Zambaku i Prizrenit

Një natë në Prizren me këngën popullore qytetare

Nga RAMAZAN ÇEKA

  Në qytetin e bukur të Prizrenit, në kinemanë “Lumbardhi” u zhvillua edicioni i 29-të i Festivalit të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” 2017 me një pjesëmarrje të gjërë të artistëve këngëtarë, kompozitorë e poetë nga të gjitha trevat shqiptare.

   Ky Festival ka vite që i mungon Prizrenit, duke ditur se ky qytet është vatër e kulturës dhe muzikës së vjetër popullore qytetare. Ky aktivitet u zhvillua në këtë qytet ku të gjithë të ftuarit patën rastin të argëtohen nga artistët më të shquar të muzikës popullore shqiptare, por njëkohësisht patën mundësinë të përjetojnë nga afër emocionet dhe kënaqësinë që sjellë interpretimi live i këngëtarëve fitues në këtë edicion, shoqëruar nga një orkestër prestigjoze të drejtuar nga dirigjenti Tomorr Berisha.

   Festivali mblodhi shumë artëdashës, duke i dhënë një dimension tjetër këtij evenimenti tradicional të këtij qyteti të bukur dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm, por unë do të ndalem tek pjesëmarrja e dy këngëtarëve të rinj shkodran, Ilsi Ademi dhe Glerdit Turmetaj, të cilët merrnin pjesë si këngëtarë konkurues, përfaqësues të Shkodrës.

    Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e këtij koncerti madhështor dhe njëkohësisht ndjehem shumë i gëzuar që këngëtari tanimë mjaft i njohur dhe i suksesshëm Ilsi Ademi u paraqit me një performancë të shkëlqyer me këngën “Zambaku e lulebora”, tekstin e së cilës e kam thurur unë dhe e ka kompozuar e orkestruar maestro Gazmend Kraja, një ndër muzikantët e njohur në qytetin e Shkodrës.

   Në këtë Festival këngëtari Ilsi Ademi u shpall “Interpretuesi më i mirë”.

   Me një performancë të shkëlqyer u paraqit edhe këngëtari Glerdit Turmetaj me këngën “Karaifilin unë e zgjodha” me tekst të poetit të shquar Jorgo Papingji “Mjeshtër i Madh”, kompozuar nga profesor Nexhat Rexha dhe orkestruar nga maestro Ilir Zoga, drejtues artistik në Teatrin “Migjeni”.

   Duhen falenderuar të gjithë organizatorët e Festivalit, por në mënyrë të veçantë drejtori i këtij Festivali z.Istref Krasniqi që me aftësitë e tij profesionale arriti ta bëjë Prizrenin për një natë një bahçe të bukur me lule ku mund të gjeje zambakun e Prizrenit, luleboren e Shkodrës, lulet e limonit të Jugut dhe të gjitha lulet e fushave dhe bjeshkëve shqiptare që i japin një aromë të pavdekshme këngës tonë kaq të bukur.

   Urime dhe suksese të dy djemve shkodranë, por njëkohësisht të gjithë këngëtarëve dhe muzikantëve që u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje të shënuar artistike, që erdhi kaq e bukur dhe e freskët në një natë prizrenase dhe që tregoi se tradita është dhe me pak përpjekje mund të mbahet gjithmonë e gajallë. Dhe 29 edicione nuk janë pak për ta quajtur Festivalin traditë.

   Prizreni ka shumë karakteristika që e veçojnë, por dy prej tyre, e që janë më të veçanta, janë muzika popullore qytetare dhe mikpritja tradicionale, një virtut i vjetër i ruajtur edhe sot e kësaj dite në këtë qytet.

   E pikërisht festivali “Zambaku i Prizrenit” synon gërshetimin e këtyre dy traditave, të cilat bashkohen në një “institucion” si në një sofër të rëndësishme kulturore e etnografike në qytetin e Prizrenit.

   Festivalin e hapi moderatorja Vjollca Selimi, duke falenderuar pjesëmarrësit, organizatorët, jurinë e këtij festivali, si dhe shikuesit që po e ndiqnin përmes TV 21 edicionin e 29-të të Festivalit, i cili përveç argëtimit kishte edhe karakter garues.

