Zef Përgega, një vit më pas me Papa Françeskun në “Shën Pali”

Nga Albina Gjergji – 
 
 

(Pas 16 vitesh, publicisti kthehet nga Amerika në vendlindje me botimin e radhës, dedikuar vizitës së Atit të Shenjtë)

Për ata që e kanë përjetuar drejtpërdrejtë vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, e dinë mirë që emocionet e 21 shtatorit mbeten të pashlyera në memorien e të gjithë shqiptarëve e sidomos të besimtarëve katolikë. Ndjesitë e asaj date të një viti më parë, në fakt vazhdojnë të jenë akoma të freskëta e po aq të mëdha sa një vit më parë tek gjithsecili prej nesh. Por syresh, ka edhe prej atyre artistëve që këto emocione të forta i kanë jetësuar në shkronja. Veç memories, i kanë “gdhendur” edhe në libër. Siç është rasti  i gazetarit, publicistit, shkrimtarit Zef Përgega, i cili pas 16 vitesh emigrim në Amerikë rikthehet në Shqipëri 2 herë brenda 12 muajve. Rikthimi i parë në tokën e tij ka qenë pikërisht vizita e Papa Françeskut, ndërsa e dyta, një vit më pas po Ati i Shenjtë e rikthen në atdheun e shqiponjave. Këtë herë me një libër kushtuar vizitës së Atit në Shqipëri, që e ka titulluar, “Shqiponjat fluturojnë lart” e promovimi i të cilit do të bëhet më datë 13 shtator, ora 12:00 në Kishën e Shën Palit, Tiranë. Të ftuar për të marrë pjesë në këtë eveniment shumë domethënës për autorin do të jenë figura të njohura publike, si dhe përfaqësues të klerit katolikë e jo vetëm.  

Zef Përgega njihet si një nga gazetarët profesionistë, ndër më të përkushtuarit për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e tij nga shteti. Me kontributin e tij ai është një nga themeltarët e shtypit demokratik në Shqipëri. Përgega ka mbaruar studimet e Larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe ka punuar në gazetën e parë të pavarur, “Koha Jonë” dhe në ATSH, Agjencia Telegrafike Shtetërore e lajmeve në Tiranë. Kontributi i tij është shumë i madh edhe në librat e botuar në poetikë, letrarë, artistikë dhe në gjinitë e tjera letrare, të kombinuara me një mjeshtëri të rrallë. Disa nga personalitetet e letrave shqipe; gazetarë, kolegë e botues, shkrimtarë e poetë nga të gjitha trevat, përfshirë edhe ato që mbajnë tituj e grada shkencore janë shprehur me konsiderata për rrugëtimin poetik e krijues të këtij autori. Krijimtaria e Përgegës është më shumë se një vlerë pozitive në demokratizimin e shtypit dhe fjaës së lirë e si suportues aktiv i lëvizjes për demokraci në Shqipëri. Ai është autor i disa studimeve historike, dokumentareve, emisioneve televizive dhe botues i gazetës “Kaltërsia”. Më së shumti krijimtaria e tij dallohet për thellësinë e mendimit, mënyrën dhe stilin e kthjellët të rrëfimit, me plot metafora, krahasime, etj., duke na sjellë të formatuar, përtej baltosjes, pjesë nga historia e shqiptarëve, sidomos e shqiptarëve të Amerikës.

Në mars të vitit 2002, Përgega themeloi në Dertroit, “Albanian American Institute”, synim i së cilës është promovimi i vlerave kulturore të të dy kombeve, atij shqiptar dhe amerikan. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me shtypin në diasporë dhe stacionet televizive të komunitetit, duke bërë shkrime në gjini të ndryshme dhe dokumentarë televizivë. Është pjesë e bordit të gazetës shqiptaro-amerikane, “Iliria”, “Trojet shqiptare”, televizionit “Albdreams” në Detroit, etj..Prej vitit 2004 është anëtar i organizatës botërore për liri dhe të drejta njerëzore, “Amnesty International”.

Libri i Zef Përgegës, “Shqiponjat fluturojnë lart”, krahas tablosë së zgjeruar të vizitës së Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, 2014 vjen tek lexuesi edhe si përkujtim i Papa Gjon Palit të II dhe vizitës së tij tek ne, më 25 prill të vitit 1993. Ky libër ju bën homazh edhe martirëve të fesë, 37 meshtarëve katolikë dhe 3 laikëve që u persekutuan egërisht nga diktatura komuniste e që aktualisht janë në listën e Vatikanit për t’u shenjtëruar.   

 

 
 

    

SHKARKO APP