Zbulohet letra sekrete për Ramizin/ “Pashkët s’u festuan, u arrit një sukses, por grekërit na provokuan me 20 vajza të degjeneruara, që kërcyen dansin halahup dhe…”
Publikohet dokumenti i panjohur me siglën “sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit, fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku bëhet fjalë mbi një letër që mban datën 30 prill të vitit 1967-të, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Gjirokastrës, njofton Sektorin e Edukimit pranë aparatit të Komitet Qëndror të PPSH-së që drejtohej nga Ramiz Alia, lidhur me masat që ata kishin marrë për të mos lejuar festimin e Pashkëve në fshatrat e minoritetit grek të zonës së Dropullit, si Sotira, Rëza e Zezë, Kakavija, Pogoni, etj. Si i’a arritën ata ta ndalonin atë festë fetare duke e bërë ditë pune dhe duke festuar 25 prillin, Ditën e Kufitarit, dhe provokacionet që iu bënë nga posta kufitare greke, ku ditën e Pashkës, “ishin mbledhur 20 vajza të degjeneruara me fustane të shkurtëra, që kërcyen dancin halahup me ushtarët monarkofashiste të postës kufitare, të cilët i’u bërtisnin fshtarëve tanë, duke u thënë se: përse kishin dalë në punë për ditën e Pashkës”?!
Vendimi që kishte ndërmarrë udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën në vitet 1965-’66-të për zhdukjen e besimeve fetare, ndalimin me ligj të fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit, si kisha, xhamija, manastire, teqe, tyrbe, etj., gjë e cila u sanksionua pas fjalës së Enver Hoxhës në Byronë Politikë që u bë publike në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 shkurt të vitit 1967-të, pati mjaft reagime dhe kundërshtime të shumta, jo vetëm nga ana e klerikëve të ndryshëm, por edhe nga besimtarë të shumtë.
Në atë kohë në adresë të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht të Enver Hoxhës, u dërguan letra dhe telegrame të shumta, ku klerikë të ndryshëm si dhe besimtarë të shumtë, herë duke dalë hapur me emra apo dhe anonimë, i bënin me dije për atë që po ndodhte dhe kërkonin që të ndërpritej ajo fushatë që kishte filluar ndaj besimeve fetare, ku komitetet e partive dhe ato ekzekutive të rretheve, ishin vënë “në garë”, se kush i zbatonte më mirë dhe më shpejt, direktivat e Partisë në luftën kundër fesë.
Mirpo kjo gjë, pra reagimi ndaj fushatës që kishte filluar me luftën ndaj fesë, jo vetëm nuk e stepi udhëheqjen e lartë të PPSH-së, dhe personalisht Enver Hoxhë, por përkundrazi, i nxiti ata më shumë, duke e çuar atë luftë edhe me masa represive, siç ishte arrestimi i disa klerikëve katolikë kryesisht në Shkodër, Lezhë, Pukë, Tiranë, etj., apo dhe demaskimi publik i tyre kudo ku ata ndodheshin.
Por, duke qenë se edhe këto masa nuk po jepnin rezultatet e duhura, ndryshe nga fjala e tij që u bë publike më datën 7 shkurt të atij viti në gazetën “Zëri i Popullit”, ku Enver Hoxha fliste “për zhdukjen e zakoneve prapanike me punë bindëse dhe edukative”, madje duke u kamufluar dhe e paraqitur atë si një nisiativë të organizatave të rinisë (siç ishte shkolla e mesme, “Naim Frashëri” në Durrës), më datën 27 shkurt, ai iu dërgoi një letër të gjatë me siglën “Tepër sekret”, të gjithë komiteteve të partisë së rretheve, ku jepte direktiva dhe sqaronte me detaje dhe hollësi si duhej ndërmarrë lufta kundër fesë dhe prishja e objekteve fetare, duke dalë hapur se ato “do i rrafshonin nga faqja e dheut”.
Të gjitha këto masa represive që ndërrmori asokohe udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, duke vënë në lëvizje edhe organet e Diktaturës së Proletariatit (Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Brendëshme etj), situata vazhdoi të agravohej dhe pas reagimeve të shumta pothuaj në të gjithë vëndin, në disa rrethe, si në Peshkopi, Mat, Tiranë, Elbasan, Sarandë etj., pati konfrontime fizike ndërmjet besimtarëve të ndryshëm dhe “shokëve të partisë e rinisë” që kishin shkuar për të prishur objektet e kultit, si kisha, xhamia, manastire, teqe, tyrbe, etj.
