Nest Zefi: Zadrima, Kopshti Eden i Shqipnisë që meriton vëmendjen e politikës

Intervistë me kandidatin për deputet të Lëvizjes për Ndryshim, Nest Zefi 

Intervistoi: Albina Gjergji

Optimist, me mendim të thellë e të qartë në ambiciet e tij, Nest Zefi është padyshim një nga kandidaturat më spikatura për deputet në Zgjedhjet Parlamentare të Prill 2021. I përfshirë për herë të parë në politikë si kandidat i Lëvizjes për Ndryshim, CV-ja e tij është mjaft e pasur. Qytetar me formim e kulturë të lartë perëndimore, Doktor Shkencash, intelektual me karrierë brenda dhe jashtë vendit. Për Zefin është shumë e rëndësishme që në këto Zgjedhje të kuptohet thelbësisht nevoja për ndryshim, mjeti i së cilës për ta arritur është vetëm vota e sinqertë. Nest Zefi ka lindur në Hajmel, një fshat i krahinës së Zadrimës, administrativisht në qarkun e Shkodrës, nga ku, ndër vite kanë dalë shumë emra të njohur në fushën e letrave, religjionit, medias dhe politikës. Është stërnip i Dom Gjon Kovaçit, pjesë e fisit të martirit Dom Êjëll Kovaçi dhe si tillë përveçse i mbrujtun me ndershmëni dhe përvujtni, brenda vetes ndjen se, ka ardhë koha që veçanërisht për këtë zonë duhet bërë më shumë. Ai premton që, nëse do të bëhet pjesë e Parlamentit Shqiptar do të jetë zëni dhe instrumenti ekskluziv i atyre që do e zgjedhin, i Zadrimës, i komunitetit katolik dhe i njerzëve vullnetmirë shqiptarë.

Nest Zefi, parë në këndvështrimin tuaj, si e gjykoni aktualitetin politik në vend në raport me votën dhe kandidimin tuaj?

Koncepti i zgjedhjeve dhe i popullit kërkon nji qasje delikate e realiste në të njajtën kohë, tue pasë parasysh historinë lokale dhe vargojtë e nji kulturë autoskllavnimi endemikë, rrajët e së cilës janë vërtetë thellë në histori. E kam thanë edhe në statusin e komunikimit të kandidaturës teme në rjretet sociale, se në radhë të parë duhet plugue djerrishtja jonë kulturore e mbjellë me durimin e nji bujku, me shpresën se edhe momenti i korrjes ka me ardhë në kohën e duhun. Në këtë kuptim, e shoh kandidaturën teme si shej i nji dëshmie pikërisht kulturore e politike, për me inkurajue njerëzit e vleshëm që i tremben zjermit të politikës, se asht hapë “kafazi” e janë pjekë kushtet me guxue për nji politikë me ftyrë njerëzore.

I përfshirë për herë të parë në politikë si kandidat për deputet i Lëvizjes për Ndryshim, CV-ja juaj është shumë e pasur. Doktor Shkencash, qytetar me formim e kulturë të lartë perëndimore, intelektual me karrierë brenda dhe jashtë vendit… a mund të na flisni pak për veten përtej prezantimeve klishè të kandidaturave?

Ndërsa po lexoja pyetjen e dytë, gati u hutova, tue mendue se kujt i asht adresue… gjithsesi  faleminders për vlerësimet. Në fakt, mënyra ma e mirë me hedhë dritë mbi vetveten, larg pikturimeve të klisheve depistuese, asht me kallxue koordinatat identitare, domethanë me shkue te rrajët, apo themelet familjare e të komunitetit, shprehje e të cilit je. Unë jam prej Hajmelit, nji Fshat i krahinës së Zadrimës, administrativisht në qarkun e Shkodrës, ku kam le para 43 vitesh. Mësimet fillore e deri të mesme i kam ba në fshatin e lindjes e paralelisht kam ba të gjitha detyrat e nji bujku e blegtori të dalluem, tipike e punëve të fshatit. Madje, kam fillue me punue në kooperativat bujqësore qysh në moshën 10 vjeçare, gjatë kohës së pranverës e të verës, mbasi lejohej edhe për nxanësit e shkollës, nëse kishin vullnetin me u pjesë e brigadës part-time. Fillimet e tranzicionit i kam jetue me nji “alfabetizim” shoqnor e politik të parakohshëm si dhe të nji vetëdije që e konsideroj nji mrekulli të Zotit, ndoshta edhe falë nji konteksti të volitshëm kulturor e familjar në Hajmel, i shquem për qëndresë stoike ndaj rregjimeve ç’njerëzore që janë alternue ne historinë e dhimbshme të zonës sonë e Shqipnisë. Për ndigjimin e rregullt të radio Vatikanit e Zanit të Amerikës, jam shprehë tash sa vite në shkrime e statuse në Facebook e s’po ndalem ma gjatë për efekt ekonomie hapsinore.

