Zbuloni vendin më të rrezikshëm për të qenë grua

India është vendi më i rrezikshëm në botë për të jetuar një grua për shkak të rrezikut të lartë të dhunës seksuale dhe punës si skllave sipas një sondazhi. Fondacioni “Thomson Reuters” publikoi të martën raportin e një sondazhi prej 550 ekspertësh për çështjet e grave, duke zbuluar se India është vendi më i rrezikshëm për dhunën seksuale ndaj grave, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore për punë shtëpiake, punë të detyruar, martesë të detyruar dhe skllavëri seksuale. India është gjithashtu vendi më i rrezikshëm në botë përsa i përket traditave kulturore që ndikojnë tek gratë, vuri në dukje sondazhi, duke theksur sulmet me acide, gjymtimin gjenital të femrave, martesën e fëmijëve dhe abuzimin fizik. India u shpall vendi i katërt në botë më i rrezikshëm për gratë në të njëjtin studim 7 vite më parë.

Publikimi i raportit vjen pasi një vale zemërimi në Indi, ku janë shfaqur një sërë rastesh të përdhunimit të profilit të lartë, duke përfshirë dy sulme ndaj dy vajzave 16 dhe 8-vjeç. Kjo ka bërë që çështja të kthehet në axhendën kombëtare. Në prill, mijëra protestues dolën në rrugë për të kërkuar mbrojtje më të rrepta për gratë, një nga demonstratat më të mëdha në masë që mbahet në vend, që nga përdhunimi dhe vrasja e një studenteje kolegji në Delhi në 2012. Përpjekjet për të futur një legjislacion më të rreptë deri më tani nuk kanë arritur të zgjidhin rreziqet me të cilat ballafaqohen gratë. Pas ngjarjes së vitit 2012, qeveria qendrore kaloi reforma të shumta për të rritur dënimet për dhunën seksuale, duke përfshirë zgjatjen e dënimeve me burg dhe futjen e dënimit me vdekje.

Por pavarësisht nga futja e ligjeve më të rrepta, rreth 100 sulme seksuale raportohen çdo ditë në polici në vend, sipas Byrosë Kombëtare të Krimit, me gati 39.000 sulme të dyshuara në vitin 2016, një rritje prej 12% nga viti i kaluar. Vendet më të rrezikshme në botë për gratë sipas sondazhit: 1. India; 2. Afganistan; 3. Siria; 4. Somalia; 5. Arabia Saudite; 6. Pakistani; 7. Republika Demokratike e Kongos; 8. Jemeni; 9. Nigeria; 10. Shtetet e Bashkuara.

SHKARKO APP