Zjarrfikësi Cara: Si i gjeta 7 familjarët e mi nën rrënoja
Arben Cara ishte mbi rrënojat e hotelit “Vila Palma” në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos, kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës. Kur mbërriti atje mësoi se mbi rrënoja ishin edhe familjarët e tij.
Zjarrfikësi Arben Cara rrëfen për “ABC News” se ishte e vështirë dhimbja për 7 familjarët e tij që i gjeti të vdekur nën rrënoja, por në misionin e zjarrfikësit të gjithë i sheh njësoj, me të njëjtën dhimbje e me të njëjtin përkushtim për t’i shpëtuar. Dora e ftohtë akull si e një nënë, e hedhur mbi trupin e pajetë të vajzës 7-vjeçare, është skena që kurrë nuk do t’i hiqet nga mendja Arben Carës.
“Kemi përjetuar një shok të rëndë, pasi fëmija 7 vjeç u gjend në krahët e njeriut të vet, dukej sikur e mbronte. Në ato momente kishim një përjetim të thellë”, thotë ai. Ka 15 vite që punon zjarrfikës, në luftë me flakë, përmbytje, tërmete e situate të tjera të ngjashme, pa pushim në betejë për të shpëtuar jetë njerëzish, por ky fund nëntori e ka goditur si kurrë më parë. Mëngjesin e 26 nëntorit, pas goditjes së parë të tërmetit, Arbeni ishte duke drejtuar operacionin e shpëtimit te “Vila Palma”, atje ku u shpëtua Klajdi 25-vjeçar, por u nxor nga rrënojat i vdekur gjyshi i tij.
Ishte atje në krye të atij operacioni, kur kolegët e tij e lajmëruan dhe drejtuesit e urdhëruan që të nisej drejt Thumanës, sepse atje ishin nën rrënoja familjarët e tij. “Fillimisht jam nisur për në Durrës, pasi morëm kontakt me drejtorin e Zjarrfikëseve në Durrës, na ka nisur urgjent te hotel ‘Vila Palma’. Kemi operuar fillimisht aty, duke nxjerrë trupat e një familjeje aty dhe më pas jam informuar që në Thumanë kishte ndodhur tjetër tragjedi, si pasojë e tërmetit. Më kanë dhënë leje dhe urdhëruar të nisem drejt Thumanës, për të shkuar në një ekip shpëtimi për të ndihmuar në Thumanë”, thotë Cara.
Kur gjendet në situata të tilla e ku i duhet që poshtë rrënojave të kërkojë me shpresë për njerëz me jetë, për Arben Carën janë të gjithë njësoj si familja e tij. Megjithatë, duhet të ketë qenë shumë e vështirë sepse nën ato rrënoja të pallatit të shembur në Thumanë, Arben Cara gjeti të pajetë shtatë familjarë të tij.
“Për mua është një humbje shumë e madhe dhe dhimbja është e pakufishme, por nuk ka qenë qëllim për të nxjerrë trupat e familjes Cara. Kryesorja ishte të nxirrnim personat gjallë që ne komunikonim”, shprehet ai.
Lindita ishte një prej familjarëve të tij, që u shpëtua nga rrënojat. Me gjithë dhimbjen për familjarët e tij dhe gjithë viktimat që u gjetën nëpër rrënoja, Arben Cara ishte i vendosur të vazhdonte me përkushtim, për ta përballuar situatën, duke shpresuar sërish që poshtë rrënojave të gjente shenja jete, ndonëse nuk ndodhi kështu.
I AFËRMI I FAMILJES CARA
Shtatë prej nëntë pjesëtarëve të familjes Cara u shuan në tërmetin tragjik të së martës. Albert Cara, një prej të mbijetuarve, ndodhet i dëmtuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai nuk e di ende që 3 fëmijët e tij, 2 djemtë dhe një vajzë, së bashku me bashkëshorten, nuk jetojnë më, ashtu sikurse edhe e fejuara e një prej djemve. Djali i xhaxhait të Albertit tregonte dy ditë më parë se kushëriri i tij nuk është ende në dijeni të tragjedisë që i ka ndodhur. Sulë Cara ndiqte operacionin derisa 4 pjesëtarët e fundit të familjes Cara u nxorën nga rrënojat të pajetë. /Panorama/