Zbulojmë Shqipërinë, destinacioni Pëllumbas (VIDEO)
Është momenti të zbulojmë Shqipërinë. Pëllumbasi, ky fshat i vogël është vetëm 20 minuta larg Tiranës. I shtrirë në luginë dhe i rrethuar nga kodra të larta, pamja që ai të ofron është fantastike. Fshati ka rreth 100 shtëpi me familje autoktone, madje shumica e banorëve të tij e kanë mbiemrin Duqi. Pëllumbasi ofron dy atraksione kryesore, shpellën 20 mijë vjeçare dhe kanionin e Skoranës, ku mund të bëhet plazh.
Për të shkuar te shpella e Pëllumbasit duhen rreth 60 minuta. Terreni është malor dhe mund të cilësohet një sfidë e këndshme për ata që nuk i kanë të mira marrëdhëniet me aktivitetet sportive. Para se të ngjiteni në shpellë, duhet të pajiseni me disa mjete të cilat do t’ju ndihmojnë që ta shijoni këtë bukuri natyrore.
Një prej tyre është për shembull kokorja, e domosdoshme për vizitën brenda në shpellë. Shpella që njihet edhe me emrin “Shpella e Zezë”, ka disa dhoma dhe cilësohet si gjashtë nga shpellat karstike më të bukura në Europë. Ajo ka qenë pjesë edhe e gërmimeve arkeologjike.