhe takimet që, Ismail Qemali zhvilloi në Vjenë me kontin Berthold dhe ambasadorin Italian. Ndërkohë, Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ndërkohë, ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet dhe trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte, grupi i atdhetarëve I kryesuar nga Ismail Qemali, vlerësoi se, e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në 19 nëntor, Ismail Qemali do të deklaronte nga Trieste , gjatë rrugës për në Shqipëri, se, menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme. Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm në Shqipëri, ku ndërkohë lëvizja atdhetare po përgatiste rrethanat. Ismail Qemali, I shoqëruar nga patriotë të tjerë, arriti në Durrës, në datën 21 nëntor, përtë ngritur flamurin në këtë qytet.
Por, për shkak të rrethanave të kohës dhe kundërshtimit të qarqeve të caktuara shoviniste, kjo përpjekje dështoi. Së bashku me delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Vlorë. Në Fier, u bashkuan me një pjesë të delegatëve nga Kosova dhe, në 25 nëntor, arritën në Vlorë. Menjëherë nisën përpjekjet për organizimin e forcave të armatosura, duke ngritur një komision të posacëm dhe bashkëpunimin me pleqësitë e fshatrave, për mobilizimin e njerëzve të aftë për të luftuar. Kjo, u diktua edhe nga keqësimi i rrethanave, për shkak të përparimit të ushtrisë serbe në territorin shqiptar. Ndërkohë, flamuri kombëtar ishte ngritur në Elbasan, Durrës, Tiranë, Kavajë, Peqin e Lushnjë.
-Ngritja e Flamurit ne Vlorë-
Në rrethana të tilla, delegatët që ndodheshin në Vlorë vlerësuan se, duheshin përshpejtuar procedurat për ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e pavarësisë kombëtare. Në mbrëmjen e datës 27 nëntor u vendos që, të nesërmen të mblidhej Kuvendi Kombëtar, megjithse, nuk kishin arritur edne mjaft delegatë nga trevat e ndryshme të Shqipërisë. Sipas historianëve dhe dokumenteve të kohës, Kuvendi Kombëtar i çeli punimet në orën 15.30 të ditës së nesërme. Në të morën pjesë 37 delegatëv, të cilët u shtuan më pas deri në 63 vetë dhe përfaqësonin të gjitha viset shqiptare duke qenë në një masë të madhe, udhëheqës dhe aktivistë të lëvizjes atdhetare. Mes tyre, ndodheshin Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Patër Anton Harapi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dhimitër Zografi, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif Dibra, Dhimitër Mborja, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin.Foto, e fillimit te shekullit XX, Sarajet e Vlorajve ne qender te qytetit, ku u zhvillua Kuvendi i Shpalljes se Pavaresise dhe ku u ngrit Flamuri. Foto Arkive nga Harilla Koçi
Në fjalën e tij, patrioti I madh nënvizoi se, në kushtet e krijuara, e vetmja rrugë për shpëtimin e atdheut, ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia dhe shpallja e pavarësisë. Ky propozim u miratua unanimisht nga delegatët që nënshkruan edhe dokumentin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë dokument theksohej mes të tjerash se “…Shqipëria me sot, të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkoshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar. Menjëherë pas kësaj, u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën anëtarët e senatit, i përbërë nga 18 anëtarë, me kryetar patriotin Vehbi Dibra. Në përbërjen e qeverisë dhe të senatit u zgjodhën njerëz me kontribut të spikatur atdhetar dhe përfaqësues të të gjitha trevave e të tri besimeve fetare. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga të gjithë delegatët.Në orën 17.30 të datës 28 nëntor, Ismail Qemali,doli në ballkonin e godinës ku u mbajt Kuvendi dhe njoftoi Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, duke ngritur Flamurin e qendisur nga atdhetarja Marigo Posio.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë,Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu , u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Ndërkohë, në përbërjen e Qeverisë së Përkoshme, mes të tjerash përfshiheshin: Ismail Qemali, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm: Petro Poga, Ministër i Drejtësisë: Myfid Libohova, Ministër i Brendshëm: Abdi Toptani, Monistër i Financave: Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit:, Mithat Frashëri, Ministër i Punëve Botore: Lef Nosi, Ministër i Postëtelegrafës. Akti I shpalljes së pavarësisë u përshëndet nga populli I mbledhur në shesh, ndërkohë që, patriotët Jani Minga e Murat Toptani, mbanin fjalime gjatë manifestimeve në rrugët e qytetit. Ndërkohë, Isa Boletini, mbërriti në Vlorë, një ditë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, në krye të 400 luftëtarë, të gatshëm të mbronin qeverinë dhe tërësinë territoriale. Trupat e komanduara nga Isa Boletini, u vendosën në dy pozicione në lagjet Muradie dhe Topana. Madje, në përkujtim të kësaj, bashkia e qytetit të Vlorës, i vendosi emrin e Boletinit, një rruge të lagjes “Topana”, e cila vazhdon të njihet me këtë emër edhe sot. Pas largimit të tij, nga Vlora, Isa Boletini la në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit, 25 burra nga Kosova, të cilët qëndruan në Vlorë deri në vitin 1925. Ata i shërbyen qeverisë së përkoshme dhe më pas, vendosjes së rendit, ndërkohë që ishin akomoduar në një godinë dy katëshe, në afërsi të sarajeve të familjes Vlora, e cila nga vlonjatët e vjetër, është njohur ndryshe si “shtëpia e kosovarëve”.
