Zbulimi që do të bëjë të rishkruhen tekstet e biologjisë
Një zbulim i ri mbi mekanizmin e fotosintezës mund ta bëjë të domosdoshëm rishikimin e teksteve të biologjisë.
Studimi i publikuar në revistën “Science” është drejtuar nga College London dhe në të kanë marrë pjesë grupe shkencëtarësh nga Australia, Franca dhe Italia.
Bimët mbi tokë e përdorin dritën e kuqe të dukshme në procesin e fotosintezës, por një lloj i ri përdor një variant tjetër të dritës: atë infra të kuqe.
Ky proces është hasur te disa alga që rriten në hije Yellowstone dhe shkëmbinjtë bregdetarë të Australisë.
Në procesin e zakonshëm të fotosintezës, pigmenti jeshil i bimëve, që njihet ndryshe si klorofili-A, e mbledh dritën dhe e përdor për ta kthyer në ushqim.
Mënyra se si klorofili-A e përthith dritën do të thotë se vetëm energjia që vjen nga drita e kuqe mund të përdoret për procesin e fotosintezës.
Klorofili-A është i pranishëm në të gjitha bimët, algat dhe cianobakteret që ne njohim.
Shkenca ka pranuar se energjia e dritës së kuqe vendos edhe “kufirin e kuq” për fotosintezën, që do të thotë sasinë minimale e energjisë që nevojitet për procesin kimik që prodhon oksigjen.
Por studiuesit vunë re në algat e Yellowstone-it se në kushtet e dritës infra të kuqe, klorofili-A del jashtë loje dhe ia lë funksionin klorofilit-F.
Deri tani dihej se klorofili F vetëm e mblidhte dritën.
Por studimi në fjalë tregoi se ai luan një rol kyç në fotosintezë në kushtet kur bima rritet në hije.
Ai përdor dritën më të dobët, infra të kuqe, për të kryer procesin.
Kjo për shkencëtarët është fotosintezë përtej kufirit të kuq, që shkon përtej standardeve të njohura deri tani të këtij procesi.