100-vjetori i Luftës së Vlorës, Meta: Shqipëria duhet të jetë gjithmonë zgjuar në mbrojtje të lirisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizitoi së bashku me një grup të rinjsh studentë, historianësh dhe akademikësh Pavionin e Pavarësisë dhe të Luftës së Vlorës 1920 në Muzeun Historik Kombëtar.

Duke theksuar rëndësinë historike dhe atdhetare të Luftës së Vlorës si dhe shembullin e paharrueshëm e frymëzues të saj, sidomos për brezat e rinj, Presidenti i Republikës çmoi në një ceremoni solemne, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes) Profesor Muin Çamin dhe Profesor Bardhosh Gaçen, ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Prof. Ass. Dr. Bernard Zotajn.

Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi (pas vdekjes) edhe tre pjesëmarrës dhe atdhetarë të Luftës së Vlorës, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Dr.Ali Mihalin për trimërinë, humanizmin dhe kontributet e dhëna jo vetëm në lëvizjet kombëtare të viteve 1912 dhe 1920, por edhe për zhvillimin e mjekësisë shqiptare; me Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Ali Spahiun (Malindi) si luftëtar trim dhe drejtues i shquar njësive ushtarake në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe Pavarësisë së Atdheut.

Ndërsa Titullin “Kalorës i Udhrit të Flamurit”, Kreu i Shtetit ia akordoi ushtarakut italian Giovanni Valenza, “në mirënjohje për besnikërinë ndaj bindjeve dhe parimeve të tij të larta morale si dhe për mbështetjen e çetave luftëtare shqiptare me armatim gjatë Luftës së Vlorës të vitit 1920 duke u bërë shembull ndër breza për trimërinë dhe vetmohimin e tij në luftën kundër së keqes”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar të rinjve studentë, akademikëve, historianëve dhe të afërmve dhe familjarëve të pranishëm në ceremoninë solemne të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar, u shpreh:

“Jam i lumtur që ndodhemi sot në Muzeun Historik Kombëtar, për të përkujtuar me krenari 100-vjetorin e epopesë së Luftes se Vlorës të vitit 1920.

Jemi këtu në Muzeun Historik Kombëtar ku është ekspozuar historia jonë kombëtare, histori e cila pa mundin dhe kontributin e historianëve tanë të nderuar do të ishte e harruar, prandaj vlerësimi dhe mirënjohja në këtë përkujtim të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, është edhe një nder i merituar për punën e bërë prej tyre ndër dekada.

Pasqyrimi që i kanë bërë historianët tanë betejave dhe përleshjeve me armikun, kanë skalitur portretin e Luftës së Vlorës, të atdhetarëve, të kapedenëve të çetave dhe të luftëtarëve të Vlorës, Tepelenës, Himarës, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës, Korçës, Devollit dhe gjithë trevave të kombit tonë, deri edhe të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera evropiane.

Ky pasqyrim na jep të plotë këtë epope të fitimtarëve, që nuk lejoi copëtimin e trojeve shqiptare.

Na tregon për një ngjarje historike të rëndësisë së jashtëzakonshme kombëtare, vendimtare për ekzistencën e shtetit tonë, por edhe për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar. Një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, vetëm të bazuar në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush.

Evropa shkruajn’ e thonë,

Bëhet dyfek në Vlorë,

Shqipëtarët luftojnë,

Me një mbret dyzet milionë…

Jam i lumtur që bashkë me të ftuarit e tjerë në këtë ceremoni, kemi edhe një grup të rinjsh e të rejash, që besoj se, në vizitën e sotme në Muze, kanë mësuar disa gjëra më shumë për historinë e Luftës së Vlorës nga historianët tanë.

Është thelbësore që historinë t’jua mësojmë brezave të rinj, duke mbajtur të gjallë të ardhmen e atdheut. Nuk mund të lejojmë, që e shkuara të lihet në harresë, apo siç na ka mësuar Ismail Qemali se: ‘Një fëmijë që fle rritet, por një komb që fle vdes’.

Shqipëria duhet të jetë gjithmonë zgjuar në mbrojtje të lirisë, pasi ajo nuk fitohet një herë e përgjithmonë, por duhet mbrojtur në çdo kohë nga të gjithë.

Histori do të thotë “të kërkosh në të kaluarën”, ndaj unë nxis të gjithë historianët tanë të nderuar të vazhdojnë me hulumtimet e tyre, të kërkojnë edhe më shumë në të kaluarën krenare të popullit shqiptar për të mbajtur të gjallë historinë dhe të ardhmen e kombit tonë, duke hedhur më shumë dritë mbi të vërtetat e patjetërsueshme të historisë sonë të lavdishme, që do ndihmojnë brezat e sotëm e të ardhshëm të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe me më shumë dashuri për Atdheun tonë.