Kjo situatë disi e papritur që po precipitonte gjithnjë e më shumë, duket se shqetësoi edhe shumë Enver Hoxhën, i cili për t’i paraprirë apo parandaluar ndonjë reaksioni në masë, mbajti disa takime pune ditore me sekretarët e Komitetit Qëndror të PPSH-së, si dhe me sekretarët e komiteteve të partive dhe ato ekzekutive të rretheve, duke dhënë udhëzimet dhe orientimet e rastit, për gjithçka që po ndodhte në të gjithë vëndin, si dhe “masat që duheshin marrë me punë bindëse e politike dhe jo me forcë e masa administrative, pasi ajo gjë nuk ishte punë ditësh, por vitesh…”!
Lidhur me këtë, bën fjalë dhe ky dokument që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, me siglën “sekret” ku Komiteti i Partisë së rrethit të Gjirokastrës, nëpërmjet sekretarit të parë, Rrapo Dervishi, më datën 4 prill të vitit 1967, njofton Sektorin e Edukimit pranë aparatit të Komitetin Qëndror të PPSH-së që drejtohej nga Ramiz Alia, lidhur me masat që ishin marrë për të mos lejuar festimin e Pashkëve në zonën e minoritet grek të atij rrethi dhe se si ja kishin arritur ata që ta ndalonin atë gjë, që në letrën në fjalë, e konsiderojnë si një fitore të madhe. Për më shumë, na njeh dokumenti në fjalë që publikohet i plotë ashtu siç ndodhet në dosjen përkatësë të fondit të ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së.
Letra e Rrapo Dervishit për Ramiz Alinë
PARTIA E PUNES SHQIPERISE S E K R E T
KOMITETI I PARTISE RRETHIT Ekz. Nr. 1
GJIROKASTER
Nr. 123 Gjirokastër, më 30/4/1967
Lënda: Informacion mbi punën që u zhvillua kundër pashkëve në minoritet
KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE
(Sektori i Edukimit)
T I R A N E
Në bazë të udhëzimeve të Komitetit Qëndror të Partisë, Komiteti i Partisë së rrethit t’onë, zhvillon një punë të pandërprerë ideollogjike antifetare. Në rradhë të parë ne jemi përpjekur që të krijohet një opinion i qartë në komunistët, kuadrot dhe aktivistët, se zhdukja e institucioneve fetare nuk do të thotë aspak zhdukja e besimeve, riteve fetare. Pikërisht për këtë janë marrë dhe po merren herë pas here masa propagandistike dhe organizative. Kështu u vepruar edhe gjatë muajit prill të këtij viti.
Komiteti i Partisë shtroi detyrën: T’u dalim përpara Pashkëve, që ato të mos festohen. Kjo çështje u theksua në mënyrë të veçantë për organizatën e Partisë e të masave që veprojnë në zonën e minoritetit, ku për arsye që dihen, feja ka rrënjë më të thella. Përveç kësaj, ne u shtymë të dëndësojmë punën tonë ideollogjike e shkencore antifetare edhe për faktin se në muajin prill, radio-stacionet greke shtuan propagandën e tyre fetare për Pashkët.
Ç’farë masa konkrete u muarrën nga ana e Komitetit të Partisë?
Piksynimi ynë është t’u dalim Pashkëve përpara, që ato të dështonin. Masat ishin të tilla, që në vënd të kësaj dite fetare që binte më 21 prill, të festohej Dita e Kufitarit më 25 prill. Drejt kësaj date shpinin dhe përgatitjet t’ona. Kështu përshëmbull, me këtë festë u plotësua elektrifikimi i fshatit. U hodha parrulla: “Me rastin e 23 vjetorit të themelimit të Forcave të Kufirit, dritat elektrike do të ndriçojnë edhe në dhjetë fshatra të tjerë të brezit kufitar”. U dëreguan në fshatrat e minoritetit dhe vazhdojnë punën dy ekipe të Komitetit të Partisë, të cilat në kuadrin e punës ideo-politike të Partisë, zhvillojnë edhe punë bindëse antifetare. Në këtë luftë u tërhoqën edhe shumë arsimtarë. Me mësuesit e shkencave shoqërore u referua tema “Lufta kundër fese, është një luftë e gjatë ideologjike” dhe u thanë se si duhet organizuar e zhvilluar puna. Në “Pararoja” e “Llaikovima”, u botuan një cikël shkrimesh të karakterit ideollogjik dhe historik kundër fesë. U organizuan një sërë aktivitetesh të përbashkëta, midis pikave të kufirit dhe rinisë së terrenit, duke tërhequr kjo e fundit edhe në punë direkte me prindërit, për të mos mbajtur kreshme, për të vepruar edhe ajo që në vënd të Pashkëve, të festohej si asnjëherë, festa e Kufirit. Kjo shërbeu edhe për vetë edukimin e rinisë, sidomos në zonën e kufirit, e cila njëkohësisht përgatitej të vente në takimin që do të zhvillohej në Gjirokastër e në rrethe të tjera e Shqipërisë së Jugut. Ne përkrahëm mendimin, që e diela 21 prill, të bëhet ditë pune, ndërsa shkollat të bëjnë ditë mësimi, dhe pushimi u shpall më 23 prill, Dita e Kufirit. Si përfundim, u krijua një atmosferë festive për ditën e kufitarit, gjë që largoi vëmëndjen për Pashkët, dhe nga shumë njerëz në moshë të kaluar, të cilët shpirtërisht u përgatitën jo për Pashkët, por për festën e kufirit.