Në vitin 1996 jam regjistru në fakultetin juridik në Shkodër dhe ato vite i kujtoj për nji aktivizëm qytetar e politik në mjedisin studentor universitar, vërtet deciziv për pjekjen e nji mendimi personal politik, gati burimor, në diagonistikimin e nyjeve të ngatërrueme të realitetit shqiptar politike e kulturor. Mbas përvojës në Shkodër, kam shkue në Itali dhe aty kam ndej për 10 vite rresht në qytetin e Venezia-s, në nji shpi studentore interesante e kulturalisht stimuluese. Jam rregjistue në Universitetin e Padova-s në Shkenca Politike dhe mbasi jam diplomue në vitin 2005, kam ba edhe dy mastera të tjerë në Universitetin Ca’Foscari në Venezia, të cilët i kam përfundue në vitin 2008. Edhe në përvojën teme në Itali, krahas studimit, puna fizike që me kishte shoqnue qysh në kooperativë bujqësore nuk më ndahet në asnji moment. Në fund të vitit 2008 kthehem në Shqipni dhe punoj te Ministria e Punës në Shqipni deri në vitin 2013. Gjatë periudhës shërbimit në ministri, rregjistrohem në doktoraturë për drejtësi në Universitetin Ca’Foscari, gjithmonë në Venezia dhe diplomohem Doktorr i Shkencave juridike në vitin 2013. Në vitin 2013 martohem dhe rikthehem prapë në Itali, tashma jo në Venezia, por në Provincën e Como-s. Ingranohem si bashkëpunëtor shkencor pranë fakultetit juridik të Universitetit Shtetnor në Milano dhe asistent i profesor Giuseppe Lodovici. Për ironi të fatit, edhe kët pozicion e mbaj, tue mbajt edhe atë të pozicionit të puntorit në nji fabrikë afër Milano-s. Kolegët e punës habiteshin se në makinë kisha kostumin që e zëvendësoja me veshjen e punës kur mbaroja turnin për me ndihmue profesorin në procesin e provimeve me studentët. U ndala gjatë në dhanien e disa informacioneve emblematike personale dhe krejt motivimi jem me i marrë me sportivitet kto sfida jete e ka burimin te kalitja në përvojën e Hajmelit dhe të dashnisë e sensit të mirënjohjes ndaj rrethanave që na kanë ra për hise.

Sa sfiduese e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në garën e Zgjedhjeve parlamentare, Prill 2021 dhe pse zgjodhët të përfaqësoheni nën siglën e Lëvizjes për Ndryshim ?

Unë jam shumë i lidhun me bashkëfshatarët e qytetarët e mi dhe në kët sfidë të re e dij mirë që nuk jam vetëm, por idealisht e konkretisht me fermentet ma cilësore që vlojnë në damart e genin e tyne të lirisë. Lëvizja për Ndryshim, asht streha e lirisë e njerëzve të përgjegjshëm që janë të mbrujtun me alfabetin e lirisë e të dashnisë për vendin e të mirën e përbashkët. Për herë të parë në Shqipni ka lindë nji subjekt politik, qartësisht europian, pra, me ato përfaqësues të avampostit europian, që kanë jetue në katakombe gjatë dimnit shekullor të përjashtimit të tyne dhe tashma janë pjekë në tana rrafshet me marrë përgjegjësi politike. Vetë zonja Topalli, vjen prej nji ndër familjeve ma aristokratike edhe në sensin politik të Shkodrës dhe nji risoti persekutimi familjar të pashembullt. Zgjedhja erdhi në mënyrë të natyrshme e ftesën me u ba pjesë e kam lexue me kategoritë e misterit, mbasi unë ka kohë që e shihja të gabuem orbitimin tonë në partinë demokratike, tue u ba paterica e saj morale e dekorative.

Nëse zgjidheni deputet, zëri i kujt do të jeni në Parlament?

Sfidoj edhe retorikën garantiste të kushtetutës në këtë rast që i jep autonomi operative deputetit në raport me zgjedhësit. Pa asnji dyshim zani e instrumenti ekskluziv e dinjitoz i atyne që më zgjedhin, i zonës sonë, i Zadrimës, i komunitetit katolik e i njerzëve vullnetmirë shqiptar.

Cila mendoni se është plaga më e madhe sociale në vend?

Tirania e injorancës e nji tendencë me gjetë ngushëllim në vajin e përzhytun të auto-viktimizmit dhe mungesës të shpresës. Duhet thy rrethi vicioz i injorancës funksionale mes zgjedhësit e të zgjedhunit. Vendet me mendësi korruptive mafioze nuk kanë frymëmarrje dhe duhet kuptue se disa pak pasanikëve të korruptuem, u intereson mjerimi i popullit për me ua ble në fushatë elektorale e riciklue në mnyrë permanente kët perversion politik.

Pritshmëria juaj në këto zgjedhje dhe a besoni realisht ju në një ndryshim të mundshëm politik?

Ndryshimet politike cilësore paraprihen gjithmonë me nji shkundje kulturore të fortë dhe ky proces tashma ka fillue edhe në Shqipni. Sigurisht duhet realizëm politik i shndoshë për nji vend që ende përpilitet në nji gjys protektorat  mes vendeve perëndimore e gjeopolikës agresive turke. Pritshmënia jeme në kto zgjedhje ka nji bazë metafizike, mbasi besoj se historia nuk asht vetëm në dorë të njirit, por edhe të Zotit.

