Zhvillimet institucionale të KLSH-së nën optikën e Progres Raportit të KE

Nga Luljeta Nano*-Progres Raportet e Komisionit Europian nga KLSH janë konsideruar në vijimësi  si dokumente të rëndësishëm për përcaktimin e prioriteteve zhvillimore e sfidave

institucionale përtej së tashmes.

Komisioni Europian, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri, kanë qenë dhe mbeten partnerë të rëndësishëm në procesin  e reformimit dhe modernizimit  të institucionit të KLSH-së, drejt përafrimit me praktikat e acquis communitare, tw BE-sw.

Fokusuar në këtë aspekt , Raporti i Komisionit Europian publikuar në Prill 2018 ka pasqyruar dinamikën, progresin institucional si dhe orientimet e rekomandimet për zhvillimet qe duhet te ndjeke KLSH-ja në periudhat në vijim.

Në këtë raport nën Kapitullin 32 “Auditimi i jashtëm” konstatohet dukshëm një progres i zhvillimit si të kuadrit legjislativ rregullator ashtu edhe te performances operacionale te KLSH-se drejt reformimit modernizimit dhe praktikave me te mira te fushës.

Raporti konfirmon progresin e bërë në përmbushjen e objektivave të zhvillimit institucional, atë të sigurimit të kuadrit rregullator ligjor  në përputhje me Standartet Ndërkombëtare të Auditimit, dhe forcimit të kapaciteteve audituese dhe të metodologjisë të auditimit.

Zhvillimi i kuadrit rregullator ligjor në përputhje me kërkesat e Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit ka qenë një nga fushëbetejat institucionale më të rëndësishme të KLSH-së. “Pavarësia funksionale, operacionale dhe financiare e Kontrollit të Lartë të Shtetit është përcaktuar në kuadrin kushtetues dhe ligjor në përputhje me standardet e INTOSAI-t.. theksohet në Progres Raport.

Ishte Komisioni Europian që  ne Progres Raportin e Tetorit te vitit 2012 vinte ne dukje  qe:  “Ka pasur përparim në fushën e auditimit të jashtëm. Kryetari i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) u emërua nga Kuvendi në dhjetor të 2011-tës.  Pas disa vitesh në pezullim, janë përgatitur dhe janë dërguar për procedurën e miratimit projekt ndryshimet e ligjit të SAI-t për ta sjell në përputhje të plotë me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Kontrollit të Lartë (INTOSAI)”.

Ligji “Mbi Organizimin dhe Funksionimin të KLSH-së” u miratua në nëntor 2015 dhe odiseja me shumë se dy vjeçare nga viti 2012 deri ne fund të vitit 2014  e miratimit të Ligjit të ri Organik të KLSH-së, në një farë mënyre shtoi periudhën e stërzgjatur për me shume se dy dekada të tranzitimit të KLSH-së drejt implementimit të kërkesave të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit.

Ky ligj siguroi rrugën e zhvillimit drejt reformimit të KLSH-së si një institucion modern evropian i auditimit suprem publik.

Në këtë aspekt Progres Raporti orienton që për të ardhmen politikat menaxheriale të institucionit duhet të fokusohen në forcimin dhe zbatimin e kuadrit rregullator ligjor. Zbatimi i plotë i kuadrit rregullator ligjor duhet të sigurohet më tej” cilësohet në Raport.

Zbatimin e këtij rekomandimi, KLSH e konsideron të lidhur ngushtë me objektivin e zhvillimit të kapaciteteve institucionale.

Aktet nënligjore në zbatim të Ligjit organik të KLSH-së, kuadri i brendshëm rregullator administrativ e organizativ së bashku me manualet dhe udhëzuesit specifikë të auditimit në zbatim të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI kanë krijuar një infrastrukturë solide si dhe një platformë efektive të zhvillimit institucional. Krahas ndertimit të infrastruktuës rregullative legjislative politikat menaxheriale janë fokusuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të audituesve e konfirmuar kjo edhe në konkluzionet e Progres Raportit te Komisionit Europian dhe konkretisht:

“Përsa i përket kapacitetit institucional, zhvillimi profesional i audituesve ka qenë prioritet në vitet e fundit me mesatarisht 25 ditë trajnimi për auditues  në vit” .

