Majlinda Kelmendi mbyll karrierën si xhudiste: Është radha e të tjerëve, unë po largohem
Ditë gëzimi dhe trishtimi në Kosovë. Sportistja Majlinda Kelmendi njoftoi sot se e ka mbyllur karrierën e saj si xhudiste dhe tani do t’i përkushtohet karrierës si trajnere e ardhshme në krah të Driton Kukës.
“Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkonte kështu. Ishte e shkruar, kam fituar gjithçka. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit për t’u përpjekur që të nxjerrim talente tjera prej Kosovës”, u shpreh sportistja e Kosovës.
Majlinda Kelmendi do të mbahet mend gjatë, ajo ishte sportistja e parë që i dha emrin Kosovës, që lartësoi shtetin dardan në fillimin e brishtë pas pavarësisë dhe arriti ta ngrinte lart flamurin e shtetit të saj.
Ajo do të mbahet mend si sportistja e parë që ia siguroi Kosovës një medalje olimpike, pasi e shkroi historinë në Rio 2016 medaljen e artë në xhudo në kategorinë 52 kilogramë dhe largohet pas një karriere jashtëzakonisht, si kampione olimpike, kampione botërore (2 herë) dhe kampione e Europës(4 herë). Kelmendi i ka fituar 29 medalje të arta në gara ndërkombëtare të xhudos gjatë karrierës, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.