Aktiviteti i qeverisë së Përkoshme, mbrohej garantohej nga forcat e sigurisë, të cilat ishin ndarë në toga, me komandantët përkatës, me 32 luftëtarë secila. Mes tyre, spikasnin togat e komanduara nga Ahmet Lepenica, Ahmet Muka, Tol Arapi, Azis Çami, Thanas Beni, Cen Sharra. Ndërkohë, shef protokolli ishte Hasan Sharra. Dokumenti origjinal i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, u ruajt në mjediset e Muzeut të Pavarësisë, që si edhe sot, funksiononte në të njëjtën godinë. Më pas, në vitin 1937, ajo u zhduk. Një kopje origjinale të saj, e ruajti Lef Nosi, ish Ministër i Postë Telegrafës, i cili sipas, historianit Bardhosh Gaçe, e ruajti deri vonë.
Shtepia e Sharrajve ne Vlore, ku ishte vendosur Zyra e Poste Telegrafes ne diten e Shpalljes se Pavaresise dhe ku u vendos Ministria e Poste Telegrafes Foto Arkive nga Harilla Koçi-Godina ku u zhvillua Kuvendi Kombëtar-
Në fakt, godina ku u zhvillua Kuvendi Kombëtar, ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe patrioti Ismail Qemali. Këto saraje, të përbëra nga dy godina madhështore, pronë e Xhemil Beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit, ndodheshin në vendin ku sot është Sheshi i Flamurit, ose më saktë në pjesën ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e madhe. Kuvendi u mblodh në pjesën e sarajeve, që emërtohej ndryshe “selamllëku”, që ishte edhe godina më e madhe që sot përkon me pozicionin karshi hotel Sazanit. Sipas historianit Bardhosh Gaçe, ngritja e flamurit u realizua në dy kohë; fillimisht në ballkonin e katit të dytë, që ishte njëkohësisht edhe hyrja për në godinë dhe, më pas, në një nga dritaret e të njëjtit kat. Madje, kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet Shtiza e Flamurit. Nga ky akt, nuk pati fotografi, sepse mungonin fotografët e kohës. Por, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali, në ballkon, u realizua një viti më pas, në 28 nëntor të vitit 1913, në godinën ku u vendos Qeveria e Përkohshme, në skelë, aty ku ndodhet sot, Muzeu i Pavarësisë. Kjo foto, u realizua nga Marubi i famshëm i Shkodrës. Sarajet e Vlorajve, kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur ato u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e Flamurit. Pinjollët e familjes së famshme, u zhvendosën në godina të tjera, mes të cilëve, Syrja Beu(babai i Eqerem Bej Vlorës), pak metra më tutje, në godinën që sot emërtohet “shtëpia e Beut” dhe Siri Beu, në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot ndodhet njera prej vilave të shkatërruara në vitin 1997, të ish udhëheqjes komuniste, në Ujin e Ftohtë. Me nismën e Dom Markut, u konceptua skema e Shtizës së Flamurit, e cila u ndërtua pak vite më vonë. Kjo shtizë, është ndërtuar e rindërtuar disa herë në pozicione të ndryshme dhe, aktualisht, vendndodhja e saj, përkon me dritaren ku u ngrit flamuri nga Ismail Qemali. Madje edhe lartësia e saj, sipas Gaçes, është e njëjtë me atë të katit të dytë të godinës së Vlorajve. Shtiza e Flamurit, u realizua përfundimisht, nga Ali Asllani, dy herë kryetar bashkie, i Vlorës, në vitin 1918 dhe 1938.
– Telegrafisti që njoftoi aktin e Pavarësisë-
Pas vendimit dhe nënshkrimit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemali, Kryeministër, dorëzoi tekstin e njoftimit për Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike. Teksti u përcoll tek zyrat e Telegrafës, që ndodheshin pak metra më tej, në katin e parë të godinës së njohur të Sharrajve, e cila ka ekzistuar deri në mesin e viteve 1980-të. Mes punonjësve të kësaj zyre, ishte edhe Faik Kreshpa, një djalosh i ri, të cilit i ra shansi imadh të transmetonte tekstin e njoftimit të Shpalljes së Pavarësisë. Por, ky emër mbeti i panjohur për komunitetin. Propoganda komuniste e la atë në harresë, megjithëse Faik Kreshpa, ishte një qytetar i nderuar i Vlorës. Ai ka jetuar në Vlorë, deri në fillim të viteve 1960-të, kur ndërroi jetë, duke lënë pas, trashëgimtarë. Por, pakkush prej bashkëqytetarëve të tij, e dinte se, pikërisht ai ishte telegrafisti që njoftoi botën mbarë, për aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Megjithëse, Konferenca e Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, në vitin 1913, nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm të gjithë territoret shqiptare, 28 nëntori vlerësohet si ngjarja me e madhe, unikale në historinë e Shqipërisë.
(Marre nga ATSH)