Vojsava Nelo: “Gruaja me të zeza”, një shfaqje konkrete të shëmtisë njerëzore

Albina Gjergji

 

“Gruaja me të zeza”, titullohet romani që ka dalë në treg këto ditë nga shtëpia botuese, “Toena” dhe që mban firmën e shkrimtares, Vojsava Nela; një roman, që në vetvete ndërthur një shfaqje konkrete të shëmtisë njerëzore, që mishërohet në kohë dhe në personazhe të ndryshëm në brendësi të saj.

I zhanrit roman, “Gruaja me të Zeza” është një narracion artistik që tipologjikisht qëndron shumë afër me romanin magjik. Shkrimtarja e mirënjohur, Vojsava Nelo, ndërton një vepër, në të cilën kohët, ngjarjet, personazhet dhe përjetimet vendosen në kufi të ekzistencës së tyre. Kjo mënyrë rrëfimi i jep narracionit dramacitet dhe tension që e bëjnë lexuesin “t’i mbahet fryma”.

Vetë protagonstja e romanit, “Gruaja me të Zeza” shfaqet herë si një personazh real, herë si një fantazëm; herë e dukshme dhe herë e padukshme, duke përhapur një makth tragjik; duke shkatërruar njerëz dhe jetë njerëzish me tradhtinë, pabesinë dhe perversitetin pa cak.

Autorja, duke rifuksionalizuar artistikisht simbole dhe kumte që vijnë nga legjendat; tekste dhe mendësi të botës magjike, realizon një zhvendosje semantike të tyre në kohët e sotme. Përmes kësaj mënyre krijuese shkrimtarja përcjell mesazhin se progresi i njeriut dhe shoqërisë ndjek një trajektore dramatike. Gruaja me të zeza i vjen autores si një imazh nga fëmijëria, që e ka aty, brenda, të mbytur, por papritur e pakujtuar i del përpara. Ballë për ballë. 

Por ç’ndodh me autoren? Po me gruan me të zeza? Përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave e mësojmë duke lexuar romanin, i cili të intrigon me fabulën interesante dhe të emocion thellë me sintaksën tepër poetike. Si në tërë krijimtarinë e saj, edhe në romanin “Gruaja me të Zeza”, autorja qëndron në botën e njeriut. Aty lëviz mendimi dhe emocioni i saj, duke depërtuar në të gjitha thellësitë, deri në skutat më të errëta, prej nga vjen dhe Gruaja me të Zeza, e cila është shfaqja e plotë e shëmtisë së njeriut. Siç shihet në faqet e romanit, në ngjarjet që i lënë vendin njëra-tjetrës, Gruaja me të Zeza, gjendet kudo; në të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë e kudo përhap zezim, fatkeqësi, shkatërrim. 

Romani të trondit me dramacitetin, duke të pajisur me mesazhe për jetën dhe njeriun. Ndokush mund të gjejë diçka nga vetja aty, apo të marrë një përgjigje për të vërteta të hidhura, përgjigje që shpesh njeriu nuk arrin t’i gjejë; për një ngërç, për diçka që mund t’i rrijë aty, në fundin  e shpirtit, ku, siç thotë shkrimtari i madh francez i shek XIX, Viktor Hygo, “…shpesh gjen gjëra të mbytura më shumë  se në fundin e detit”. “Gruaja me të Zeza”, romani i ri i shkrimtares Vojsava Nelo, që mbërrin shumë afër me romanin magjik, të mbërthen që në faqet e para, duke të mbushur me përjetime, emocione dhe kënaqësi artistike.  

Fragment nga romani

– Do ta vras. Do ta vras, sapo të hyjë në derë…

…Me t’u hapur dera dhe ai hyri, ajo shkrepi plumbin e parë, siç e kishte paramenduar. Drejt e në organet gjenitale.

Shpërbërja e parë

Pa pritur shumë, plumbi i dytë. Drejt e në kokë. Andej nga burojnë të gjitha të këqiat; mendimet, planet dhe prapësitë ogurzeza të njeriut. Me këtë plumb, të dytin, donte të vriste pikërisht atë, Gruan me të Zeza, që i shkaktoi njëmijë e një të zeza, që e shkatërroi përfundimisht dhe e bëri të notojë në këtë pellg gjaku, që ndjeu ta zinte dhe pa humbur kohë lëshoi plumbin e tretë. Drejt e në zemër. Këtu ai mbylli sytë. Përgjithmonë. Ata sy që, deri në çastin e fundit i mbajti mbërthyer tek ajo, ndërsa e vriste pa u lëkundur. U shtri sa gjatë-gjerë, duke humbur në gjakun e vet, i cili po dilte nga dera e hapur, poshtë shkallëve si lumë. Aty ra e u mbyt edhe ajo. Nuk pa e nuk dëgjoi më.

Kur u përmend…

Biografi

Vojsava  Nelo lindi në Delvinë, ku nisin fillimet letrare të saj. Që në adoleshencë publikoi krijimet e para në revistat e kohës. Në vitet universitare botoi librin e parë, “Kur çelin ëndrrat” (poezi), i cili u mirëprit nga kritika, duke i hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar. Në vitin 1977 u pranua anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria e saj letrare-artistike është tejet e pasur, ku një vend të madh zënë librat me poezi si: “Mbretëroj”, 1995, “Idil në dy akte”, 1997, “Benvenuta Artemida”, (shqip-italisht, 2001), “Tretur tek puthja”, (lirika për dashurinë), 2004, “Gërsheti i prerë“, 2010.  Gjithashtu ka botuar sukseshëm romanet, “Mikesha e yjeve”, 1999, “Vajza e gjysmës së Diellit” 2002, “Të fshehtat e mikeve të mia” (Njëzetë e një ngjarje në një, 2007). “Gruaja me të Zeza” 2015. Vepra e saj ka një përgjërim dhe një sinqeritet, siç do të perifrazohet nga kritikë e studiues, si në librat e shenjtë. Ajo është ngjizur me një ndjenjë të thellë, ku gjithçka duket si në përtej-jetë, ku të gjithë nuk kanë nevojë të shtiren; të luajmë teatrin e keq të jetës dhe marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

Është ndër ata autorë, që mban lidhje intensive me lexuesin e saj, brenda dhe jashtë vendit. Vojsava Nelo është autorja e mbrëmjes poetike-teatrore “EJA TË DUHEMI”, vënë në skenë nga Teatri “Metropol” në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, (21 mars, 2012). Ka marrë pjesë në disa takime poetike kombëtare, ballkanike e Ndërkombëtare, duke u përfshirë në antologjitë përkatëse. Krijimtaria e saj është vlerësuar me çmime të rëndësishme si, çmimi i dytë “Për botimet më të mira të vitit“, në gazetën “Drita“, 1977 – çmimi “ASDRENI“ në “Netët Korçare të Poezisë”, 2010, etj..

Vojsava Nelo mban titullin, “Qytetare nderi”, dhënë nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Delvinës. Sot, shkrimtarja Vojsava Nelo është një zë origjinal i letërsisë shqipe si në poezi, ashtu edhe në prozë.

SHKARKO APP