   Në këtë skenë madhështore këngëtari Ilsi Ademi, përformoi live mes shumë duartrokitjeve këngën e re, titulluar “Zambaku e lule bora”, duke u shoqëruar nga grupi orkestral mikpritës.

   Ky këngëtar falenderoi organizatorët e këtij festivali, vlerësoi gërshetimin e këngës popullore shkodrane me atë kosovare, muzikën e bukur të profesor Gazmend Krajës dhe autorin e tekstit, duke u shprehur se kjo natë krejtësisht e veçantë nga aktivitetet në skenë, do të mbetet e paharrueshme për të.

   Natyrisht Festivali kishte edhe çmime, por çmimi më i mirë ishte mikpritja që i bëri publiku në Prizren artistëve pjesëmarrës.

   Juria përbëhej nga: Kristi Lekaj, kompozitor, Butrint Bucurri, kompozitor, Kreshnik Aliçkaj, kompozitor dhe Osman Goranci, publicist.

   Çmimin e parë të jurisë e meritoi kënga “O zambak lule n’parajsë” me tekst të Hivzi Krasniqit, kompozuar dhe orkestruar nga Tomor Berisha, kënduar nga Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kelani.

   Çmimin e dytë e fitoi kënga “Ugurlar olsun” me tekst të autorit Shahin Qangae, kompozuar nga Hysein Kazaz, orkestruar nga Edon Ramadani, kënduar nga Tolga Kazaz.

   Çmimin e tretë e fitoi kënga “Elegji për dashuri” e Artan Bakisë, i cili ishte autori i tekstit, muzikës, orkestrimit dhe njëkohësisht dhe vetë këngëtari i saj.

   Çmimin “Zambaku i argjendtë” si çmim i publikut e fitoi kënga “Balada X” me tekst të autorit Lebit Murtishi, me kompozim dhe orkestrim të Besim Berishës, kënduar nga Andi Qerreti dhe Vanesa Kastrati.

   Për interpretim më të mirë u vlerësua këngëtari Ilsi Ademi me këngën: “Zambaku e lulebora”.

   Teksti më i mirë u vlërsua teksti i këngës “Violinë e vjeter” i autorit Agron Kalludra.

   Ky festival ka kultivuar dhe ruajtur traditën e këngës dhe muzikës qytetare.

   E veçanta në këtë vit ishte se pjesmarrës ishin edhe këngëtarë të shquar nga Shqipëria ku mund të veçojmë fituesin Ilsi Ademi dhe Glerdit Turmetaj që elektrizuan skenën me performancen e tyre duke mbirë në këtë skenë si zambak të vërtetë.

   Ky festival me përmasat e një spektakli të realizuar në perfeksion, organizuar me profesionalizëm nga kompozitori i mirënjohur kosovar Istref Krasniqi, tregoi se Prizreni e do dhe e ruan këtë traditë të kahershme.

   Spektatorët shijuan zërat e bukur të këngëtarëve, të cilët kultivojnë këngën shqiptare bashkëkohore dhe të traditës.

   Këtë vit nga 25 këngë të paraqitura, juria ka përzgjedhur 15. Ajo ka përzgjedhur një këngë më shumë këtë vit, sepse tradicionalisht në festival paraqiten 14 këngë.

   Vitin e ardhshëm është edicioni jubilar i 30-të, ndërsa që sivjet është menduar që t’i propozohet Kuvendit Komunal që “Zambaku i Prizrenit” të mbahet dy net me radhë.

   Duke parë ecurinë e Festivalit këtë vit, drejtori i Studio Helix, Istref Krasniqi u shpreh se në të ardhmen interesimi do të jetë edhe më i madh.

   Istref Krasniqi falënderoi të gjithë kompozitorët për pjesëmarrjen dhe shpreh keqardhje se rregullat e festivalit kërkojnë numër të caktuar të këngëve dhe kërkoi nga pjesëmarrësit që në të ardhmen të punojnë për të sjellë në Festival krijimtari sa më të arritura artistike.

SHKARKO APP