Zaev kërcënon Gruevskin
Kryeministri Zoran Zaev nga takimi i LSDM i mbajtur mbrëmë në Veles lëshoi kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar se do të ketë veting të plotë për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët me qëllimin të pastrohen radhët e gjyqësorit.
Por ai është ndalur në mënyrë të veçantë tek ish-kryeministri Nikolla Gruevski, për të cilin është kërkuar pezullimi i çështjes së njohur si “Trajektorja” që hetohej nga Prokuroria Speciale, me pretendimin e vjetërsisë së saj.
Në rastin e bujshëm, Gruevski së bashku me disa ish ministra akuzoheshin se i kishin shkaktuar buxhetit një dëm prej 155 milionë eurosh, thotë INA.
“Gruevski mendon se shpëtoi për shkak të vjetërsisë së çështjes për kreditë kineze. Por përsa kohë të marr frymë unë, ai nuk do të shpëtojë. Nuk do të shpëtojë, sepse çështja është, hetimet do të vazhdojnë dhe do të merren vendime” – deklaroi Zaev.
Sipas tij, në fund do të mësohet e gjithë e vërteta. “Unë besoj se Gruevski është koka e kësaj shkeljeje, për shkak se ato 5 për qind, ato 15 milionë euro i kishte bërë pazare, i kishte organizuar dhe i kishte marrë ai. Unë e kam dëgjuar këtë, por gjykata duhet ta dëshmojë”, ka thënë Zaev.