“Vrima” e Rita Petros prezantohet në Rumani

Në datat 21 dhe 22 qershor, në Rumani, u zhvilluan dy promovime të vëllimit poetik “Vrima” të poetes Rita Petro. Në Bukuresht promovimi u zhvillua në Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, në sallën Lapidarium, ndërsa promovimi i dytë në qytetin bregdetar të Konstancës, në sallën prestigjioze ”Adrian Radulescu”të Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë. Evenimenti  kulturor, që zgjoi interesin e mediave vendase, u organizua nga shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, gjegjësisht me Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë të Konstancës, Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe me Grupin Editorial“Corint”, një nga Shtëpitë Botuese më të mëdha të Rumanisë.

Në përurim shkrimtarja e njohur rumune Ana Barton do të shprehej për vëllimin (që në rumanisht ka titullin “Origjina e botës”) se” “Poezia e Rita Petros ka qenë një befasi e madhe për mua, e kam lexuar brenda një nate, me një frymë, me një rumanishte të mrekullueshme, falë përkthimit të shkëlqyer të Marius Dobrescut dhe Luan  Topciu. Në vendin e saj ky libër ka zgjuar mjaft debate, i konsideruar tejet erotik-eksplicit, duke u konsideruar një sprovë tejet e guximshme. Për mua pikërisht erotizmi dhe seksualizmi i poezive, të shtjelluara, në të shumtën e herës, nën një perspektivë kozmogonike e mistike, madje edhe biblike, krijon impaktin emocional që mund të ta falë vetëm një poezi e shkëlqyer. Më pëlqeu shumë, kur e kur e ashpër, kur e kur shpuese, por edhe e mëndafshtë njëkohësisht.”

Ndërsa Prof. Univ. Dr. Angelo Mitchievici vlerësoi se: “Kemi të bëjmë, në një pjesë të mirë të librit, me poezi erotike të cilësisë më të lartë. Rolin që luan Rita Petro është ajo e bakantes (priftëresha që shoqëron perëndinë e Bakus-it), një bakante, e cila, në mënyrë paradoksale, nuk është e dehur me verë, por me ndjesitë e veta dhe është tejet e kthjellët në këtë gjendje dehjeje, duke bërë të mundur kësisoj që ndjesitë e saj të bëhen të komunikueshme nëpërmjet vargjeve poetike”.

Referenti tjetër, shkrimtari Ovidiu Dunareanu, manifestoi befasinë e lëçitjes së vëllimit poetik “Vrima” duke vlerësuar se ky vëllim luhatet mes modernes dhe klasikes. Sipas tij, vëllimi poetik ka strukturën e një romani lirik, me momentet më të rëndësishme të jetës, nga lindja deri në vdekje .Më tej ai u shpreh se: “Prej kohësh nuk kam pasur kënaqësinë të lexoj një libër të tillë: të bukur, të vlefshëm, gjithëpërfshirës, nga të gjitha perspektivat, konstruksion, përmbajtje (…) Ky libër ka një forcë të posaçme, një çiltërsi të jashtëzakonshme”.

Studiusi Luan Topçiu, bëri prezantimin e autores dhe të veprës së saj. Gjithashtu, ai u ndal në domethënien e veçantë që ka qyteti i Konstancës për kulturën shqiptare, duke nënvizuar, mes të tjerash, se në këtë qytet u hap shkolla e parë shqipe (1905) dhe se në tipografinë “Albania” të Konstancës panë dritën e botimit dy vëllimet poetike të Lasgush Poradecit, por dhe libra të tjerë të një rëndësie të veçantë për kulturën dhe letrat shqipe.“Rita Petro, është tashmë një emër mjaft i rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Është poete, sipërmarrëse e suksesshme, autore tekstesh shkollore etj (…). Vëllimi poetik “Vrima” shënoi një sukses në Shqipëri, jo vetëm nga pikëpamja letrare, por dhe jashtë letrare, duke qenë një sfidë e hapur për opinionin publik shqiptar, përmes trajtimit të disa temave tabu, pasi gjuha dhe tematika e poezisë u dalluan për kurajën e jashtëzakonshme….Në limitet e lirisë, poetja ka prekur kufij të rinj estetikë”

Shkrimtari dhe përkthyesi, Marius Dobrescu, në fjalën e tij, përpos të tjerash, duke shpjeguar procesin e përkthimit të një poeteje femër, theksoi se: “Poezia e Rita Petros meriton gjithë vëmendjen tonë…, është një këngë e pandërprerë që i dedikohet dashurisë, dashurisë mishtore, të cilën pikërisht ajo, një femër që përballet me të gjitha paragjykimet tona ballkanike, e lartëson dhe i përulet. Është një flijim i vendosur në këmbët e feminitetit. Kësisoj, duhet të njohim faktin se Rita Petro bën atë që asnjë burrë nuk guxon ta bëjë, dhe e kryen me çiltërsi të plotë, që prek kur lartësitë e Parajsës, kur thellësitë e Ferrit. Është triumfi i sinqeritetit absolut”

Në këto evenimente u përfshi dhe një recital poetik nga aktorja e Teatrit Kombëtar të Rumanisë, Olimpia Mălai, aktorja Lavinia Dumitrascu, të cilat recituan në rumanisht vargje nga ky vëllim, si dhe vetë poetja lexoi vargje në gjuhën shqipe.

SHKARKO APP