Zaev paralajmëron BE-në: Nëse nuk hapen negociatat me Shkupin, mos prisni zgjidhjen e çështjes me Kosovën

Nëse BE nuk e merr vendimin për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, kjo praktikisht do të thotë se nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në një intervistë për median serbe “Tanjug”, Zaev thotë se nëse nuk hapen negociatat me Shkupin, BE nuk mund të presë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për të cilën Maqedonia e Veriut dhe Greqia theksohen vazhdimisht si një shembull.

“Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës tani është një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE-ja “ndëshkon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke shtyrë negociatat e pranimit, si mund të pritet që Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi të gjejnë zgjidhjen për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojnë liderët e Bosnjë-Hercegovinës për të gjetur zgjidhjen për formimin e qeverisë?“, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se motivimi i BE-së është i nevojshëm.

“Unë shpresoj se BE do të na japin me motivimin për të vazhduar me punën e madhe për reformat dhe të ardhmen”, tha Zaev.

Ai tha se është ende shpresëplotë se Maqedonia e Veriut do të marrë dritën e gjelbër gjatë takimit të krerëve të vendeve anëtare të BE-së, pavarësisht se nuk e ka marrë po-në nga Këshilli i BE-së në Luksemburg dy ditë më parë.

SHKARKO APP