Ndërtimi e turizmi pa punëtorë/ Ekspertët: Fokusi tek teknologjia
Emigrimi masiv dhe problematikat që lidhen me pagat në sipërmarrjet shqiptare duket se kanë krijuar të rinj të dekurajuar për t’u bërë pjesë e tregut të punës.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave flasin për një shkallë papunësie në nivelin e 22%, kryesisht tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç.
Për specialistin e punësimit, Emin Shini, të rinjtë shqiptarë janë më të prirur drejt sektorëve të digjitalizuar duke lënë pa fuqi punëtore sektorët prioritarë të ekonomisë, si ndërtimi apo turizmi.
Emin Shini: Ka humbur kërkesa për punësime në sektorin e turizmit që mbetet shqetësuese në vend, po flasim dhe për pozicione të ulëta, apo për fuqi punëtore të thjeshtë, por edhe për specialistë të ndryshëm, të cilët siç i quajmë ne “teknikë të mesëm” që mund të jenë mekanikët, elektrikët.
Globalizimi ka ndikuar edhe në zhvillimin e asaj që quhet Gjenerata Z, e cila sipas ekspertëve është më e prirur drejt formimit të vazhdueshëm pa mbushur vakancat e tregut të punës.
Emin Shini: Kjo ka bërë që pritshmëritë e tyre të rriten dhe fatkeqësisht, bznesi nuk i përgjigjet kësaj nevoje. Shikojmë që kjo gjeneratë kërkon të rritet në detyrë. Ka pritshmëri të fillojë me një pagë më të lartë.
Sipas EUROSTAT, norma e papunësisë në Eurozonë ra në nivelin më të ulët rekord prej 6.4 për qind përgjatë vitit që lamë pas. Ndërkohë sa i takon rajonit, papunësia në nivele të larta shfaqet në Malin e Zi e më e ulët në Serbi.