104-vjetori i Tiranës Kryeqytet, Presidenti Begaj: Mishërim i vlerave më të mira shqiptare!
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, hapi sot dyert e Presidencës për të kremtuar 104-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, ku morën pjesë personalitete të mjekësisë, drejtësisë, kulturës, arsimit, medias, si dhe përfaqësues të familjeve autoktone të Tiranës.
Presidenti vlerësoi kontributin e tyre për Tiranën si kryeqendër të Shqipërisë, si dhe bujarinë që kanë treguar ndaj të ardhurve ndër vite nga trojet e tjera shqiptare.
Përgjatë këtij aktiviteti qytetarët patën mundësi të rikujtojnë të shkruarën dhe të prekin të tashmen e Tiranës, të treguar përmes dokumenteve autentikë, fotografive, pikturave dhe botimeve të autorëve të Tiranës.
Fjala e Presidentin Begaj:
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Mirë se erdhët në këtë ceremoni modeste për të festuar bashkë 104-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.
Dëshiroj ta nis me një falenderim të veçantë për përfaqësuesit e disa prej familjeve autoktone të Tiranës, të cilët janë gurët e themelit të një kryeqyteti sa tradicional, aq edhe modern.
Tirana nuk mund të kuptohet pa folur për banorët e saj zemërgjerë. Ndër vite “tironsit” me ngrohtësinë, bujarinë dhe dashamirësinë karakteristike mirëpritën pa asnjë komples vëllezërit shqiptarë nga troje të ndryshme.
Tirana ishte që në fillimet e saj mishërim i vlerave më të mira shqiptare, i tolerancës dhe mirëkuptimit, i bashkëpunimit dhe respektit ndaj tjetrit.
Në Tiranë gjendet e gdhendur një pjesë e historisë së popullit tonë. Kryeqyteti është transformuanr ndër vite nga një nyje që lidhte rrugët kryesore të trevave tona, në qendrën kryesore politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarisë. Tirana është një histori suksesi.
Historia e qytetit është padyshim historia e mrekullueshme e banorëve të Tiranës. Secila gjeneratë la gjurmët e saj në histori, arkitekturë, urbanistikë dhe mbi të gjitha, në frymën e saj patriotike, atdhetare dhe pro perendimore. Tirana dhe qytetaret e saj i kanë paraprirë progresit, duke e kthyer atë në kryeqendrën e shqiptarëve kudo ata ndodhen.
Tirana sot është një qytet i gjallëruar, që jeton me ritme të përshpejtuara. Ajo ruan fort traditën e mirëseardhjes, të mirëkuptimit dhe mundësisë për një jetë të mirë.
Është detyra jonë që të vijojmë të ruajmë traditat dhe të kontribuojmë në pasurimin e jetës së kryeqytetit më shumëngjyrësh të rajonit tonë, të Tiranës që nuk njeh moshë, të Tiranës tonë të përbashkët,
Ju falemnderit!