Programi juaj si Parti dhe pika e saj më e fortë?

Pika ma e fortë e programit asht statura e spesori njerëzor e profesional i kandidatëve të Lëvizjes për Ndryshim dhe vizioni i tyne, i kolauduem në nji pregatitje rigoroze në universitetet ma të mira, jashtë e brenda vendit e mbi të gjitha dashnia e sinqertë për atdheun tonë. Programet nuk janë disa hartime “ccop-paste” që serviren si qokë elektorale nëpër media, por para së gjithash historia e kandidatëve që shkojnë me ba ligje në kuvend e marrë përgjegjësi qeverisëse. Pika ma e fortë mendoj se asht promovimi i nji kulture anti-korruptive dhe vizioni me ndërtue nji Shqipni në harmoni ekologjike me potencialet e veta e larg recetave të induktueme të nji “dore të padukshme” anarkike, sikur thonë medemek ultra-liberalët e vetëquejtun të parisë së Tiranës.

Stërnip i Dom Gjon Kovaçit, pjesë e fisit të martirit Dom Êjëll Kovaçi, i lindur dhe rritur në Hajmel të Shkodrës, Zadrima është një nga krahinat që ka vuajtur shumë në komunizëm e jo më pak edhe në post-komunizëm nga politikat shterpë. Parë në syrin tuaj, cilat mendoni se janë nevojat emergjente që kjo zonë kërkon si zgjidhje?

E ndjej fort amanetin e mbrendshëm të ktyne martirëve që u shprishën për Zadrimën e Shkodrën, tue u dhanë atyne nder e lavdi. Nji ndër nevojat emergjente, përtej atyne të zakonshme të sistemimit përfundimtar të infrastrukturës, mendoj se asht edhe fillimi i konvertimit të disa katundeve me randësi të zonës të Zadrimës në qendra të mirëfillta urbane e kulturore në sintoni me historinë e saj të lavdishme. Buqësia e blegtoria duhen zhvillue me kritere shkencore si në të gjitha vendet perëndimore e kurrsesi me inercinë e mbijetesës. Potencialet e zonës janë ma të mirat në krejt zonën e Ballkanit e mos të harrojmë se Zadrima asht kopshti i Edenit i Shqipnisë. Politika e qeveria duhet të mendoj me rindërtue rrjetin hekurudhor për me zhvillue komunikimin në kohë të shpejtë dhe për Zadrimën do të ishte nji mrekulli e vërtetë zhvillimi ekonomik.

Cili është dështimi dhe suksesi i Ramës gjatë qeverisjes së tij sipas jush?

Rama asht modeli tipik i relativistit të bamë njiri e ma fort se sa me rreshtue rastet e dështimit, kisha me thanë që ka nji aftësi mbinatyrore me e paraqitë dështimin si sukses.

Po i Opozitës?

Shqipnia s’ka pasë kurrë nji opozitë në sensin autentik të termit, domethanë, morale, dinjitoze e alternative ndaj pushtetit, sikur asht në tana vendet e botës demokratike. Suksesi i opozitës asht mbijetesa e gjatë e liderit të saj, edhe pse qysh se ka ardhë në krye të saj, ka koleksionue humbje dhe dezertim të institucioneve kushtetuese të vendit, pa ndonji motiv thelbesor justifikues. Dështimi i saj asht mesazhi i gabuem qe ka dhanë me pazaret e ulta me të cilën asht shoqnue procesi i perzgjedhjes të kandidatëve të saj për deputet. Edhe ne rast fitoret, nji qasje e tille nuk premton shpresë për qeverisjen e vendit.

Ditët e fundit nëpër portale është komentuar një lajm për librin e kryetarin e opozitës “Misioni im” dhe një plagjiaturë të mundshme nga ana e tij. Për cfarë bëhet fjalë konkretisht?

Në nji status në fb, u njofta me nji fragment të librit ku z.Basha thoshte se ka ndigjue Zanin e Amerikes me dajën e tij: në fakt unë në shumë shkrime në Facebook, madje edhe i fundit që u kisha shkrue në italisht miqve të mi italian, kisha folë gjanësisht për faktin se kurioziteti e mandej pasioni jem në politikë, asht katalizue në mënyrë të pavetëdijshme, tue ndigjue Radio Vatikanin e Radio Zanin e Amerikës. Sigurisht, disa meme të mia në Facebook janë nan vëzhgim të rreptë të disa keshilltarëve politik që rrijnë mbas gardhit virtual dhe fabula e Zanit të Amerikës asht ndërtue absolutisht, tue i bazue në të vërtetën e historisë teme. Mendoj se duhet të jena serioz në trajtimin e ktyne çështjeve; Zani i Amerikës ndigjohej ma shumë në periferi e në familjet disidente e qëndrestare e jo në familjet e plazmueme me verbin komunist në Tiranë. Plagjiatura në kët rast nuk nankupton kopjimin fjalë për fjalë, por të fabulës, që në rastin tem ishte realitetit i jetuem.

SHKARKO APP