10 orë debat në PD! Mes përplasjesh e tensionesh hapet gara për kreun e Partisë Demokratike të vulës
Pas 10 orësh debate e tension deri në orët e para të mëngjesit, Kryesia e Partisë Demokratike të vulës doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë. Me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik.
Ky vendim, ka sjellë tensione në mbledhje, pasi deputetët, që njëherazi janë edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë pranuar që zgjedhjet të mbahen tani. Me këtë situatë, vihet re një tjetër përçarje mes Partisë Demokratike, që pasoi edhe me dorëheqjen e Jorida Tabakut nga posti i nënkryetares. Në një deklaratë për mediat, Tabaku e cilësoi këtë vendim si nëj hap që e zvogëlon më shumë partinë.
“U tërhoqa nga vendi i nënkryetares së PD. unë gjykoj që PD do ecë para, do bëhet alternativë kur secili nga ne të anashkalojë egot personale dhe të mendojë për të mirën e përbashkët”, tha Tabaku.
Pas hapjes së garës, pritet me interes vendimi i Lulzim Bashës nëse do të kandidojë sërish për drejtimin e Partisë Demokratike, duke pasur parasysh që tashmë ai është kthyer në politikën aktive dhe largimin e tij e arsyeton si veprim që të tërhiqej Berisha. Kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth 1 muaj afat për të bërë fushatë zgjedhore. Konkretisht nga data 24 qershor deri më 27 korrik dhe më pas mbahen zgjedhjet.
Deri më 15 korrik, çdo degë e Partisë Demokratike, duhet të evidentojë anëtarët me të drejtë vote. Më pas, për të miratuar këto zgjedhje, brenda muajit shtator duhet të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