Në funksion të zhvillimit të kapaciteteve institucionale, Raporti  pasqyron dinamikat në drejtim të përgatitjes së dy dokumenteve të rëndësishëm të zhvillimit strategjik të KLSh-së, duke konfirmuar që: Plani i ri strategjik i zhvillimit për 2018-2022 u miratua në dhjetor 2017. Strategjia e komunikimit për periudhën 2017-2019 u miratua në korrik 2017.

Objektivat prioritare të Strategjisë së Zhvillimit 2018-2022 janë në një linjë dhe shprehin konvergjencën me rekomandimet e Progres Raportit te Komisionit Europian.

Raporti cilëson se “Aktivitetet audituese ende nuk kryen në përputhje të plotë në Standartet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI”.

Zbatimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit gjatë veprimtarisë audituese përbën një sfidë për të gjitha Institucionet Supreme të Auditimit në nivel global.  Cilësia e veprimtarisë audituese të KLSH-së ka qene dhe mbetet një nga objektivat e zhvillimit institucional për periudhat në vijim. Në strategjinë e Zhvillimit për pesë vitet e ardhshme 2018-2022 theksohet se “Cilësia e Auditimit është ndër prioritetet kryesore dhe është e lidhur ngushtë me  procesin e përfitimit nga auditimet duke prodhuar raporte në funksion të mirëqeverisjes dhe rritjes së përgjegshmërisë së menaxhimit të financave publike”. Një nga mënyrat që KLSH do të vijojë të aplikojë për të shtuar vlerë dhe gjeneruar përfitime në forcimin e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit të qeverisjes në tërësi dhe të njësive të sektorit publik është duke ofruar vlerë dhe cilësi në vetë auditimet e kryera prej tij.

Rritja e cilësisë së Auditimit për sigurimin e kryerjes së veprimtarisë audituese në përputhje të plotë me standardet e auditimit të jashtëm publik si dhe praktikat e mira të fushës ka qënë Objektiv prioritar strategjik i KLSH-së për periudhën e kaluar 2013-2017. KLSH përgjatë kësaj periudhe ka progresuar në drejtim të hartimit të Manualeve të Auditimit (Perputhshmërie dhe Financiare) si baza metodologjike në drejtim të zhvillimit dhe modernizimit të verpimtarisë audituese. Progresi i KLSH-së në drejtim të pilotimit të të auditimeve të përputhshmërisë financiare apo dhe te auditimeve IT theksohen në Raport Progresin e KE-se. “Manualet e reja të përputhshmërisë  dhe të auditimit financiar u pilotuan së pari në vitin 2016. Auditimet e para të IT u kryen në 2016 dhe 2017.  Në vitin 2017, KLSH ka ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të kontrollit dhe sigurimit të cilësisë në përputhje me Standartet ndërkombëtare të Auditimit”.

Përsa i përket rekomandimeve të adresuara nga KLSH subjekteve të audituara Komisioni vëren se  “Ndikimi i punës së auditimit është i kufizuar” duke e argumentuar me nivelin relativisht te ulët të zbatimit të rekomandimeve. Në këtë aspekt artikulohet që: “Shqipëria nevojitet të përmirësojë implementimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm”.

Efektiviteti i auditimeve të KLSH-së arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit të rekomandimeve nga entitetet publike dhe është e vetmja mënyrë, përmes së cilës KLSH si institucion i auditimit të jashtëm publik mund të kontribuojë efektivisht në mirëqeverisje.

Janë pikërisht adresimi i rekomandimeve të karakterit legjislativ dhe organizativ të cilat kanë efekt parandalues të shkeljeve dhe parregullsive si një nga funksionet themelore të institucioneve supreme të auditimit.

KLSH në funksion të rritjes së nivelit të implementimit të rekomandimeve ka  përdorur të gjitha instrumentet institucionale në drejtim të adresimit të kërkesave për ngritjen dhe funksionimin e një “trekëndëshi partneriteti” (Parlament, KLSH dhe Ekzekutiv) për zbatimin e rekomandimeve sikurse është shprehja e vullnetit te kreut të ekzekutivit nëpërmjet nxjerrjes së një Urdhri për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së (Urdhwr i cili mungon qw nga Tetori 2013 pwr mungesw vullneti) dhe rritjes se mbikëqyrjes parlamentare nga legjislativi pra të krijimit të një nënkomisioni të dedikuar për shqyrtimin e raporteve te auditimit dhe rekomandimeve te KLSH-së konsideruar ky i fundit si një mekanizëm efektiv për rritjen e llogaridhënies nga institucionet qeveritare.

* Sekretare e Përgjithshme

SHKARKO APP