Petrit Vasili: Edi Rama, ky trim i vërtetë bodigardësh…

Nga Petrit Vasili

Trajektorja e degradimit të Ramës, këtij “trimi bodigardësh”, nga goditja e emigrantit te helikopteri në Himarë!
Dy ngjarje të rënda, por tepër të qarta dhe në një ditë të vetme, ishin dy penelata të mjaftueshme për të bërë portretin e degradimit politik të Edi Ramës këtij “trimi të vërtetë bodigardësh”.
Një emigrant nga Kosova, Bekim Rashiti, që jeton në Zvicër e kishte ardhur për pushime në Himarë e quajti Ramën tradhtar, ndërsa Rama tundej e shkundej në rrugën buzë detit në Himarë.
Bekim Rashiti u dhunua dhe iu rrëmbye edhe celulari nga bodigardët e Ramës.
U dhunua sepse tha të vërtetën që Edi Rama që po shëtiste buzë atij bregdetit himariot është po ai, që po bën gjithçka për t’ua shitur detin e Shqiperisë të huajve.
Ky gjel i ngrehur kryeministror dhe “trim bodigardësh” duket një karikature e vërtetë tek përdridhet buzë bregdetit himariot, që i ka shumëzuar me zero gjithmonë tradhtarët si ky, kurdo që ata janë shfaqur.
Ndërsa dhuna ndaj Bekim Rashitit ishte thjesht prova e një degradimi politik dhe social të neveritshëm i një kryeministri të degraduar në çdo pikëpamje dhe që trimëria e të cilit fillon e mbaron brenda gardhit të bodigardëve te tij.
Në vendin e kapetanëve trima himariotë ky “trim bodigardësh” duket një mjerim i vërtetë.
Po në Himarë u pa qartë që kryeefendiut të qeverisë nuk i mjafton makina superluks qindra mijëra euro, por do edhe helikopter ushtarak që në përfundim të shëtitjeve të tij psikopatike të kthehej në Tiranë.
Ndërsa vendi digjet nga flakët, ku po humben edhe jetë njerëzish dhe ku çdo mjet duhet të jetë në dispozicion për të përballuar situatën, ky kryeministër i degraduar jo vetëm që nuk shkon të ndjekë në terren përballimin e katastrofës, por përdor edhe helikopterin ushtarak për qejf të tij.
Trajektorja nga dhunimi i emigrantit nga Kosova e deri tek përdorimi i turpshëm dhe i paligjshëm i helikopterit është prova se deri ku mbërrin degradimi pa kufi i Edi Ramës.
Kudo gjetkë kryeministri do të ish dorëhequr pas turpeve të tilla, por Edi Rama dihet që është etaloni i pacipësisë dhe degradimit politik dhe moral.
Megjithatë përpara gjithë shqiptarëve në ditën himariote të tij Edi Rama u shfaq lakuriq adhtu siç është, i egër ndaj njerëzve të thjeshtë dhe njeri që shikon qejfet e tij ndërsa vendi digjet.
Asnjë qytetar shqiptar nuk ka të drejtë të harrojë këtë ditë kaq të rendë, kur pushteti shpërdorohet kaq rëndë nga një kryeminister i degraduar “trim bodigardesh”.
Kjo trajektore vrastare nga emigranti te helikopteri është trajektorja e degradimit pa kthim të Edi Ramës këtij “trimi bodigardësh”.
“Trimit të bodigardëve” i ka humbur krejt busulla e logjikës dhe e turpit, por i punon vetëm logjika e degradimit dhe shpërdorimit pa fre si çdo i kompleksuar paranojak, që s’di ç’kërkon të rrëmbeje akoma, nga qejfet e deri tek paratë publike e kufijtë e Shqipërisë.

SHKARKO APP