110 vjetori i themelimit të ”Vatrës”, Presidenti Meta: Gjatë diktaturës komuniste ishte shtëpia e shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e 110 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në New York. Teksa ka përshëndetur festimet, kreu i shtetit thotë se secili shqiptar në Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Po ashtu Meta shkruan në facebook, se gjatë diktaturës komuniste “Vatra” ishte shtëpia e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën.

Postimi i plotë nga Presidenti Meta

Shumë i lumtur të ndodhem në New York, mes qindra bashkëkombasve nga të gjitha trevat shqiptare, për të festuar me madhështinë që meriton, 110-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, historinë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve jashtë vendit.

Përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare dhe diplomatike, “Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjeve kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë, për të patur më pas ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë.

Gjatë diktaturës komuniste “Vatra” ishte shtëpia e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën.

Sot, 110 vite nga themelimi i saj, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë dhe për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”. Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i SHBA meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të “Vatrës! Zoti e bekoftë Kombin tonë dhe miqësinë shqiptaro-amerikane!

SHKARKO APP