Nuk ka rinovuar me Shqipërinë, Sylvinho mund të rikthehet në Brazil
Pas përfundimit të aventurës së Shqipërisë në Euro 2024, trajneri Sylvinho ka mbetur pa kontrata. Teknikut brazilian i mbaroi kontrata dhe për momentin nuk ka bërë asnjë hap para për rinovimin e saj edhe pse FSHF i ka bërë një propozim atij prej disa muajsh për të drejtuar kuqezinjtë në rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
Megjithatë, trajneri heziton pasi ka marrë edhe oferta të tjera gjatë këtyre ditëve, me ekipe portugeze të interesuara për të, e jo vetëm. Falë kualifikimit të Shqipërisë, karriera e Silvinjos është ringjallur dhe për të janë hapur dyer të rëndësishme që dukeshin të mbyllura, pas aventurave aspak të mira me Corinthias dhe Lyon.
Në këto ditë, në Brazili ka filluar të qarkullojë përsëri emri i tij dhe media e njohur braziliane “Sambafoot”, ka hedhur hipotezën që Sylvinho mund të kthehet përsëri të marrë drejtimin e klubit të Corinthias.
Ai është një idhull për tiozerinë vendase pasi ka qenë futbollist i kësaj skuadre, por aventura e tij si trajner atje në vitet 2021-2022,nuk shkoi siç pritej. Klubi ka shkarkuar dje trajnerin Antonio Oliveira pas rezultateve të dobëta të kohëve të fundit.