Plagosje me armë zjarri në Tropojë

Mëngjesin e kësaj të enjteje në Tropojë është plagosur me armë zjarri Bardhyl Kolbiba, 39 vjeç nga Izet Ahmati, 46 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta.

Policia ka bërë të mundur kapjen e autorit dhe sekuestrimin e armës së krimit, kallashnikov.

Njoftimi i policisë:

Tropojë

Plagosi me armë zjarri 39-vjeçarin, Policia arreston në kohë rekord autorin.

Sekuestrohet edhe arma e krimit, kallashnikov.

Sot, rreth orës 07:10, në fshatin Luzhe, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 46 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Luzhë, i cili është transportuar për mjekim në spitalin e Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, shtetasit I. A., i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në periferi të fshatit.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së krimit, kallashnikov me një krehër me municion luftarak.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një armë e ftohtë thikë me të cilën dyshohet se në momentin e konfliktit të çastit, i dëmtuari ka kanosur me thikë autorin dhe më pas konflikti është përshkallëzuar në përdorimin e armës nga 46-vjeçari.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

SHKARKO APP