Zonja prej mëndafshi

Nga Alda Bardhyli

“Keni menduar për mua? Gjithë ditën! E dini që kam frikë, se mos bie vërtet në dashuri me ju?”. Marie Duplessis e dinte se s’duhet të binte kurrë në dashuri, dhe se dëshirat e këtij djaloshi të ri që pëlqente aq shumë letrat do të veniteshin një ditë si ngjyra e shallit të mëndafshtë që mbante hedhur krahëve. Parisi dukej sikur shkëlqente atë mbrëmje, kur ajo bashkë me të, zbriti shkallët e Teatrit Nacional. Ajo ishte 15 vjeçe kur erdhi për herë të parë në Paris.

Përtej xhamave të dyqanit ku punoi për pak kohë si shitëse fustanesh, ajo dikur e kishte ëndërruar këtë shëtitje. Karrocën me perde të vogla, fustanin e saj të gjatë, apo burrin që e shoqëronte. Por asnjëherë nuk mund ta kishte menduar se ajo vajza e vogël e një familjeje të madhe provincial mund të ishte një kurtizane. Ajo nuk e dinte se çfarë ishin perlat dhe sesi një burrë mund të shprehte dashurinë përmes tyre. Në moshën 16 vjeçe ajo u bë një e tillë.

Dhe në shtëpinë e madhe në një nga lagjet më të mira të Parisit, Maria ishte gruaja e bukur e burrave të famshëm. Ata e mësuan të fliste dhe shumë shpejt ajo nisi të frekuentonte teatrot dhe operat e të lexonte libra. Por askush nuk kishte mundur të hapte zemrën e saj, deri sa ajo njohu Aleksandrin, djalin që fliste aq bukur për librat, dhe që i tha që e dashuronte që ditën e parë që e pa. Ata u takuan për herë të parë në Saint Germain en Layer, ku Aleksandri i ri kishte shkuar për të jetuar pranë të atit të munguar prej vitesh.

Një dashuri e cila do të zgjaste më shumë se një vit, do të bëhej frymëzim për Aleksandër Dumanë (i biri) për të shkruar romanin e tij “Zonja me Kamelie”. Muajt pranë Marias do të ishin tepër frymëzuese për djaloshin që këmbëngulte ta largonte nga jeta prej kurtizaneje për t’u martuar me të.

Maria ishte një nga kurtizanet më të mira të kohës. Një pikturë e saj është realizuar nga piktori Edouard Vienot, ndërsa pas ndarjes me Aleksandrin, kompozitori Franc List i kërkoi të martohej me të. Pas ndarjes nga Aleksandri, ajo jetoi pak vjet, dhe vdiq nga tuberkulozi në moshën 23-vjeçare.

Marie Duplessis dhe jeta e saj është bërë frymëzim për kritikë të letërsisë në botë, të cilët gjithnjë janë përpjekur të gjejnë diçka më tepër për femrën mbi të cilën u ngrit personazhi aq i dashur jo vetëm për letrat franceze, Margarit Gotiesë. Pas vdekjes së saj, Aleksandri kërkoi ta ringjallte kujtimin e Marisë, duke e shkruar historinë e tyre në një libër. “Zonja me kamelie”, libri që vijon të emocionojë lexues ende sot, nuk është gjë tjetër veçse historia e tij me Marie Duplessis.

Në të tregohet historia e dashurisë midis Margarite Gautier një kurtizane franceze dhe një të riu, Armand Duval. Libri tregon për një histori dashurie midis Margarite Gautier “një kurtizane” franceze dhe një të riu, Armand Duval. I bindur se kishte gjetur dashurinë e jetës, Duval kërkoi të bindte Margaritën të linte jetën e saj si kurtizane dhe të jetonte me të.

Por në këtë histori ndërhyn babai i tij, i cili e detyron Margaritën të largohet prej të birit, duke e bërë këtë të fundit të besojë se ajo e la për një burrë tjetër. Deri pas vdekjes së saj, ai besoi se ajo ishte me një tjetër. Historia në libër nuk ndryshon shumë nga ajo reale, dhe qëllimi i Dumasë ka qenë pikërisht ky. Libri është konsideruar si një homazh për të gjithë ato femra që për arsye të ndryshme detyroheshin të ktheheshin në kurtizane. Parisin e pas viteve ‘800, me gjithë shkëlqimin dhe trishtimin e tij mund ta gjesh tek Zonja që pëlqente aq shumë kameliet.

Libri u botua për herë të parë në vitin 1848 dhe menjëherë regjisorë të operës tentuan ta vendosnin në skenë. Verdi, i frymëzuar nga Margarite, do ta kthente në nota, atë çfarë Duma e kishte shkruar me fjalë.

Në botën anglishtfolëse “Zonja me kamelie” u njoh thjesht me emrin “Kamelie” dhe vetëm në teatrin e Brodwayt është vendosur mbi 16 herë. Roli tragjik i Margarit Gotiesë u bë një nga rolet më të dashura për aktorë të famshëm të teatrit. Po cila ishte jeta e Aleksandër Dumasë (të birit) përtej historisë së tij të dashurisë? Aleksandër Dumas (i biri) ishte shkrimtar dhe dramaturg francez, i biri i shkrimtarit të njohur Aleksandër Dumas. Ai lindi në Paris dhe është fëmija i paligjshëm i Marie Laure Catherine Labay (1794-1868) rrobaqepëse, dhe romancierit Aleksandër Dumas.

Në vitin 1831, babai e njohu ligjërisht, duke i dhënë edukimin e duhur. Në atë kohë ligji e detyronte Dumas ta largonte të birin nga e ëma, si e pamoralshme. Agonia dhe dhembja e kësaj ndarje e bënë Dumas që fëmijë të frymëzohet nga personazhet tragjike femra. Pothuajse në të gjithë librat që shkroi, ai e ktheu letërsinë në një moral për shoqërinë dhe për ato femra.

Faktin që ishte fëmija i një çifti të pamartuar, do të ndikonte tek ai dhe gjatë studimeve, duke qenë se shihej ndryshe nga moshatarët. Këto detaje do ta bënin atë më të heshtur dhe më të zhytur në mendime, duke e shtyrë drejt të shkruarit. Gjatë vitit 1844, Dumas u shpërngul në Saint Germain en Layer për të jetuar me të atin ku do të takohej me Marie Duplessis.

Dumas ndjeu që letërsia ishte bota ku donte të ndalej. I frymëzuar nga librat e të atit, ai do të kthehej në një nga romancierët dhe dramaturgët më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit të 19. Më 31 dhjetor 1864, ai shkoi në Moskë ku u martua me Nadjescda von Knorring, vejushë e princit Aleksandër.

Çifti pati dy vajza: Marie Aleksandër Henriette Dumas dhe Jeanine Dumas. Pas vdekjes të së shoqes, ai pati një tjetër martesë me Henriette Regnier. Gjatë vitit 1874, ai u pranua në Akademinë Franceze dhe iu dha titulli “Legjion Nderi”. Ai vdiq më 27 nëntor të vitit 1895 dhe varri i tij, ndoshta rastësisht është vetëm 100 metra larg nga ai i Marie Duplessis në varrezat e Parisit./ Shqip

SHKARKO APP