Ministri Blendi Gonxhja: Mundësi bashkëpunimi me Izraelin për zhvillimin e sektorit të inovacionit
Delegacionet e sektorit të Inovacionit nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), kryesuar nga Sokol Bardhi, dhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekonomisë (AIE), kryesuar nga Ledi Imeraj, kanë përfunduar serinë e takimeve me drejtues dhe përfaqësues të institucioneve kryesore izraelite që operojnë në sektorin e inovacionit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “takimet, të cilat u zhvilluan jo vetëm me entet qeveritare, por edhe me sektorin privat, organizatat joqeveritare, qendrat e kërkimit dhe zhvillimit, universitetet dhe ekspertët e TechPark, synuan ndarjen e eksperiencave më të mira izraelite në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe shqyrtimin e mundësive për aplikimin e tyre në Shqipëri”.
Gonxhja duke ndarë pamje nga takimet, njofton se përfaqësuesit shqiptarë dhe kosovarë zhvilluan takime me një sërë institucionesh të rëndësishme, duke përfshirë: The Haifa Economic Corporation – Matam Tech Park (Haifa); Road2 Innovation Center, The Artificial Intelligence Center of Excellence (Haifa); Israel Innovation Authority (Jerusalem); Ministry of Innovation, Science and Technology (Jerusalem); Innovation and Entrepreneurship Center of the Hebrew University (Jerusalem); Israel Innovation Institute (Tel-Aviv); Startup Nation Central (Tel-Aviv); Deloitte Innovation Center (Tel-Aviv).
“Gjatë këtyre takimeve, delegacionet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e sektorit të inovacionit, ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e realitetit shqiptar të startup-eve, sipërmarrjes inovative, kërkimit dhe prodhimit, si dhe modernizimin e shërbimeve publike. Siguria kibernetike, teknologjia dhe sfidat e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm u vlerësuan si prioritete strategjike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit. Përfundimi i këtyre takimeve pritet të sjellë një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve dhe të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të inovacionit në Shqipëri”, mbyll postimin e tij ministri Gonxhja.