“Walalbania” dhe një Model Pozitiv

 

Në fillim të këtij muaji bëri një vizitë një javore një grup me 30 drejtorë të shkollave fillore flamande belge. Miqtë belgë erdhën në Shqipëri në radhë të parë për të parë dhe shijuar atraksionet turistike të vendit tonë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, e gjetkë, me qëllim që t’i bëjë ato të njohura në të 30 shkollat, dmth te mijra nxënës, mësues, prindër dhe dashamirës të tyre. Ata vizituan me këtë rast edhe Shkollën fillore «  Sabaudin Gabrani» në Tiranë, ku u pritën nga Drejtorja e kësaj shkolle, nxënës dhe mësues të saj; ata u njohën nga afër me nevojat dhe kërkesat e tyre, duke hedhur piketat e para të bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Vlera e shtuar e kësaj vizite qëndron në faktin se ajo mori spunto nga një “incident” jo i këndshëm dy vjet më parë.

Në Maj 2013, disa prindër shqiptarë që kishin fëmijtë e tyre në një nga shkollat më të mira flamande të Mesme në Bruksel, u ankuan dhe në median e shtypin belg lidhur me një referencë negative në tekstin e gjeografisë të klasës së 6-të. Aty, rajoni belg i Walonisë ndahej në tre pjesë për nga zhvillimi social dhe ekonomik: zona më e prapambetur krahasohej me vendin tonë me emrin “ Walalbanie”

Pas këtyre reagimeve, ish-Ambasadori ynë në Belgjikë, Ilir Tepelena, bashkë me stafin dhanë “alarmin”; ata komunikuan dhe zhvilluan takime urgjente me Ministrin e Arsimit, Kryetarin e Bashkisë së Eterbekut ku ndodhej kjo shkollë, etj.

Por, takimi kryesor ishte ai që u zhvillua me « të zotin e punës», Drejtorin e Përgjithshëm të Grupit të Shkollave flamande, Jacky Goris. Ky i fundit u tregua tejet pozitiv, i hapur dhe i predispozuar për të kapërcyer këtë problem, që ndonëse kishte ndodhur për një pakujdesi gati 20 vite më parë, ishte me ndjeshmëri të madhe publike. Pasi u hoq menjëherë kjo reference nga tekstet e reja, Drejtori i Përgjithshëm i Shkollave flamande, Jacky Goris sugjeroi me dashamirësi se ”ilaçi” me i mirë parandalues në këtë drejtim do të ishte kontakti i drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe mësuesve të të dy vendeve tona.

Muajt që pasuan dëshmuan se këto pohime nuk ishin thjesht dhe vetëm për mirësjellje dhe as sa për të kaluar radhën. Në maj 2014 shkoi në Tiranë Zëvendësja e tij për të parë gjendjen në vend, në mënyrë që mbi këtë bazë të hartohej një program veprimi i përbashkët.

Pas shkëmbimit të informacionit të nevojshëm, në shtator të vitit të kaluar, Drejtori i Përgjithshëm Jacky Goris “zbarkoi” vetë në Tiranë, bashkë me dy drejtorë të tjerë. Aty ata nënshkruan Kartën e Binjakëzimit të dy shkollave të turizmit, në prani dhe të ish-Ministrit të Çështjeve Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Ata panë nga afër Shkollën e Kuzhinës dhe Turizmit në Tiranë dhe atë të Gjuhëve të Huaja dhe mbresat nga këto vizita i hodhën menjëherë në rrjete sociale dhe i botuan dhe në median  prestigjioze të Flandrës.

Për konkretizimin e Kartës së nënshkruar në Tiranë,  në Mars të këtij viti, një grup drejtorësh dhe mësuesish të shkollës së turizmit nga Tirana erdhën të ftuar në Bruksel nga Shkolla e Mesme e Kuzhinë – Turizmit « Coovi», me madhja dhe më e njohura e këtij lloji. Ajo ka 1500 nxënës dhe një staf me 190 mësues dhe personel ndihmës. Krahas godinës kryesore, kjo shkollë ka shenjë dalluese « Kullën e qelqtë të Kuzhinës »  me 14 kate, ku janë dhe mjediset e mësimit  dhe restauranti elitar me pajisjet më moderne të kohës. Aty shkojnë për të drekuar ose darkuar edhe personalitete të jetës politike, ekonomike dhe kulturore belge, ministra, deputetë, etj. Por, ajo që ndoshta dallon këtë shkollë  është se  produktet e saj “ bio” janë të njohura edhe për tregun belg me kërkesë në rritje për to.

Këtë shkollë me emër ka vite që e drejton bashkëatdhetari ynë, Ali Islamaj, i cili është kthyer tashmë në një “ diplomat të spîkatur qytetar” të vendit dhe arsimit tone; atij po i referohen përherë e më shumë nxënës, mësues dhe kolegë të tjerë të shkollave të tjera. Aliu përbën një shembull të spikatur të historisë së suksesit të diasporës sonë të hershme në Bruksel. Ai nuk rresht së menduari dhe së vepruari për të bërë diçka të mirë për vendin dhe sidomos arsimin tonë. Shfrytëzon për këtë qëllim njohjet dhe reputacionin që ka në rrethe prestigjioze të politikës, diplomacisë, medias dhe arsimit belg.  

Këtë realitet patëm rastin ta shohim edhe në aktivitetin “ Dyert e Hapura” që kjo shkollë organizoi në fund të Marsit me pjesëmarrjen e qindra prindërve, nxënësve dhe mësuesve, që rezultoi në shtimin e rregjistrimeve në këtë shkollë. Mysafirët nga Shqipëria erdhi për t’i përshëndetur edhe Ambasadorja jonë në Belgjikë dhe Shefe e Misionit pranë BE-së, Suela Janina; mes saj dhe të pranishmëve u zhvillua një bisedë e hapur me plot ide dhe mendime për të ardhmen.  

Ndërkohë, këto vizita dhe aktivitete kishianbërë efektin e tyre. Te nxënësit dhe mësuesit e shkollave flamande ishte rritur “ oreksi” për të vizituar vendin tonë. Kështu, në fillim të muajit Maj, një grup me 28 nxënës dhe mësues të një shkolle të mesme të Anderlechtit qëndruan një javë në Shqipëri, duke vizituar pikat dhe atraksionet më të bukura turistike të vendit tonë.  Dhe kështu erdhi radha e 30 drejtorëve të shkollave fillore, për të cilët folëm në fillim të këtij shkrimi.

Tani “loja” është hapur dhe të tjerë mësues, drejtorë dhe nxënës duan të vizitojnë vendin tonë. Roli dhe efekti i këtyre vizitave është i madh dhe i pakrahasueshëm. Natyrshëm ato kanë besueshmëri më të lartë, se janë vetë të rinjtë dhe mësuesit belgë që japin vlerësimet, duke i shpërndarë ato gjithandej, falë dhe rrjeteve sociale.

D. J

SHKARKO APP