Në nderim të sakrificave të luftëtarëve të Luftës së Vlorës të vitit 1920, dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme të historianëve e studiuesve tanë për të pasqyruar këtë luftë heroike, kam kënaqësinë që sot të vlerësoj me tituj të lartë nderi disa prej tyre:

Prof. Muin Çami, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe Prof. As. Bernard Zotaj dhe njëkohësisht tri luftëtarë të shquar të Luftës së Vlorës: Dr. Ali Mihali, Ali Spahiu (Malindi) dhe arbëreshin Xhovani Valenca.

Prof. Muin Çami i përket plejadës së historianëve më në zë të Shqipërisë. Ndër të parët historianë që ka shkruar për Luftën e Vlorës. Studiues dhe hulumtues i njohur si edhe një nga historianët që ka dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku ne ndodhemi sot.

Prandaj nuk kishte vend më të bukur për ta nderuar atë me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut’.

Një personalitet tjetër është Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili është studiues dhe profesor në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”.

Prof. Gaçe është një nga autorët që ka lënë gjurmë në përshkrimin e figurave kryesore të Luftës së Vlorës të vitit 1920.

Prof. Gaçe është autor i shumë veprave studimore, etnokulturore dhe antologjike. Shumë nga librat e tij të botuar lidhen me baladat, me legjendat dhe me historinë e Labërisë së tij.

Kam kënaqësinë që sot ta nderoj Prof.Gaçen me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut’.

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj është historian ushtarak, kryetar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Republikës së Shqipërisë, i cili i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të studimeve të tij Luftës së Vlorës, luftëtarëve të saj dhe artit ushtarak të aplikuar në të.

Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare, Prof.As.Dr. Zotaj ka dhënë mësim në shkollat ushtarake dhe ka publikuar në vijimësi hulumtime mbi historinë ushtarake.

Për kontributin e tij në fushën e historisë ushtarake nderoj sot Prof.As.Dr. Bernard Zotaj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Ali Spahiu (Malindi) është një nga figurat e shquara intelektuale shqiptare, me një veprimtari të dendur atdhetare në shërbim të Shqipërisë për më shumë se gjysmë shekulli.

I lindur në Malind të Skraparit, në vendlindjen e poetit tonë të madh Xhevahir Spahi, ai ndoqi studimet në Gjimnazin ‘Zosimea’ të Janinës ku u njoh e miqësua me vëllezërit Frashëri, për të vazhduar studimet e larta në Shkencat Politike-Administrative në Stamboll.

Përkushtimi i tij ndaj Atdheut e shoqëroi në të gjitha detyrat që mbuloi si Kryetar Bashkie i Vlorës, si sekretar i prefekturës dhe nën/prefekt i Beratit. Ky përkushtim doli akoma më shumë në pah gjatë Luftës së Vlorës, kur iu përgjigj Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare’ për mobilizimin e luftëtarëve në Berat, Skrapar e Lushnje.

Edhe pse i moshuar, si komandant i çetës së luftëtarëve të krahinës së tij, mori pjesë në frontin e luftës, ku luftoi me trimëri kundër pushtuesve italianë.

Për kontributin e tij të veçantë në Luftën e Vlorës dhe për çështjen shqiptare i akordoj sot ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’.

Dr. Ali Mihali ishte mjek ushtarak i lindur në Prishtinë, i rritur e edukuar me ndjenja atdhetare që në fëmijëri. Me ardhjen në qytetin e Vlorës në vitin 1911, ai ia kushtoi gjithë jetën e tij çështjes kombëtare, duke u përfshirë në lëvizjen kombëtare në Vlorë si mjek i kryengritjeve Vlorë-Mallakastër 1912, si mjek pranë qeverisë së Ismail Qemalit në vitet 1912-1914, për të vazhduar me ngritjen e spitalit të Vlorës në vitin 1914, drejtor i të cilit shërbeu për 20 vite rresht.

Në vitin 1920, ai u vu në shërbim të Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare’ në spitalin e Kotës, së bashku me Dr. Shezai Çomo, për mjekimin e të plagosurve të luftës së Vlorës.

Për kontributin e tij të shquar në Luftën e Vlorës, për humanizmin e trimërinë e tij kam kënaqësinë t’i akordoj sot titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut’.

Arbëreshi Xhovani Valenca është një figurë e rëndësishme dhe unike në Luftën e Vlorës 1920, sepse kreu një akt të pashembullt e heroik duke braktisur vullnetarisht radhët e ushtrisë pushtuese italiane në Shqipëri, duke u bashkuar me kryengritësve shqiptarë në Luftën e Vlorës dhe duke u dorëzuar atyre depot me municione.

Pas dëbimit të ushtrisë italiane nga vendi ynë, ai qëndroi në qytetin e Vlorës, ku solli dhe familjen e tij. Fashistët italianë e konsideruan si tradhëtar dhe organizuan vrasjen e tij në Vlorë në vitin 1927. Giovanni Valenza mbetet një figurë e shquar dhe e pavdekshme në epopenë e Luftës së Vlorës 1920. Për kontributin e tij të çmuar gjatë Luftës së Vlorës i akorodoj Titullin e lartë Kalorës i Urdhërit të Flamurit’”.

SHKARKO APP