Cilat ishin rezultatet që u arritën si pasojë e këtyre masave kryesore kundër Pashkëve?
Në përgjithësi Pashkët nuk u festuan. Është hera e parë që u arrit një sukes i tillë në minoritet, ku Pashka ka qenë festa më e madhe. Zotëroi festa e Kufirit, përgatitjet e së cilës i kishim filluar me kohë. Jo vetëm organizatat e Partisë, por edhe ato të masave ishin në këmbë. Ja disa shëmbuj:
Datën e 19 prillit, të “premten e zezë”, në kufi me Koshovicën, grekërit demostronin festimin e Pashkëve duke ardhur rreth kishës me qiri të ndezur në duar dhe duke drejtuar prozhektorët nga ana jonë. Megjithëkëtë, populli i këtij fshati, s’donte të dinte fare. Vetëm 8 plaka mbajtën kreshme dhe vetëm në tre familje u ngjyen vezë të kuqe për Pashkët.
Më 20 prill, posta greke u vizitua nga një grup vajzash të degjeneruara, të veshura me fustane shumë të shkurtëra, të cilat kërcyen dancin halahup, me ushtarët monarkofashiste. Kjo u bë me rastin e Pashkëve. Pikërisht këtë ditë, populli i Kakavijës filloi dhe mbuloi me tjegulla shtëpinë e kulturës, të cilën ai e ndërtoi brenda 6 ditëve mbi një kodër të fshatit, jo shumë larg nga posta greke.
Data e 21 prillit u bë ditë pune. Në shumë fshatra dualën në punë aq kooperativistë sa edhe ditë të tjera. Duke parë kooperativistët e Kakavijës, grekërit thërrisnin: “Pse punoni, sot që është Pashkë”?!, por fshatarët s’pyesnin, përkundrazai, punonin dhe më shumë. Ato ditë, populli i fshatit, Ajnikollë, që në orën 4 të mëngjezit, së bashku me kufitarët, hapte gropa për të vendosur shtyllat e dritave. Ditën e Pshkës, populli i Sotirës transportoi shtyllat për dritat që do të marri së shpejti. Në punë në bujqësi dual të gjithë fshatarët e Dropullit, të Rëzës së Zezë dhe të Pogonit. Vetëm në disa fshatra kish mungesa në punë. U konstatua se një pjesë e tyre punonin në kopshtin personal, midis tyre kish edhe disa me moshë jo të kaluar që festuan Pashkën.
Data e 24 prillit u gdhi në festë. Në 10 fshatra të minoritetit u ndezën dritat. Kjo ishte një festë e vërtetë. Në ceremonitë që u zhvilluan me këtë rast, muarrn pjesë edhe të dërguar të Komitetit Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv. Gëzmi ishte i madh. Në këtë festë, në Ajnikollë u bë propozimi që ky emër fetar t’i hiqet fshatit dhe ai të quhet fshati “Drita”. Në Kakavijë, kur u çelën dritat e shumta dhe në pikën kufitare ato neon, rojet greke thyen poçin e vogël të llampës në postën e tyre.
Më 25 prill, u zhvillua përsëri festë. Në pikat e kufirit nuk u grumbulluan vetëm fshatrat përkatës, por atje shkuan mijra të tjerë. U bënë vizita jo vetëm në fshatrat minoritarë, por edhe në zonat e tjera të rrethit edhe nga qyteti. Kishte programe artistike, aktivitete të përbashkëta me kufitarë, biseda mbi historinë e forcave të kufirit etj. Festa e Kufirit nga pikpamja e organizimit, e aktiviteteve dhe e masivitetit, ishte më e mirë se çdo vit tjetër. Ajo jo vetëm zëvëndësoi festën e Pashkës, por shërben edhe si një aksion i madh për edukimin patriotik të masave, sidomos në vijën dhe brezin kufitar.
Nga organizimi i punës për t’ju kundërvënë Pashkës, në prill të këtij viti, ne mësuam se kështu dhe akoma më mirë ne do të luftojmë edhe në të ardhmen. Eksperjenca na tregoi se me aksion konkret, festat fetare mund dhe duhen të zëvëndësohen me festat të reja socialiste. Tani do të bëjmë traditë që, në në vënd të Pashkës, të festojmë Ditën e Kufirit. Kështu do të studjojmë edhe për festa, rite dhe besime të tjera fetare.
SEKRETARI I-rë I KOMITETIT PARTISE RRETHIT
(Rrapo Dervishi)
/ Memorie.al