Zef Deda: Jeta ime, mes humorit dhe censurës së kohës

Nga Albina Gjergji

Mbi 40 vite në skenë dhe me qindra role në karrierë, Zef Deda është padyshim një nga mjeshtrat e humorit të hollë shqiptar. I vlerësuar ndër vite për karakteret dhe mesazhet e sjella nëpërmjet “lëkurëve” që ka ndërruar, (kunati i shokut Xhemal, Kola i dritave, Charlie Chaplin (imitim), kushëriri nga Amerika, Altini, etj.), Zef Deda ka hyrë në historinë e humorit shqiptar edhe për interpretimin mjaft fin të tyre. Sot është 63 vjeç dhe vazhdon të jetë aktiv në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku ende thekson se ka shumë për të dhënë edhe pse stimujt material, sipas tij lënë për të dëshiruar. Dita e tij nis herët, me një kafe që ëmbël ia servir bashkëshortja, vazhdon me leximin e gazetave, vajtjen në punë dhe përfundon, pasi ka mbyllur siç duhet ciklin 12 orësh të ditës; me një “natën e mirë” nga mbesa dhe nipi. Modest dhe i sjellshëm, Deda e nis bisedën me “Koha Jonë” në retrospektivë. Atëherë kur ishte fëmijë dhe rrethohej nga ikonat e aktrimit, legjendat e humorit dhe pastërtia e moshës. Pikërisht, aty ku edhe u ushqye talenti i tij…  

Jeta juaj që në vogëli ka qenë e rrethuar nga artistët dhe Teatri. Si e kujtoni këtë moshë z. Deda?

Më duket sikur kam lexuar veten tek Shakespeare në skenat e tij. Aty brenda në labirintet e Teatrit sillej e rritej ai djali i vogël, Zef, i biri i piktorit, skenografit në duart e artistëve të mëdhenj si, Zef Jubani,Tinka Kurti, Lec Bushati, Bep Shiroka, Ndrekë Prela, Tano Banush dhe fuqia e tyre e interpretimit madhështor më rritën e më zhvilluan aq bukur mua. Pikërisht, ku unë jam tani.             

Keni pasur mbështetje nga ndokush për t’i hyrë kësaj rruge dhe sa e vështirë ka qenë për ju asokohe që të depërtonit e të bëheshit ai që sot u bëtë, një ndër aktorët e humorit më të famshëm dhe të pëlqyer në Shqipëri?                                               

Unë jam rritur jetim, sepse babai im vdiq shumë herët. Isha i vogël (6 vjeç )dhe përkrahja e vetme që kam pasur ka qenë ajo e aktorëve dhe regjisorëve. Ata panë tek unë një talent, por t’ju them të drejtën kam kaluar në vështirësi asokohe e deri tani. Të jesh aktor humori përballë një spektatorit siç ishte spektatori shkodran, plot humor e kulturë ishte shumë e vështirë, po unë i kam pëlqyer shumë atij dhe kjo gjë më lumturon pa masë.

Ndërkohë që fëmijët e tu jetojnë dhe ushtrojnë profesionet e tyre në kryeqytet, ju vazhdoni të jetoni e thithni ajër Shkodre. Kaq i lidhur jeni me këtë qytet z. Deda?

Po  patjetër. Shkodra më ka rritur me këngë dhe humor. Gjithë jetën time e mbushi me frymëzim  për artin e humorin në veçanti. Jetoj në Shkodër dhe vazhdoj të kem nostalgji për këtë qytet.

Çfarë karakteristike, apo veçorie i doni më shumë Shkodrës?

Historinë. Sa e vjetër dhe e vuajtur, aq e gjallë dhe e kulturuar është. Jo më kot i thonë, “djep arti”.   

 A ju ka dhënë Shkodra, po aq sa ju i keni dhënë asaj?              

E gjithë karriera ime në skenë m’u shpërblye me tituj, lavdërime dhe dashuri të jashtëzakonshme nga pupliku shkodran, dhuratë kjo shumë e çmueshme për mua. Për çka unë kam dhënë për të, po të ishte në dorën e saj, Shkodra ta jep edhe shpirtin, por…

A ka vese Shkodra dhe cili është vesi i saj më i keq?

Shkodra ka vetëm një ves dhe ajo është dashuria.

Avantazhet dhe disavantazhet e të bërit humor në sistemin e diktaturës. Ndjenit censurëdhe ku konkretisht?

Ta merr mendja, se çdo gjë që bëhej në skenë e çdo interpretim do të filtrohej dhe aprovohej nga ideologjia. Kjo ta nxinte jetën, sepse nuk ndjeheshim të lirë, por avantazhi i kësaj pune ishte se krijonim figura dhe interpretime që t’i pëlqenin sa më shumë spektatorit, ku prej kënaqësisë të dhuronin duartrokitje të fuqishme. Kjo më bënte krenar mua dhe kolegët e mi.          

Niveli i humorit sot, si ju duket? Si dhe sa ka ndryshuar sipas jush?

Niveli me të vërtetë ka ndryshuar shumë. Sot ai bëhet i lirë dhe pa censurë, por në këtë liri veprimi dhe mendimi ai ka pësuar edhe deformim nga ana kulturore.       

Ju duket pak banal?                               

Më vjen keq ta them, por nganjëherë rrëshqet edhe në banalitet.      

Cilën shfaqje, apo skeç cilësoni si më të arririn nga e gjithë karriera juaj?

