Vrasja horror në Pogradec, sociologia: Familjet shqiptare janë lënë të vetme përballë çrregullimeve mendore

Një kronikë të paralajmëruar e konsideron krimin horror në Pogradec sociologia Entela Binjaku, ku djali i preu të ëmës kokën dhe ja vari te dera e shtëpisë.

Në një intervistë për Rtv Ora, Binjaku thotë se nëse disa hallka shtetërore do të kishin funksionuar më mirë jeta e të moshuarës do të ishte kursyer.

Binjaku: Jeta e saj mund të ishte kursyer dhe mund të kishte shpëtuar nëse disa hallka do të kishin funksionuar ashtu siç duhet. Duket si një kronikë e një ngjarje të paralajmëruar për aq kohë sa konfliktet në këtë familje kanë qenë të vazhdueshme, të denoncuara, kanë qenë edhe të lidhura me përdorimin e substancave të ndaluara që i dha rrugë kësaj ngjarje të tmerrshme.

Me shqetësim, ajo nënvizon se në shoqërinë shqiptare çështjet e çrregullimit të shëndetit mendornuk marrin seriozitetin që u takon.

Binjaku: Kjo ngjarje duhet të na bëjë të mendojmë se çfarë ndodh me të gjitha ato familje shqiptare që kanë një situatë të ngjashme familjare, ku një i afërm apo një pjesëtar vuan çrregullime të shëndetit mendor, ku nuk pranon të marrë mjekim, ku ndodh që është edhe përdorues i substancave të ndaluara që është ndër faktorët që rrisin prirjen për çrregullime të shëndetit mendor. Mendoj se në shoqërinë tonë çështje të tilla të çrregullimit të shëndetit mendor lihen mjaft mënjanë, nuk marrin seriozitetin që u takon, kemi ende tabu dhe i stepemi trajtimit të këtyre çrregullimeve, shtuar dhe rezistencën që bëjnë vetë njerëzit që vuajnë nga këto çrregullime për të ndjekur këshillat e mjekut apo për të marrë rekomandimet që u drejtohen, mund të mbërrijmë në situata mjaft të vështira.

Një ndër faktorët që i lë të vetme familjet shqiptare të merren me këtë lloj çrregullimi sipas Binjakut lidhet dhe me faktin se shërbimet mbështetëse te ne mungojnë.

Binjaku: Institucionet e shtetit tonë nuk janë seriozisht të angazhuara në trajtimin e të sëmurëve që vuajnë çrregullimin e shëndetit mendor. Mjafton fakti që policia ka marrë disa herë denoncim në këtë histori dhe kur nuk ka mundur dot ta parandalojë çfarë do të mund të parandalojë një nënë apo vajzë e mitur. U tha se ka qenë edhe i shtruar në institucionet e shërbimit psikiatrik, edhe këtu ka çaluar diçka. Një hallkë tjetër që mbetet e zbuluar është trajtimi i përdoruesve të substancave të ndaluara, qoftë për narkotikët apo të alkoolizuarve, të cilët e kalimin e kohës mund të shfaqin sjellje apo risqe të larta për sjellje të çrregulluara.

Ngjarja horror që shokoi mbarë opinionin sipas Binjakut duhet të sjellë një reflektim të thellë që raste të tilla të mos përsëriten.

Binjaku: Nga kjo histori tragjike duhet të merremi më shumë me çrregullimet e shëndetit mendor dhe të mësohemi me faktin se këto çrregullime do të duhet to trajtojmë seriozisht.

SHKARKO APP