Kam luajtur shumë premiera dhe secila ka pasur bukurinë e saj, sipas kohës që është interpretuar, por s’kam për ta harruar kurrë shfaqjen time të parë, “Shtatë shaljanet” në vitin 1957. Kam lujtur me qindra role të tjera, të gjitha i kam luajtur me kënaqësinë më të madhe, ndër to sukses të madh më kanë dhënë imitimi i Charlie Chaplin, Kola i dritave e deri tek Loni, kunati i shokut Xhemal e shumë e shumë të tjera.  

Ndjeheni i vlerësuar profesionalisht z. Deda? E kam fjalën jo vetëm nga publiku, por edhe nga Institucionet shterërore?

T’ju them të drejtën institucionet shtetërore as nuk duan t’ia dinë a jemi gjallë a kemi vdekur. Jetojmë me një rrogë qesharake, 24.000lekë në muaj (me ju dhimt’ gurit e drunit, arti dhe artisti).  

 Vlerësimi më i madh që ju është bërë dhe kur?

Kur u rrita dhe u bëra 60 vjeç (qesh). E festova këtë përvjetor me një shfaqje të madhe, “Zef Deda – Shoë” në Pallatin e Kongreseve me forcat e mia, pa më ndihmuar askush (nga të mëdhenjtë), por u nderova nga Presidenti i Republikës i asaj kohe (Bamir Topi) me titullin e lartë, “MJESHTËR I MADH”. Edhe ky titull pa shpërblim financiar. Sot e asaj dite vazhdon të jetë e njëjtë rroga (24.000 lekë).    

Ju mungojnë kolegët e vjetër, po koha kur vërtetë bëhej humor? Ndjeni nostalgji?

Normale që po. Kolegët  e vjetër më mungojnë shumë, sepse kemi një jetë të tërë që kemi luajtur bashkë.   

Takoheni prapë sot me njëri-tjetrin?        

Po, takohemi ne punë. Jam bashkë me ta, ndërsa për aktorët që nuk jetojnë më i rikthejmë në kujtimet tona me nostalgji.

Jeta juaj djaloshare, si ka kaluar? E qetë, e vrullshme?

Jeta ime djaloshare ka kaluar e bukur. Kam qenë i shkathët, plot energji, në sulm për të marre shkollën, pèër të mësuar, për të lexuar dhe asnjëherë s’e kam ndalur vrapin për t’u aktivizur në skenën e Teatrit Migjeni” dhe në të gjitha skenat e Shqipërisë dhe ekranet e vendit tonë.

Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?

Ashtu me shkathtësinë time. Me suksesin që kisha në skenë u bëra i dashur me spektatorin, i cili më adhuronte për interpretimet e mia. Duke fluturuar zura një flutur, e cila nuk më njihte fare si artist, por ia hapa zemrën e më hapi zemrën e një ditë maji të vitit 1978, e zura Rozin. Që prej asaj dite jetojmë të lumtur.

Ç’raport kishit me femrat në rininë tuaj. Ndjeheshit në qendër të vëmendjes së tyre, qoftë edhe për faktin se ishit aktor?          

Po besa … shumë më kanë dashur dhe vlerësuar atëherë (qesh). Kisha shumë tifozë e sot i thonë fansa. Më kanë respektuar shumë dhe unë kam qenë i çiltër, i lirë e plot humor.        

Si bëheshin ngacmimet, apo komplimentet për femrat asokohe?

Secili ka pas’ mënyrën e vet e unë kam pas timen. “Ju faleminderit shumë, jeni shumë e mirë, desha të them e sjellshme, me gjithë qejf, por jam i zënë, (qesh).

Ju për shembull, çfarë sinjali lëshonit nëse ju pëlqente një femër, këtu e kam fjalën para se të martoheshit?

Gjithmonë i kam mbajtur veshët hapur se mos më vinte ndonjë sinjal, por jo nuk vinte asnjë. Atëherë isha i detyruar t’i jepja sinjalin tim me fishkëllimen e një filmi kaubojësh.                   

I keni kaluar të 60-at z. Deda. Ndjeheni I realizuar si prind dhe profesionalisht?

Po, jam 63 vjec. Për çfarë kam bërë deri më tani, jam krenar që kam dy djem të mirë dhe artista të fortë, kam dy nuse të mrekullueshme (nuset e djemve), kam një mbesë e nje nip ultra të bukur dhe një bashkëshortë që e dua dhe respekjtoj fort. Profesionalisht jam në formë të jap në skenë, derisa të më dalë shpirti.        

A është sjellë mirë jeta me ju, nesë do t’i vitin një note, cila do të ishte ajo?

Jeta me mua është sjellë herë mirë dhe herë keq. Notën 7 ka prej meje (qesh).

Keni ndërmend ndonjë variete, aktivitet, program?

Jemi në përgatitje për Festat e Vitit të Ri me premierën, “Sofra shkodrane”, e cila është e mbushur plot me këngë e humor, si dhe plot aktivitete të tjera që me kohë do t’i mësoni.                                                       

Si është një ditë e zakonshme e juaja z. Deda. Si nis, kur mbaron ajo?

Pas zgjimit të mëngjesit dhe kafesë që ma servir gruaja ime, lexoj gazetat. Pastaj çohem në këmbë, krihem, vishem dhe dal për në punë në Teatër. Atje bisedojmë për spektakle të reja dhe aktivitete tjera. Pasdreke shëtitje në Pedonale, pijmë ndonjë çaj në Pijacë dhe mbrëmja mbyllet bukur, kur më urojnë “natën e mirë” nipi dhe mbesa në tel.

Tetor – 2013

SHKARKO APP